English

Minatorët e Bulqizës kërcënojnë me grevë urie

Bulqizë, 4 korrik 201, NOA – Afro 700 minatorë të Bulqizës nisën sot në mëngjes një grevë pa afat. Të hedhur në protesta prej vitesh edhe për qëllime të partive politike, këtë herë minatorët po protestojnë ndaj Kompanisë Koncesionare ACR.

Minatorët kërkojnë kushte më të mira pune, duke e argumentuar me faktin se kompania ACR nuk ka plotësuar investimet e premtuara që në vitin 2008, premtime të deklaruara pas një greve urie 17 ditore të minatorëve të Bulqizës.

Gjithashtu minatorët e Bulqizës kërkojnë rritjen me 20 përqind të pagës, përcaktimin e një date për hapjen e pusit të thellësisë, që do të gjallonte hapjen e fronteve të reja të punës.

Minatorët deklarojnë se në rast se nuk hapen fronte të reja pune, brenda vitit 650 minatorë të kësaj kompanie pritet të dalin në rrugë.

Ata kërcënojnë se do të hidhen në grevë urie në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre jetike.

Administratori i minierës së Bulqizës e konsideroi të paligjshme grevën, ndërkohë që shprehu gatishmërinë për të dialoguar me minatorët për plotësimin e disa prej kërkesave.

Vendimi për nisjen e grevës së minatorëve të Bulqizës u mor nga Këshilli i Sindikatës së minatorëve të minierës së kromit në Bulqizë.

mit/NOA

KOMENTE