English

Drita e fakteve

Drita e fakteve ka rënë plotësisht mbi kutitë e zgjedhjeve të 8 majit në kryeqytet. Fitorja jonë, në dy të tretat e territorit të vendit provokoi tërbimin e kundërshtarit, i cili humbi plotësisht edhe arsyen kur humbi në fund edhe në Tiranë

Nga Edi Rama

Një analizë serioze ka nisur në gjithë rrjetin e socialistëve të Tiranës, për të zbërthyer të gjithë elementët e mekanizmit të deformimit të rezultatit përmes shpërdorimit brutal të pushtetit dhe lumit të parasë së pistë, e cila u derdh si kurrë ndonjëherë në një fushatë elektorale shqiptare.

Nga ana tjetër, kjo analizë na vlen edhe për të vendosur piketat e fitores së ardhshme në zgjedhjet parlamentare. Ku s’ka asnjë dyshim se Tirana, jo vetëm kryeqyteti, po i gjithë qarku do ti japë shumicën e mandateve Partisë Socialiste për të mirëqeverisur Shqipërinë.

Ka shumë për të diskutuar, organizuar, përpjekur e sakrifikuar deri në atë fitore.

Por 8 maji na ka dhënë jo vetëm fitoren e zgjedhjeve vendore, po edhe të gjitha mësimet që na duhen për ta ndërtuar rrugën e sigurt drejt fitores.

Me kryetarin e Asamblesë Kombëtare kemi takuar këto dy javë të gjithë të zgjedhurit socialistë, kryebashkiakë, kryekomunarë, këshilltarë bashkish e komunash.

Kemi hapur bashkë me ta faqen e një analize që do të bëhet në çdo njësi vendore, në çdo qytet e fshat,për çdo qendër votimi të Shqipërisë.

Duhet të jetë një analizë e detajuar, politike e organizative, e cila do të vazhdojë deri në fillim të shtatorit, për ta përgatitur sa më mirë këtë vit zgjedhor brenda partisë, që do të mbyllet në 5 nëntor me Kongresin tonë zgjedhor.

Dy vitet opozitare të pasvjedhjeve të qershorit 2009,kulmuan me fitoren e bukur të 8 majit, falë një kursi politik të konceptuar si një aksion rezistence opozitare, që coi në kutitë e votimit një numër zgjedhësish tërësisht të pazakontë për një raund zgjedhjesh vendore.

8 maji ishte fitorja e rrugës sonë opozitare. Fitorja e ardhshme duhet dhe do të jetë fitorja e alternativës sonë qeverisëse. Jemi në pozitën dhe kohën e duhur për të nisur nga puna për konceptimin e kursit tonë të ri politik.

Shqipëria që paguan taksa dhe vuan padrejtësinë e ngritur në sistem, Shqipëria e 1 milionë të papunëve dhe familjeve që s’paguajnë dot faturat, Shqipëria e zhytur në borxhe që ka lënë peng me firmën e Saliut të ardhmen e vet, nuk ka më asnjë vështirësi për të kuptuar se kush është Saliu dhe sa poshtërsisht e paaftësisht qeveris sot pushteti i tij.

Por Shqipëria ka nevojë të kuptojë qartë, si do qeverisim ne nesër dhe njëkohësisht të ndjejë, të shohë, të prekë, përmes një kulture të re komunikimi me njerëzit e organizimi për njerëzit, fuqinë e ndryshimit që duam të sjellim.

Me frymën e shqetësimit tonë të madh për tatëpjetën ku po rrokulliset vendi, demokracia, drejtësia, ekonomia kombëtare e familjare, duhet të plazmojmë, të gjithë se bashku, një mjedis alternativ të politikës së vjetër.

Ne duhet të bëhemi hapësira ku të gjejnë vend shpresat, ambiciet, interesat e çdo shqiptari të dëshiruar për ndryshim dhe të gatshëm për të kontribuar për ndryshimin.

Çdo qelizë e Partisë Socialiste duhet domosdoshmërish të akumulojë të gjithë energjinë opozitare të vendit, në çdo krahinë, nga Veriu në Jug, dhe të bëhet pika e referimit në horizontin e ëndrrave e të shpresave të shqiptarëve.

Kësaj domosdoshmërie duhet t’i shërbejnë proceset e brendshme që kemi përpara deri në Kongresin Zgjedhor dhe ky synim duhet të na bashkojë fort, të gjithëve, me njëri tjetrin e me çdo shqiptar që dëshiron të ndajë me ne një vizion të ri për Shqipërinë.

