English

PS, Klosi: Beteja jonë jo vetëm për mandatin e Edi Ramës

Tiranë, 2 korrik 2011, NOA – Pas katër orësh mbledhje me dyer të mbyllura, Asamblea Kombëtare e Partisë Socialiste vendosi të thërrasë Kongresin e PS-së në 15 nëntor.

një deklaratë për shtyp pas mbylljes së asamblesë, sekretari organizativ i socialistëve Blendi Klosi deklaroi se asamblea nuk ka një vendimmarrje për bojkotin e parlamentit nga opozita, duke nënvizuar se PS do të marrë vendim për këtë çështje vetëm pas përmbylljes së procesit zgjedhor në Tiranë, që nënkupton pas vendimit që pritet të marrë të mërkurën në 6 korrik, Kolegji Zgjedhor.

Gjithsesi këtij sesioni parlamentar i kanë mbetur afro katër javë nga përmbyllja e tij, për shkak të pushimeve verore.

Andaj ashtu siç paralajmëroi më herët Kryetari i PS-së, Edi Rama socialistët pritet t’i rikthehen kuvendit në sezonin parlamentar të vjeshtës.

Më tej, sekretari i PS-së Klosi deklaroi se beteja juridike në Tiranë nuk bëhet vetëm për mandatin e kryetarit të bashkisë, por është një betejë politike.

Referuar fitores në zgjedhjet e 8 majit, sipas Klosit, asamblea e PS-së doli në përfundimin se “Partia Socialiste dëshmoi se është e aftë të fitojë çdo kilometër katror të këtij vendi”.

E duke folur për zhvillimin e strukturave të PS-së, Klosi lajmëroi se “deri në 1 shtator PS do të vazhdojë analizën politike në çdo strukturë dhe se për këtë do të ngrihen dy grupe pune, që do të përgatisin ndryshimet strukturore të PS-së dhe grupin që do të miratojë programin e ri të Partisë Socialiste e nisjen e fushatës zgjedhore brenda partisë”.

Nga 15 shtatori deri në 15 nëntor, kur thirret Partia Socialiste duhet të ketë zgjedhur delegatët e rinj dhe disa prej drejtuesve vendorë.

Më herët gjatë punimeve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, kryetari Edi Rama deklaroi se deputetët socialistë do të rikthehen në vjeshtë në parlament për të ndërmarrë nisma të rëndësishme ligjore.

Rama argumentoi se “Bojkoti parlamentar e ka kryer funksionin e vet”.

Ai sakaq i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor të mos varrosë drejtësinë me dhunën e pushtetit ndaj votës së sovranit.

Sipas Ramës, PS është e gatshme të rikthehet para qytetarëve të Tiranës për një rivotim në kryeqytet.

mit/NOA

KOMENTE