English

Ministri Imami dekoron atasheun Ushtarak Italian

Tiranë, 13 korrik 2011, NOA- Ministri i Mbrojtjes Arben Imami gjatë ditës së sotme në një ceremoni të organizuar në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes ka dekoruar atasheun italian Luigi Maruçi me medaljen “Për shërbime të Shquara”, pas përfundimit të detyrës në vendin tonë.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ministri Imami tha se ky çmim jepet për kontributin e dhënë nëpërmjet punës së tij si Atashe Ushtarak në drejtim të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes, midis Shqipërisë dhe Italisë.

Në vijim, ministri Imami vlerësoi maksimalisht kontributin që kolonel Maruçi ka dhënë në rrugën e gjatë që Forcat e Armatosura Shqiptare kanë përshkuar që nga koha e tranzicionit e deri në përmbushjen e kritereve të kërkuara në anëtarësimin e Shqipërisë më të drejtat të plota në strukturat e NATO-s.

“Marrëdhëniet tona padyshim që janë të shkëlqyera me Italinë, e kemi çmuar e çmojmë dhe jemi mirënjohës për të gjithë mbështetjen që Republika e Italisë dhe Ministria e Mbrojtjes, ka dhënë për anëtarësimin e këtij vendi në Aleancën e Atlantikut të Veriut, që padyshim një vend të veçantë ka edhe Atasheu Ushtarak i Italisë, kolonel Luigi Maruçi”, u shpreh Imami.

Nga ana e tij kolonel Mariuçi u shpreh se: “Kujtoj me nostalgji shumë momente tragjike por edhe momente të bukura të cilat i kam përjetuar në vendin tuaj, ku do doja të veçoja rastin e Gërdecit apo anëtarësimin e vendit tuaj në prill të 2009-ës në NATO. Pavarësisht të gjithave, tani mund të them me bindje se Shqipëria për mua është vendi i dytë për nga rëndësia, pas vendit tim, Italisë. Uroj çdo të mirë për vendin tuaj, Shqipërinë”.

Kolonel Maruçi pas pak ditësh largohet nga vendi ynë, ndërsa në vend të tij në këtë detyrë, është emëruar Gjeneral Brigade Vito Dell’Edera.

a.y/NOA

KOMENTE