English

Imami: Shqipëria do të ketë Flotë Ajrore që do të përballojë çdo emergjencë

Tiranë, 5 korrik 2011, NOA- Në mbledhjen e ditës së sotme Komisioni i Sigurisë Kombëtare miratoi ndryshimet në kontratën e lidhur midis Ministrisë së Mbrojtjes dhe shoqërisë “EUROCOPTER”.

Gjatë referimit të bërë ditën e sotme në këtë komision, Ministri i Mbrojtjes Arben Imami deklaroi se në vitin 2014, Shqipëria do të ketë një Flotë Ajrore të modernizuar, që do të përballojë me sukses Emergjencat Civile.

Më tej Imami tha se, “Ministria e Mbrojtjes duke analizuar ecurinë e zbatimit të kontratës dhe ngarkesës që ajo jep në buxhetin e shtetit, doli në përfundimin se kontratat do të ishte e vështirë të realizohej sipas fazave të përcaktuara në kushtet fillestare. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes, i propozoi kompanisë “EUROCOPTER” disa ndryshime në kontratë, ndryshime të cilat nuk prekin vlerën e përgjithshme të kontratës dhe as cilësinë e konfigurimit të helikopterëve. Nisur nga fakti që kontrata nuk hyri në fuqi në kohën kur ishte parashikuar, por rreth 5 muaj me vonesë, u realizua shtyrja e kohës së mbërritjes së helikopterit të parë nga viti 2011 që ishte planifikuar, në vitin 2012”.

Sipas ministrit Imami, në negocimet që janë bërë gjatë këtij viti me kompaninë “EUROCOPTER”, është diskutuar edhe për blerjen e një helikopteri ‘VIP’. Të dyja këto kontrata janë negociuar si një paketë e vetme.

Interesit të anëtarëve të komisionit, nëse këta helikopterë do të përballojnë situata të ndryshme të emergjencave civile dhe nëse do të përmbushnin misionin që kanë sot Forcat e Armatosura, si një vend anëtarë i NATO-s, ministri Imami u shpreh: “Blerja e këtyre helikopterëve rrit ndjeshëm kapacitetet e FA-së dhe kjo është e qartë. Ne nisemi nga standardet buxhetore që ka vendi ynë, por në vitin 2014, Shqipëria do të ketë një Flotë Ajrore, e cila do të përballonte pa ndihmën e vendeve mike, një emergjencë civile si ajo e muajit janar apo e muajit dhjetor 2010 në qytetin e Shkodrës. Me këtë flotë që ne po krijojmë, mendoj se do t’i përballojmë emergjencat civile në vend, por askush nuk mund të flasë për një emergjencë hipotetike. Mundësitë tona buxhetore janë për të blerë 5 helikopterë dhe sigurisht me këto kapacitete, si dhe me profesionalizmin dhe me ndjenjën e sakrificës që kanë ushtarakët e Forcave tona të Armatosura, unë mendoj se do të përballohet me sukses çdo emergjencë”, nënvizoi ministri Imami.

Në vitin 2009, Ministria e Mbrojtjes lidhi një kontratë me shoqërinë “EUROCOPTER”, për blerjen e një pakete me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh, të tipit COUGAR AS532 AL, të versionit ushtarak të familjes së helikopterëve Super Puma.

Ndryshimet që janë kërkuar në këtë p/ligj kanë të bëjnë me:

- Zgjatjen e kohës së realizimit të kontratës, nga viti 2013 deri në vitin 2014

- Furnizimin me helikopterë të shtrirë në tre vite buxhetore. Në vitin 2012 do të furnizohen 2 (dy) helikopterë; në vitin 2013 do të furnizohen 2 (dy) helikopterë dhe në vitin 2014 do të furnizohet 1 (një) helikopter.

- Saktësimin e një ndryshimi teknik në konfirgumin e helikopterit, i cili rezulton kapacitet i shtuar pa kosto shtesë.

Ndryshimet në projektligjin “Për miratimin e kontratës së lidhur, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “EUROCOPTER”, për furnizimin me 5 helikopterë të mesëm shumërolësh”, u miratua unanimisht nga anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare paraditen e sotme.

a.y/NOA

KOMENTE