English

Politika, Topi: Në vjeshtë, fazë e re e dialogut mes palëve

Ohër, 12 korrik 2011 NOA - Kreu i shtetit Bamir Topi shpreh besimin se me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të fillojë edhe dialogu politik mes palëve në Shqipëri. Në një takim me presidentin maqedonas Gjorgje Ivanov, Topi duke iu referuar situatës politike në Shqipëri theksoi se dialogu politik do t`i shërbej të ardhmes integruese të vendit.

Sipas tij, me nisjen e sesionit të ri parlamentar do të nisë edhe bashkëpunimi mes palëve për të bërë të mundur ndryshimet në legjislacionin zgjedhor, por edhe në miratimin e ligjeve mjaft të rëndësishme për integrimin në Bashkimin Evropian. Duke shprehur vlerësimin e veçantë për organizimin e këtij takimi Kryetari i Shtetit shqiptar vuri në pah bashkëpunimin shumë të mirë me palën maqedonase, në kuadër të angazhimit në nisma të përbashkëta për zhvillimin e rajonit dhe realizimit të apiratave integruese. "Nevojitet një thellim i këtij bashkëpunimi, duke i dhënë një prioritet të vecantë bashkëpunimit ekonomik", theksoi Topi ndërsa shtoi se Shqipëria mbështet plotësisht integrimin e Maqedonisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Duke përshëndetur ecurinë e Maqedonisë në rrugën e integrimit, Presidenti Topi ka vlerësuar edhe rolin e faktorit shqiptar në vend, i cili siç nxitet edhe nga Shqipëria, është një element stabiliteti, bashkëpunimi dhe kohezioni të brendshëm.

Nga ana e tij Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov ka vlerësuar këtë iniciativë takimesh mes Presidentëve, të iniciuar nga Presidenti Topi, duke u shprehur se ajo që filloi në Vlorë si një proces, tani është një detyrim i cili duhet çuar përpara. Nëse ekziston dialog, bashkëpunim mes Presidentëve, kjo përcillet edhe në nivelet e tjera të dy vendeve, nënvizoi Presidenti Ivanov.

Marrëdhëniet e mira dhe takime të tilla, japin mesazhe positive për bashkëpunimin shumë të mirë fqinjësor e ardhmërinë e rajonit tonë, vunë në dukje të dy Presidentët.

a.q/NOA

KOMENTE