Si asnjëherë pas vitit 1997 financat e vendit kërcënohen prej shthurjes totale. Kriza e mbuluar me një propagandë qeveritare që do të ishte film i pambarimtë komik për çdo vend serioz, ka prekur thellë themelet e brishta të ekonomisë shqiptare.

Modeli pabesisht i rrezikshëm i Saliut, merr borxh sa të mundesh në emër të vendit dhe shpenzo gjithçka për të mbajtur pushtetin, po shkon drejt vetëshpërthimit.

Ky vend po rrokulliset çdo ditë prej pafuqisë ekonomike e mungesës së rendit ligjor dhe ballafaqimi me shterimin e fuqive të tij financiare do të jetë shumë i dhimbshëm.

Makina shtetërore ka ngecur në batakun e nepotizmit, klientelizmit, batakcillëkut të shumë përhapur.

Administrata publike është shpërfytyruar krejtësisht, për qëllime dritëshkurtra të pushtetit të vjedhur që s’po le pasuri kombëtare pa vjedhur e shkatërruar.

Siguria në vend është në nivele të mjerueshme. Jeta, prona, puna, liritë e të drejtat kushtetuese, janë gjithnjë e më lehtësisht të cënueshme. Drejtësia ka rënë në prehrin e interesave të paligjshme të pushtetit të Saliut dhe çka po ndodh me Kolegjin Zgjedhor, i cili rrëzoi padinë tonë për veprimtarinë antikushtetuese, haptazi të paligjshme, të bandës së Saliut në KQZ, ishte prova ulëritëse e rrezikut të kapitullimit përfundimtar të drejtësisë.

Kolegji i mëpasëm, dha një vendim të trembur, gjysmak, por gjithsesi mbajti hapur rrugën e një drejtësie të mundshme.

Sot, në një vend tjetër, në çdo vend tjetër europian e demokratik të gjithë do të mund ta merrnin me mend përfundimin e natyrshëm të Kolegjit të ardhshëm, atij të 6 korrikut, bazuar në provat e shifrat e pakundërshtueshme të kaosit që ka prodhuar me tabelat e rezultateve futja e duarve në proces.

Ato tabela në vend se të shprehin përputhjen mes vullnetit të zgjedhësve dhe fletëve të votimit të gjetura në kuti pas zbatimit të vendimit të Kolegjit nga KQZ-ja, u çatrafiluan me keq se c’ ishin.

Shqiptarët panë, në kohë reale nga ekranet, një tjetër episod të turpshëm të dhunës zgjedhore në KQZ dhe tabela e rezultatit të radhës nuk është veçse prova e pavlefshmërisë totale të zgjedhjeve të grabitura në tavolinë.

Aritmetika nuk është opinion dhe latinishtja e Tom Ndrecës nuk mund ta kthejë dot aritmetikën nga shkencë ekzakte në shkencë politike.

Alibitë e paligjshme të Saliut para gjykatës dhe ngritja e gjykimit mbi këto alibi, ngjajnë kërcënueshëm me proceset gjyqësore të montuara me urdhër partie në kohën e rregjimit komunist.

Diktatura e faktit të kryer, e kusarisë dhe paligjshmërisë së kthyer në metodë qeverisëse, i ka rrënjët në këmbët e karriges së kryeministrit, po ujitet përditë me ujin e turbullt të sistemit të kapur të drejtësisë. Megjithatë askush s’mund ta thotë dot, përpara sesa ta thonë vetë pesë gjykatësit e 6 korrikut, se cili do të jetë rezultati i këtij procesi gjyqësor.

Unë shpresoj që ata të respektojnë Kushtetutën dhe të mos ligjërojnë një tjetër rezultat haptazi antikushtetues;

Të respektojnë standartet ndërkombëtare, të interpretuara më se miri nga vetë Komisioni i Venecias për rastin konkret të mospërputhjes së shifrave në tabelat e rezultateve zgjedhore dhe të mos shpikin një tjetër standart të amoralitetit ekstra-ligjor që sundon në shtetin e kapur të Saliut;

Të respektojnë, në fund të fundit, vetë precedentët e paravendosur prej atyre vetë, në po këto zgjedhje, për të njëjtin rast papërputhshmërie, në disa njësi vendore, ku të pestë gjykatësit e 6 korrikut kanë vendosur e firmosur pavlefshmërinë, duke detyruara përsëritjen e zgjedhjeve dhe të mos hyjnë në histori për një vetëmohim në paligjshmëri duke goditur të drejtën e popullit të Tiranës që të rivendosë me vullnet të lirë, përmes zgjedhjesh të reja, fituesin e këtyre zgjedhjeve të vdekura prej dhunës barbare në tavolinë.

