English

Takimi i katër presidentëve të rajonit, masa sigurie në Ohër

Ohër, 11 korrik 2011, NOA - Për shkak të sigurisë së qarkullimit të katër delegacioneve presidenciale të rajonit dhe autoveturave që do t’i shoqërojnë, në disa drejtime të akseve rrugore në Ohër, do të kufizohet përkohësisht lëvizja e mjeteve.

Ministria e Brendshme ka ndërmarrë masa për lëvizjen dhe qarkullimin e delegacioneve për takimin e planifikuar mes presidentëve të Maqedonisë Gjorgje Ivanov, të Shqipërisë Bamir Topi, të Kosovës Atifete Jahjaga dhe të Malit të Zi Filip Vujanoviç, takim që do të realizohet në Ohër.

Masat e policisë në Ohër, në rend të parë janë ndërmarrë në drejtim të sigurisë fizike të objekteve dhe hapësirës gjatë vizitës së presidentëve dhe delegacioneve që i shoqërojnë dhe do të jenë në funksion të lëvizjeve të papenguara gjatë takimit, i cili do të organizohet nën patronazhin e presidentit maqedonas.

Për shkak të sigurisë së qarkullimit të delegacionit dhe autoveturave që do të shoqërohen, në disa drejtime të akseve rrugore, përkohësisht do të kufizohet lëvizja e mjeteve, duke bërë rregullimin fizik të trafikut nga ana e policisë rrugore-bëjnë te ditur nga SPB-ja në Ohër.

SPB-ja në Ohër, ka intensifikuar masat e sigurisë në komunikacion, duke njoftuar edhe me shkrim pronarët e veturave të parkuara në bulevardin “Turistiçka” si dhe në pjesën e vjetër të qytetit, me rastin e shëtitjes dhe vizitës së monumenteve kulturore në pjesën e vjetër të qytetit, që do ti bëjnë presidentët.

Gjatë vizitës së monumenteve kulturore-historike, në disa pjesë të qytetit, disa akse dhe rrugë tjera, nuk do të lejohet ndalimi apo parkimi i veturave dhe do të ngrihen me anë të kaçubetit veturat që do të konsiderohen si gabimisht të parkuara.

Nga ana e policisë, do të zbatohen edhe masat e tjera ligjore, si pjesë e masave të sigurisë të SPB-së në Ohër.

Njëherësh SPB në Ohër, i bën apel qytetarëve që pos rastesh të patjetërsueshme, të mos përdorin autoveturat e tyre gjatë kohës kur do të mbahet takimi rajonal i presidentëve.

Sipas informacioneve, presidentët pritet të hyjnë në Ohër gjatë orëve të pasdites së sotme.

Presidenti Filip Vujanoviç do të mbërrijë me aeroplan në aeroportin e Ohrit, ndërsa presidentja Atifete Jahjaga, pritet që të kalojë në orët e mbrëmjes përtej pikës kufitare të Hanit të Elezit kurse presidenti Shqiptar, Bamir Topi, do të hyjë përmes pikës kufitare të Qafë e Thanës.

INA/NOA

KOMENTE