English

Minatorët e Bulqizës në ditën e dytë të grevës

Bulqizë, 5 korrik 2011, NOA – Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e dytë të grevës për plotësimin e kërkesave jetike nga ana e Kompanisë Koncesionare ACR.

Afro 700 minatorët e Bulqizës janë përkrahur nga metalurgët e Burrelit dhe ata të Elbasanit, që janë nisur mëngjesin e sotëm drejt mjediseve të Kompanisë ACR, ku janë tubuar minatorët.

Ata po protestojnë ndaj Kompanisë Koncesionare austriake ACR, pasi kjo e fundit nuk ka mbajtur premtimet për përmirësimin e kushteve të punës.

Minatorët e Bulqizës që rrezikojnë dita ditës jetën në minierë, kërkojnë së pari përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e pagave me 20 përqind, heqjen e taksës së dyfishtë, uljen e moshës së pensionit, përcaktimin e një date për hapjen e pusit të thellësisë, që do të hapte fronte të reja pune.

700 minatorët kërcënojnë se do të hidhen në grevë urie në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre jetike.

Ata rikujtuan se kompania ACR nuk ka plotësuar investimet e premtuara që në vitin 2008, pas një greve urie 17 ditore të minatorëve të Bulqizës.

Sipas tyre në rast se nuk hapen fronte të reja pune, brenda vitit, 650 minatorë të kësaj kompanie pritet të dalin në rrugë.

Minatorët kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë për zgjidhjen e situatës, por ende nuk ka asnjë prononcim për çështjen.

Dje, administratori i minierës së Bulqizë e konsideroi të paligjshme grevën.

mit/NOA

KOMENTE