Ne i fituam zgjedhjet në Tiranë.

Të gjithë e panë, sepse të gjithë shqiptarët, brenda e jashtë vendit, i numëruan në kohë reale votat e Tiranës përmes televizorit.

Fitorja jonë u tjetërsua nga humbësi në tavolinën e KQZ-së dhe u mohua në thelbin e saj kushtetues nga Kolegji, i cili e ligjëroi ndryshimin arbitrar të rregullave në mes të lojës, pavarësisht opinionit të qartë të arbitrit ndërkombëtar e deklaratave pa ekuivok të pakënaqësisë së miqve e partnerëve të Shqipërisë për sjelljen e KQZ-së.

Si fitimtarët e zgjedhjeve, por edhe në emër të interesit publik e kombëtar për të mos lejuar që kriza e zgjedhjeve të thellohet në Shqipëri , përkundrazi, për të mundësuar daljen nga kriza e zgjatur prej dy vjetësh, ne jemi gati të rikthehemi para popullit sovran të Tiranës për një rigjykim përmes votës.

Mënyra sesi do të zgjidhet kriza e zgjedhjeve në Tiranë, është për vendin tonë e ardhmërinë e tij me shumë sesa emri i fituesit të këtyre zgjedhjeve.

Nëse humbësi Sali do të dalë fitues me vulë gjykate, atëherë jo vetëm populli i Tiranës do të jetë shkelur ne sovranitetin e tij kushtetues, po besimi qytetar tek e drejta e votës dhe vetë drejtësia do marrin një goditje me pasoja të pallogaritshme.

Një vendim Kolegji haptazi i paligjshëm për zgjedhjet e qershorit 2009 u bë zanafilla e një historie të vështirë, të ngarkuar e të ngatërruar, me të gjitha kostot që një vend i paguan li8gjërimit të vjedhjes së votës. Një vendim Kolegji në përputhje me ligjin, ,mund të bëhet këtë herë zanafilla e një historie krejt tjetër, duke provuar se në Shqipëri vota mund të mbrohet me ligj e me gjyq dhe drejtësinë si e tërë nuk mund të varroset me dhunën e pushtetit të votave të vjedhura.

Sidoqoftë, cilidoqoftë vendimi i Kolegjit më 6 korrik, për ne është e qartë detyra që kemi ndaj njerëzve të këtij vendi dhe përgjegjësia që mbajmë si partia më e madhe e shqiptarëve për të mos lejuar largimin e Shqipërisë nga rruga e vetme e Bashkimit Europian.

Ishte një vendim konsensual dhe i natyrshëm për kushtet, ai i Grupit Parlamentar, fill pas shfaqjes së dorës së kusarëve të votës në tavolinën e KQZ-së, për të mos u kthyer në parlament pa përfunduar beteja për zgjedhjet e papërfunduara në Tiranë.

Nuk është vendosur asnjë rikthim në bojkot dhe pavarësisht se nuk janë të pakët deputetët apo mbështetësit tanë kudo që e konsiderojnë ribojkotimin e parlamentit një opsion parësor, kam mbrojtur e mbroj mendimin se bojkoti e ka kryer misionin e vet qyshse çështja e krizës së zgjedhjeve të qershorit u shtrua në çdo tavolinë për Shqipërinë.

Strategjia dhe beteja jonë dyvjeçare për mbrojtjen e demokracisë duke mbrojtur votën e lirë, me bojkot, protesta, greva e demonstrata, e dha rezultatin e vet të shkëlqyer në 8 maj, kur një votë masive u derdh në kutitë e votimit falë një pjesëmarrjeje krejt të veçantë për zgjedhjet vendore dhe ne fituam bindshëm.

Lejomëni ta përsëris se fitorja e 8 majit, detyrimi për të qeverisur dy të tretat e territorit të Shqipërisë sot dhe koha e shkurtër që mbetet për të marrë nga shqiptarët detyrën për të qeverisur mbarë vendin nesër, imponojnë nevojën e konceptimit të një kursi të ri.

Në këtë funksion duhet vlerësuar edhe domosdoshmëria për një jetë të re parlamentare të opozitës, për të cilën duhet të përgatitemi seriozisht dhe intensivisht.

