Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
SHBA-Rusi, marrëveshje të reja
English

SHBA-Rusi, marrëveshje të reja

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka finalizuar udhëtimin treditor në Uashington me arritjen e marrëveshjeve për birësim dhe viza, së bashku me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton. Ndërsa dy palët, para publikut, u përqendruan në pikat e bashkëpunimit, takimet private të Lavrovit me Klintonin dhe Obamën kishin në fokus çështjen e anëtarësimit të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë nënshkruar marrëveshje që reformojnë rregullat e birësimit dhe liberalizojnë regjimet e vizave.

Duke folur së bashku me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, i cili po qëndronte në një udhëtim treditor në kryeqytetin amerikan, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha se marrëveshjet e reja janë pjesë e përpjekjeve për të zhvilluar përparim në “rivendosjen e marrëdhënieve midis dy vendeve”.

“Ne, jo vetëm që jemi duke punuar në mënyrë dypalëshe, por edhe shumëpalëshe, për çështje shumë të rëndësishme. Sfida jonë tani është të vazhdojmë dhe të ruajmë vrullin, në mënyrë që të japim më shumë rezultate për dy popujt tanë”, tha Klinton e cituar sot nga radio Evropa e Lirë.

Udhëzimet e reja, të projektuara për të siguruar mirëqenien e fëmijëve, kërkojnë që rastet të përpunohen përmes agjencive të autorizuara nga Moska, derisa fëmija nuk birësohet nga ndonjë i afërm.

Dispozitat e forcuara gjithashtu u japin prindërve të ardhshëm më shumë informacione për historinë sociale dhe psikologjike të fëmijës dhe vëzhgojnë kushtet e jetesës së fëmijës, pasi të jetë birësuar.

Marrëveshja vjen në vazhdën e një serie rastesh të publikuara, në të cilat fëmijët rusë, të birësuar nga prindërit amerikanë, janë abuzuar dhe keqtrajtuar.

Marrëveshja e Uashingtonit dhe Moskës për liberalizimin e vizave parasheh viza trevjeçare me disa hyrje për biznesmenët dhe turistët, ndërsa zvogëlon edhe sasinë e dokumentacionit që kërkohet.

Klinton tha se marrëveshja paraqet bazat për tregti të zgjeruar dypalëshe, ndërsa Lavrov tha se ajo është një hap drejt eliminimit të mundshëm të vizave.

Ministri i Jashtëm rus tha se regjimi i ri i vizave do të hyjë në fuqi deri në fund të vitit.

Lavrov dhe Klinton po ashtu nënshkruan marrëveshje të zgjerimit të bashkëpunimit në hulumtimin e efekteve të ekspozimit të rrezatimit, si dhe në përmirësimin e koordinimit në kontrollin e trafikut ajror dhe në navigacion.

Diplomatët sollën gjithashtu në fuqi një marrëveshje për shkatërrimin e rezervave të mëdha të plutoniumit, të mjaftueshme për të krijuar rreth 17,000 armë bërthamore.

Lavrov shfrytëzoi udhëtimin në SHBA për të diskutuar edhe situatën në Libi, Siri dhe Iran me mikpritësit e tij.

Sa i përket programit bërthamor të Iranit, ai sugjeroi një qasje “hap pas hapi”, në bazë të së cilës Teherani do të shpërblehej me një lehtësim gradual të sanksioneve ndërkombëtare sa herë që ai u përgjigjet shqetësimeve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

“Ne propozojmë që për çdo shqetësim të ANEB-it - duke filluar nga çështjet më të lehta para se të vazhdohet me ato që mund të marrin më shumë kohë - secili hap i veçantë që merr Irani të pasohet nga ndonjë lëvizje reciproke, si ngrirja e disa sanksioneve apo shkurtimi i vëllimit të sanksioneve”, tha Lavrov.

Klinton nuk e komentoi propozimin duke thënë se Uashingtoni “është fokusuar në një udhë të dyfishtë të presionit dhe angazhimit me Iranin” dhe se është gati për të shqyrtuar strategji të reja me Moskën.

Përderisa Klinton dhe Lavrov para gazetarëve mbrojtën bashkëpunimin dypalësh, prapa dyerve të mbyllura bisedimet u përqendruan në një numër pengesash që nga disa thuhet se kërcënojnë të dridhin marrëdhëniet.

Rusia, ekonomia më e madhe jashtë Organizatës Botërore të Tregtisë, ka shprehur frustrimin në rritje me Shtetet e Bashkuara, për mos heqjen e pengesave për anëtarësim.

Lavrov tha se Obama u dakordua që çështja duhet të zgjidhet “shumë shpejt”.

“Gjatë takimit me presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, ne u dakorduam plotësisht për nevojën e mbylljes së çështjes së hapur, që ka të bëjë me qasjen e Rusisë në OBT. Ka disa mënyra për ta arritur këtë dhe, me sa kam kuptuar gjatë takimit, ka edhe vullnet për ta bërë këtë nga ana e lidershipit të Shteteve të Bashkuara. Tani, është çështje e ekspertëve, të cilët duhet ta përkthejnë këtë impuls politik në gjuhën e marrëveshjeve politike në letër”, tha Lavrov.

Zyrtarët tregtarë të Shteteve të Bashkuara thonë se Rusia duhet të zgjidhë çështjen e eksportit dhe të drejtat e pronës, para se Uashingtoni të hapë rrugën për hyrjen e Moskës.

Një gjemb më i madh në marrëdhëniet mes dy vendeve mbetet çështja e mbrojtjes raketore, të cilën Lavrov e përshkroi si “ngacmuese të vetme me rëndësi të konsiderueshme”.

“Ka pasur ngritje dhe ulje në marrëdhëniet tona. Ne jemi lart tani, por edhe fazat e larta nuk janë pa gunga. Po përmend njërën nga to që është mbrojtja raketore. Ne shpresojmë se mund ta kapërcejmë atë”, tha Lavrov.

Moska i konsideron planet e administratës Obama për vendosjen e mburojës raketore në Evropën Lindore si kërcënim për arsenalin e saj bërthamor. Por, Uashingtoni këmbëngul se sistemi i tillë ka për qëllim mbrojtjen nga kërcënimet e shteteve si Irani apo Koreja e Veriut.

Klinton u shpreh me një ton optimist lidhur me çështjen, duke thënë: Unë besoj se kemi mundësi për t’i trajtuar sfidat e përbashkëta.

Në një ndalesë të shkurtër te liritë civile në Rusi, Klinton riafirmoi mbështetjen e SHBA-së për protestuesit paqësorë atje, gazetarët dhe blogerët.

Shtëpia e Bardhë tha se Obama dhe Lavrov kanë diskutuar edhe “tragjedinë” e vdekjes në burg të avokatit që luftonte korrupsionin, Sergei Magnicki.

KOMENTE