English

Bashkimi i kombit nuk bëhet me UNË po me NE

Rrahman Jasharaj

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” e kishte nisur misionin e saj për unifikimin dhe bashkimin e kombit tash e 11 vite. Me mund e sakrifica e falë përkrahjes modeste të individëve dhe mikpritjes me BUKË, KRIPË e ZEMËR të institucioneve komunale të Deçanit, Istogut, Prizrenit e herë- herë e sipas tekave edhe të Pejës kishim arritur t’i bëjmë bashkë në një valle, këngë e në një valle veprimtarë e artistë nga Shkodra, Malësia e Madhe, Dacajt, Kosova Lindore e nga qytete të Kosovës

Ishim kthyer kështu në një bazë të mirë të kultivimit të ndjenjës së shëndosh për unifikim e bashkim mes shqiptarëve. Vazhdimisht na vinin e po na arrijnë mesazhe respekti e lëvdatash për këto angazhime dhe madje disa na kanë ngritur edhe në rangun e atdhetarëve të përkushtuar, por, duket, kjo bëhet vetëm teorikisht dhe vetëm nga emocionet e momentit kur shohin se sa madhështore janë aktivitetet e organizuara me mund nga veprimtarët e Shoqatës sonë. Mirëpo, sapo kalojnë këto aktivitetet harrohen mesazhet dhe fjalët e mëdha dhe Shoqata bashkë me gjithë angazhimet e mëdha të veprimtarëve të saj kalojnë disi në harresë dhe kur është punë për t’i ftuar në takime të të tjerëve me elemente kombëtare e për t’i ulur në vendin e merituar e për t’ua dhënë fjalën përshëndetëse, bile, për një minutë, harrohen mesazhet e fjalët plor respekt që u janë drejtuar Shoqatës dhe veprimtarëve të saj.

Shoqata jonë kudo ishte dhe kudo u prezantua ngriti lart zërin përmes diskutimeve, angazhimeve dhe programeve artistike për bashkimin e kombit dhe ishte e mbetet zë i Malësisë e për Malësinë. Ajo ka ftuar e do të ftojë në manifestimet e saj edhe Çamërinë, edhe Shkodrën, edhe Tiranën, edhe Kosovën Lindore, edhe Hotin, Grudën, Triehsin, Kojën, Dacajt, qytetet e Kosovës e çdo kënd e cep të trojeve etnike. I fton sepse Shoqata “Martin Dreshaj” nuk është nisur drejt unifikimit e bashkimit të kombit me fjalën UNË, si po veprojnë e nisen disa të tjerë dje, sot e gjithë ditën. Bindja dhe mesazhi ynë është dhe mbetet se ky ideal sublim arrihet kur nisemi me përemrin vetor NE. Pra, në përpjekjet e takimet kur përmendet angazhimi për bashkimin e unifikimin e kombit e ka vendin e merituar edhe Shoqata “Martin Dreshaj” dhe gjithë të tjerët që janë dëshmuar me angazhime për këtë ideal e jo me fjalë e llafe të kota e sa për opinionin. Për gjithë këto vite Shoqata jonë u bë shembull i përpjekjeve të bashkimin e kombit dhe zë i Malësisë duke mbajtur edhe protesta e bllokime rrugësh me qëllim të sensibilizimit të opinionit kombëtar e ndërkombëtar për gjendjen shumë të vështirë të vëllezërve tonë në Malësi. I shkruam shumë letra edhe kryeministrit të Shqipërisë, atij të Kosovës dhe institucioneve, Shoqatave e mediave dhe gjithmonë me qëllimin që edhe ata të ngritin zërin në mbrojtjen të drejtave elementare të malësorëve.

Ne e meritojmë të ftohemi në takime që kanë frymë bashkimin e kombit. E meritojmë dhe do të shkojmë kur na thirrin ashtu si e meritojmë e bazuar në aktivitetet tona atdhetare, por kurrë nuk do të shkojmë të askush që nis angazhimet me përemrin vetor UNË, po me atë NE. Për të arritur idealin sublim të unifikimit e bashkimit të kombit duhet punë e angazhim i përditshëm e i përbashkët e jo rrahje gjoksesh e bajraktarizma. Një vëlla yni nga Deçani, luftëtari i lirisë dhe veprimtari, Avdyl Mushkolaj, na e tha një ditë bukur: “Unë i respektoj ata që për idealet e larta nuk punojnë me pauza, por gjatë gjithë jetës”. Kjo këshillë është moto e angazhimeve të Shoqatës sonë dhe do të vazhdojmë kështu pavarësisht “harresës” së disave për t’na ftuar e për të na dhënë notën e merituar.

* Zëdhënës dhe koordinator i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”

KOMENTE