Kemi nënshkruar një Pakt me Qytetarët.

Sezoni i ri parlamentar duhet të jetë për ne sezoni i nismave ligjore për afirmimin në sallën e parlamentit të atij angazhimi solemn. Ky është premtimi që u kemi bërë qytetarëve dhe në opozitë do ta afirmojmë, ndërsa në qeverisje do ta realizojmë.

Më anë tjetër kemi pjesën tonë, të patjetërsueshme, në paktin e vetë Shqipërisë me Bashkimin Europian. Saliu e ka shkelur vijimësisht këtë pakt, madje sot është e qartë me vepra e fakte se pushteti i tij i vjedhur për të vjedhur, nuk e dëshiron integrimin evropian të Shqipërisë pavarësisht se çfarë shpreh me llafe. Sepse natyra e këtij pushteti është e papajtueshme me natyrën e një shteti të Bashkimit evropian dhe, sa më afër këmbët e vendit në pragun e Bashkimit Europian, aq më larg duart e pushtetit nga liritë e të drejtat e qytetarëve, nga institucionet kushtetuese, nga pronat e pasuritë publike.

12 prioritetet e përcaktuar e të ripërcaktuara prej Komisionit Europian, si kusht për ecurinë e Shqipërisë në rrugine integrimit, duhet të afirmohen prej nesh si pjesë përbërëse e programit tonë të ri politik, por edhe si angazhim konstant parlamentar përmes nismash të reja ligjore.

Partia Socialiste duhet të përgatitet fort për një përpjekje të re, shumëpalëshe, në çdo front, për të dëshmuar forcë të madhe morale e programore në kundërvënien ndaj projektit izolues e shkatërrues të Saliut. Nuk jemi në asnjë garë për të nxjerrë kokën mbi njëri-tjetrin, po në një betejë të përbashkët për t’i ngritur kokën Shqipërisë.

Në betejën që kemi përpara na duhet të tregojmë me qartësi e durim rrugën e re që duam të hapim për Shqipërinë, duke konceptuar një strategji fituese ndaj së keqes në pushtet, në kushtet kur jo vetëm pushtetet kushtetuese, po edhe pushteti i katërt, media, është e molepsur si s’ka më keq prej zullumit të Saliut. Shumë tribuna mediatike sot janë kthyer në degë të partisë në pushtet. Fahricupizmi është kthyer në shkollë mediatike me filiale të përhapura si kërpudhat nën shiun e parasë që shpenzon pushteti i vjedhur, për të shpërfytyruar imazhin e opozitës. Shpiken pafundësi titujsh, lajmesh, editorialesh e kronikash për të kënaqur epshin thuajse shtazarak të pushtetit për asgjësimin virtual të opozitës.

Le të biem në një mendje që në kushtet e kësaj lirie të shthurur që i lejojnë vetes kundërshtarët tanë, të mos i lejojmë vetes abuzimin e tyre në kurriz të opozitës e të Partisë Socialiste me lirinë tonë për t’u shprehur.

8 maji tregoi se, kudo ku fituam kishte një skuadër fituese, dhe provoi se nuk ka vend në Shqipëri, nga Tropoja në Konispol, ku ne nuk fitojmë dot po patëm në krye të detyrës një skuadër fituese.

Kjo që na pret përpara është padyshim faza e ndërtimit të një skuadre të madhe fituese, nga çdo qendër votimi deri në kryesinë e Partisë Socialiste. Por më shumë se një proces organizativ, krijimi i skuadrës fituese të zgjedhjeve të ardhshme është një frymë skuadre, ku solidariteti është domosdoshmëri personale më shumë sesa altruizëm:

Ku disiplina është normë morale, përpara sesa rregull i shkruar;

Ku suksesi është vetjak pikërisht sepse është i përbashkët.

Ne do të organizohemi si asnjëherë më parë, jo vetëm për të komunikuar me shqiptarët idetë dhe arsyet e qëndrimeve tona, po për të ndërtuar aleancat e domosdoshme për fitoren, duke u provuar të gjithëve atyre që duan ndryshimin se ne jemi partia e tyre.

Për t’ i fituar bindshëm zgjedhjet e ardhshme dhe nxjerrë Shqipërinë nga kriza, ne nuk na duhen aleanca me politikën e vjetër, po aleanca të reja me çdo grup interesi e me çdo qytetarë që ka nevojë të bëhet pjesë e një historie të re për veten, komunitetin, vendin e përbashkët. Krijimit të këtyre aleancave duhet t’i shërbejë jo vetëm programi ynë i ri, po edhe reforma jonë organizative.

