English

Regjistrimi në bazë feje dhe etnie, përbërja e Malit të Zi me 4.91% shqiptarë

Podgoricë, 12 korrik, NOA - Zyra Statistikore e Malit të Zi, ka publikuar rezultatet përfundimtare të regjistrimit të popullatës, i cili u zhvillua gjatë periudhës së datave 01-15 prill 2011. Raporti i cilësuar "Popullsia e Malit të Zi sipas gjinisë, etnisë, fesë dhe gjuhës amtare”, përmban të dhënat më të fundit sipas këtyre kategorive për gjithë komunat e Malit të Zi.

Kështu, sipas rezultateve të regjistrimit të ekonomive familjare, popullsisë dhe banesave në vitin 2011, në Mal të Zi rezultojnë të jenë në total 620.029 banorë; 50.61% janë femra dhe 49.39% janë burra.

Numri më i madh i banorëve gjendet në kryeqytetin Podgoricë, përkatësisht 185.937, që përfaqëson 30% për qind të popullsisë së Malit të Zi.

Pas saj, renditet Nikshiç dhe Bijelo Polje.

Në këto tri komuna është rreth 50% e popullsisë së përgjithshme të Malit të Zi.

Ndërsa komunat me numër më pak të popullsisë janë ato në Savnik 2.070; në Pluzine 3.246 dhe Zabljak 3.569.

Etnitë, shqiptarët 4.91%

Sipas të dhënave të kategorisë së kombësisë, nivelit aktual të pakicave dhe etnive në Malin e Zi, raporti përfundimtar i regjistrimit të popullatës konfirmon se 44.9 për qind të banorëve të këtij vendi fqinj me Shqipërinë, e deklaruan veten si malazezë.

Ndërsa 28.77 e qytetarëve të Malit të Zi, thanë se ishin serbë. Në të njëjtën kohë, 36.97 për qind e banorëve - tha se ata flisnin gjuhën e Malit të Zi, ndërkohë që 43.88 për qind fliste serbisht.

Përveç malazezëve dhe serbëve, etnitë e tjera përfshijnë shqiptarët (4.91 për qind), boshnjakët (8.65 për qind), muslimanët (3.31 për qind), romët (1.01 për qind) dhe kroatët (0.92 për qind).

Kurse 4.87 për qind e qytetarëve të Malit të Zi të cilët morën pjesë në regjistrim, nuk pranoi të deklarojë përkatësinë e tyre etnike.

Në fund, rezultoi se popullsia ishte rritur me rreth 5.000 njerëz që nga regjistrimi i fundit i kryer në vitin 2003.

Shpërndarja e shqiptarëve

Statistikat konkrete të shpërndarjes së popullsisë në Malin e Zi tregojnë se shqiptarët më të shumtë janë të vendosur në qytetin e Ulqinit, me një shifër prej 70.66 për qind të popullsisë totale të këtij qyteti. Ndërsa qyteti i dytë ku janë vendosur më shumë shqiptarë në Malin e Zi, është Plava me shifrën prej 18.88 për qind. Pas tyre, në listë renditet qyteti i Barit, me një prani të tyre në nivelin prej 5.98 për qind të banorëve në total. Pasuar nga kryeqyteti Podgorica, ku shqiptarët zënë 5.13 për qind të popullatës.

Prania shqiptare në Malin e Zi

Ulqini 70.66% shqiptarë

Plava 18.88% shqiptarë

Bari 5.98% shqiptarë

Pogdorica 5.13% shqiptarë

Rozaja 5.04% shqiptarë

n.e/NOA

KOMENTE