English

Diferenca jonë me një shoqëri të lirë

Sistemi bankar në Shqipëri po plasaritet nga kreditë e këqija dhe rënia e fuqisë paguese të bizneseve që janë superkredituar artificialisht, qeveria po fut duart në paratë e shqiptarëve duke marrë borxh tek bankat e nivelit të dytë për shpenzimet e veta, dhe në kulmin e këtij makthi financuar, Guvernatori i Bankës Qendrore cakton miliona lek shpërblim për vartësit dhe veten si “merita të veçanta”. Pas kësaj atë e gjen në çdo restorant të mundshëm të Tiranës apo bregdetit duke ngrënë e pirë në darka pa fund, dhe askush nuk reagon

Nga Mero Baze

Një qytetar i revoltuar grek ka bërë diçka që bën diferencën mes një shoqërie aktive dhe një shoqërie apatike. Sipas medies greke, një i ri 35 vjeçar, pasi ka parë zëvendëskryeministrin Pangallos të drekojë afër tij, është ngritur dhe me edukatë, pa bërë shumë zhurmë, i ka marrë pjatën e peshkut që ai po bëhej gati të hante. Protesta kishte të bënte me faktin se Pangallos ka tentuar me fjalorin e tij populist të justifikojë krizën e financave greke si përgjegjësi e gjithë shoqërisë. Gjesti i të riut grek ishte spontan dhe shumë dinjitoz, pasi ai nuk ka pasur kohë as të konsultohet për atë aksion politik dhe as të frenohet nga prania e një pushtetari në restorantin e tij. Kjo në të vërtetë rrezaton fuqinë e një shoqërie të lirë dhe të aktive për të drejtat e saj. Zëvendëskryeministri Pangallos është një figurë popullore në Greqi, i cili njihet më shumë për gjuhën e drejtpërdrejtë dhe popullore se sa për idetë e qeverisjes, dhe fakti që atij i është dashur të përplaset me pasojat e fjalëve të veta, është shumë domethënës. Në një farë mënyre është një standard që shoqëritë e lira dhe aktive ja vendosin vetes për të mos i poshtëruar askush.

Në Shqipëri, ku pasojat e keqqeverisjes janë traumatike dhe ku klasa politike po konsolidon traditën e mosndëshkueshmërisë nga ligji dhe nga shoqëria, një gjest i tillë as që përfytyrohet. Kryeministri ynë del çdo ditë dhe si për të terrorizuar qytetarët e varfër dhe ata që nuk dinë si do ta mbyllin muajin me lek, u thotë se ata kanë rritjen më të madhe të pensioneve në Evropë. Këtë u thotë pensionistëve që e kanë pensionin 8 mijë lek dhe do tu bëhet 8.100 lek, me të cilat edhe bukë thatë nuk blejnë dot gjithë muajin. Ai e bën i sigurt se askush nuk e fyen për fyerjen që u bën shqiptarëve.

Sistemi bankar në Shqipëri po plasaritet nga kreditë e këqija dhe rënia e fuqisë paguese të bizneseve që janë superkredituar artificialisht, qeveria po fut duart në paratë e shqiptarëve duke marrë borxh tek bankat e nivelit të dytë për shpenzimet e veta, dhe në kulmin e këtij makthi financuar, Guvernatori i Bankës Qendrore cakton miliona lek shpërblim për vartësit dhe veten si “merita të veçanta”. Pas kësaj atë e gjen në çdo restorant të mundshëm të Tiranës apo bregdetit duke ngrënë e pirë në darka pa fund, dhe askush nuk reagon.

Sistemi ynë i drejtësisë po shkon drejt fatalitetit të mos ndëshkimit të qeveritarëve. Dje Ilir Meta bëri një letër banale drejtuar Gjykatës së Lartë që të mos e mbyllin çështjen e gjykimit të tij për shkak të procedurës, siç e kanë kërkuar avokatët e tij. Kjo ngjan pak a shumë me “revoltën” e Fatmir Mediut kur Gjykata e Lartë mbylli gjykimin e tij për shkak të imunitetit. Edhe ai bëri një deklaratë për shtyp kundër Gjykatës në atë rast, por imunitetin nuk e la dhe është i pagjykuar. Një qytetar fatzi që ishte plagosur nga masakra e Gërdecit e ripaditi duke i kërkuar 42 mijë euro, por fare papritur u tërhoq dhe nuk u paraqit në gjyq. Ndryshe nga qytetari grek, ai nuk bëri betejë kundër zyrtarit, por pranoi të shesë mjerimin e tij.

Pak ditë më parë përmenda revoltën e vëllait të Edison Durdës, katërvjeçarit të vrarë në Gërdec që shikon të shëtisin në plazhe Shkëlzeni, Delijorgji dhe pronarët e tjerë të ‘fabrikës së vdekjes’ dhe ai s’ka fuqi as të shkojë në të njëjtat plazhe me ata.

Më tej akoma më kujtohet i biri i Faik Myrtajt, i cili i futur në depresion pas vrasjes së të atit, vrau veten i pafuqishëm të ndëshkonte ata që ia kishin vrarë, Sali Berisha me Lulëzim Bashën.

Ky zinxhir shembujsh shkon më tej me gjithë viktimat e 21 janarit, me Anën e përlotur, vajzën e Ziver Veizit, e cila jo vetëm nuk ka fuqi të kërkojë drejtësi dhe shpagim për babin, por lufta e klasave që ka mbjellë Sali Berisha e terrorizon dhe aty ku është në shtëpinë e saj të varfër në Libofshë dhe në shkollën e saj të fshatit. Xhaxhai i Aleks Nikës, Mark Nika, është bërë po ashtu një emër i njohur për shqiptarët nga kufijtë e padurimit që ka arritur zvarritja dhe sabotimi i hetimeve për vrasjen e nipit të tij. Raste të tjera të pafundme tregojnë se shoqëria shqiptare ka hyrë në një apati të thellë dhe duket se është mundur nga kultura e mosndëshkimit. Sistemi gjyqësor dhe imuniteti politik kanë nënshtruar shqiptarët dhe i kanë kthyer ata në skllevër të poshtëruar të dhunës verbale, fizike, financiare dhe politike që pushteti ushtron mbi ta.

E di që ka plot njerëz që janë gati të thonë e ka fajin opozita dhe për këtë çështje. Ka dhe ajo fajet e veta, ka dha jo firot dhe defektet e veta, ka dhe ajo kuislingët e vet. Por diferenca mes një shoqërie të lirë dhe një shoqërie të poshtëruar, është pikërisht tek gjesti spontan i një qytetari si ai që i hoqi nga duart pjatën zëvendëskryeministrit dhe një qytetari shqiptar që shikon me zili dhe larg qoftë me adhurim këta që na vrasin dhe na vjedhin duke u bërë milionerë dhe duke u ngjitur lart mbi qeniet e poshtëruara të shoqërisë shqiptare. Nuk kam fuqi të fajësoj njerëzit për këtë pranim të së keqes, por kam të drejtë të them që po e pranojmë të keqen të na poshtërojë. Është mirë të fillojmë ta pranojmë se po na poshtërojnë, para se të na duket poshtërimi një detyrë e jona përballë pushtetit.

* Pikëpamjet dhe faktet e pretenduara në shkrim, janë qëndrim dhe përgjegjësi ekskluzive e autorit

KOMENTE