Ne jemi një parti e madhe shqiptare për Europën, duhet t’ ua provojmë të gjithë se jemi partia e madhe evropiane e shqiptarëve.

Ne jemi ndryshe dhe kërkojmë të qeverisim Shqipërinë për arsye krejt të ndryshme nga ato të Saliut e të pushtetit të tij të vjedhur për të vjedhur Shqipërinë. Por sot jemi të sfiduar që ta tregojmë këtë përditë, edhe për qytetarët e këtij vendi edhe për miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë.

Dua të nënvizoj se zgjedhjet e 8 majit na krijojnë mundësinë ideale për ta çuar me sukses përpara betejën tonë, sepse ne fitoren e tyre, po edhe në gjithësa ndodhi pas fitores së ngushtë në Tiranë, ka shumë për të lexuar , kuptuar, konkluduar.

Për ta shfrytëzuar këtë mundësi më së miri, paralelisht me analizën, do të angazhojmë dy grupe pune të Asamblesë kombëtare, të cilat jo thjesht do hartojnë programin e ri politik të partisë apo projektin e reformës organizative të partisë, po përsëpari do konceptojnë një proces. Ku do të përfshihen edhe të tjerët, sipas natyrës së problemeve të identifikuara bashkarish, të cilat do shtrohen për diskutim e zgjidhje, qoftë për një Shqipëri të re, qoftë për një Parti Socialiste që mbetet gjithnjë e re për të qenë në lartësinë e kohës që kalon.

Një kantier i tërë pune për të përgatitur fitoren e ardhshme pret kontributin e të gjithëve ne dhe duhet të mirëpresë kontributin e çdokujt që dëshiron t’i ofrojë gatishmërinë Partisë Socialiste.

Por ndërkohë le të mos humbasim për asnjë çast fokusin tonë nga beteja për Tiranën, e cila për sa kohë mbetet e hapur përbën edhe një detyrim prioritar ndaj gjithë popullit opozitar.

Shpërqendrimi i vëmendjes së opinionit publik nga plaga e hapur e kanibalizmit elektoral të 8 majit në Tiranë, është dukshëm një qëllim e shpallur në të gjitha pasqyrat mediatike të Saliut.

Përpjekja e dëshpëruar për të përmbysur perceptimin e publikut për humbjen e tij të bujshme në 8 maj nga Laçi në Sarandë, nga Durrësi në Elbasan e Korçë, nga Lekbibaj e Belipoja deri në Kavajë e në Konispol, duke kërkuar të marrë me përdhunë Tiranën e njëkohësisht duke rrëfyer përmes frrokballinjëve të vjetër e të rinj historinë e paqenë të një opozite në krizë, vazhdon ethshëm, çdo ditë.

Le të tregohemi të gjithë bujarë me mbështetësit e jashtëzakonshëm opozitarë të Partisë Socialiste, duke e ruajtur fitoren e votës së çmuar që na e dhanë me plot besim.

S’ ka arsye e as llogari të biem pre e ngutjes për t’i thënë të gjitha ç’duhet e ç’do bëjmë, menjëherë, duke harruar skuadrën dhe shpirtin e skuadrës. Të cilin duhet ta ngremë në lartësinë e sfidës së madhe që kemi përpara, nën dritën e shembujve të shkëlqyer të gjerdanit të fitoreve të 8 majit dhe në gjurmët e analizuara të mangësive që duhet me patjetër të ndreqim.

Koha e Saliut ikën çdo minutë, koha e Shqipërisë së çliruar prej kthetrave të pushtetit të tij afron përditë e më shpejt. Por koha është një pasuri që një parti e madhe sie jona s’ mund ta shpërdorojë duke ngatërruar hapat drejt fitores dhe fushën e betejës së radhës.

Në këto momente fusha është përballjen e drejtësisë me faktet e provat e pakontestueshme të një vjedhjeje, që as s’ duhet të ligjërohet dhe të një fitoreje që duhet mbrojtur me të gjithë forcën tonë morale, politike e organizative.

Në emër të popullit Sovran të kryeqytetit, të të gjithë shqiptarëve që duan të votojnë lirisht e të vendosin vetë, me votë, për vendin e tyre, dhe të vetë Shqipërisë Europiane.

* Fjala e kryetarit të PS, mbajtur në Asamblenë Kombëtare të PS

KOMENTE