English

Hyrja e Turqisë në BE, fundi i BE-së?

Nga Muhamer Pajaziti

Marrëdhëniet e Turqisë me Bashkimin Evropian datojnë që nga vitet e 60-ta, deri më sot janë nënshkruar shumë marrëveshje kontraktuale dhe politike, mirëpo fatkeqësisht asnjëherë nuk kanë arritur të përmbushen nga të dyja palët.

Edhe pse tani më kanë kaluar decenie të tëra nga dhënia e statusit kandidatë Turqisë, shpresat e këtij kombi për një integrim dhe bashkim me familjen evropiane tani më kanë humbur.

Këtë e tregon edhe sondazhi i fundit i realizuar nga Fondacioni turko-gjerman për arsim dhe shkencë (TAVAK), ku shihet qartë se, shumica e turqve kanë humbur durimin dhe kundërshtojnë hyrjen e Ankarasë në Bashkimin Evropian, që është i lidhur me vonesën në bisedimet aktuale me Brukselin.

Sondazhi bënë të ditur se, 60 për qind e qytetarëve janë deklaruar kundër hyrjes së vendit në BE, 35 për qind kanë mbështetur integrimin, derisa të tjerë nuk janë deklaruar.

Ndërkaq, në vitin 2005, kur filluan negociatat e anëtarësimit me Unionin, 70 për qind e qytetarëve ishin për hyrjen e vendit në BE.

Ndryshimi i disponimit mund të shpjegohet me vonesat në bisedime, pasi që presidenti francez, Nicolas Sarkozy, dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, kundërshtojnë hapur anëtarësimin e Turqisë në BE.

Shumica e analistëve mendojnë se pengesa për anëtarësimin e Turqisë, është religjioni pasi që ky vend konsiderohet si një shtet me popullsi myslimane, çka nuk shihet me sy të mirë për evropianët, shumicën krishtere.

Duhet që të përmendim këtu veçanërisht aspektet historike të kësaj çështjeje. Në këtë mënyrë rënia e Konstantinoplit në vitin 1453 mund të ndjehet ende edhe pse kanë kaluar 450 vite nga kjo ngjarje.

Shumë nga intelektualët të cilët janë kundër hyrjes së Turqisë në BE ende e vizatojnë hartën e Evropës e cila koincidon me atë të koncepteve të mesjetës të botës së Krishtere.

Kjo çështje e madhe ka qenë diskutuar po ashtu edhe gjatë hartimit të draft-Kushtetutës për Evropën dhe debatin e saj rreth asaj nëse duhet apo jo që Zoti të ketë vend në preambulën e Kushtetutës së Bashkimit Evropian.

Ishte po ashtu edhe një deklaratë nga ish-Kryetari, Valery Giscard d’Estaing se, hyrja e Turqisë në BE do të thotë “fundi i BE-së”, si dhe shqetësimet dhe trazirat në opinionin publik përsa i përket vendit të Islamit në Evropë pas 11 shtatorit dhe pas 11 marsit.

Kjo na drejton në pyetjen nëse hyrja e mundshme të Turqisë vlerësohet sikur një kërcënim apo sikur një vlerë në sfidën kryesore, pra shmangien nga përplasja e civilizimeve dhe kujdesin për harmoninë e kulturave, së pari brenda për brenda Evropës, por, po ashtu edhe në fqinjësinë Islame e cila rrethon Evropën në lindje dhe në jugun e saj.

Por në anën tjetër janë edhe disa mendimtarë të cilët Religjionin e ndërlidhin më nocionin “Evropian”; ata thonë se, më qenë Evropian do të thotë po ashtu kryesisht apo në të shumtën i Krishterë. Por gjithsesi mendojmë se thelbi i futjes apo jo të këtij shteti varet aq shumë edhe në çështjet ekonomike dhe gjeopolitike.

Turqia viteve të fundit është duke u zhvilluar ekonomikisht me një ritëm të përshpejtuar, kjo nga investimet e saj të shumta në telekomunikacion, infrastrukturë transporti dhe sektorë bankarë, në lindjen e mesme, si dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Turqia si ekonomia e 17-të më e madhe në botë me një produkt të brendshëm bruto, GDP, prej gati 617.1 miliardë dollarë amerikanë, apo 465.6 miliardë euro mund të ndihmonte BE-në e cila nuk është duke ecur mirë ekonomikisht si dhe përballet me mjaftë probleme në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Në këtë drejtim në mënyre reciproke mund të rriteshin eksportet dhe importet ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian.

Mirëpo në këtë rrugë pritet të paraqiten shumë diversitete të cilat sa bëhen edhe më të shprehura kur fillohet të negociohet definimi i kahes dhe dinamikës së këtij zgjerimi, i cili në një farë mënyre ndikon direkt në interesat e disa shteteve anëtare.

Edhe sa do të presë Turqia për t’iu bashkuar BE-së

BE-ja me 1993 në Samitin e Kopenhagës ka marrë vendime që të fillojë procesin e zgjerimit duke përfshirë këtu edhe shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilët shtete kanë qenë shtete të Paktit të Varshavës. Pas kësaj periudhe procesi i zgjerimit të BE-së ka ecur me hapa mjaft të shpejtuar.

Një numër i madh i shteteve si Polonia, Hungaria, Republika Çeke, Slovenia, Estonia, Bullgaria, Rumunia etj., janë bërë pjesë e Unionit.

Ndërsa Turqia edhe pse afërsisht në aspektin ekonomik ka profil të ngjashme me shtetet e lartë përmendura përsëri nuk është përfshirë në këtë proces. Arsyeja e kësaj është si e natyrës ekonomike ashtu edhe natyrës politike.

Edhe pse sipas marrëveshjes së Unionit Doganor procesi vazhdon në mënyrë të kënaqshme, prapë se prapë disa parametra të makro-ekonomisë nuk kanë mundur të tejkalohen.

Nga ana politike e problemit është theksuar çështja e të drejtave njerëzore dhe problemi i Jug Lindjes së vendit, çështje e cila duhej të zgjidhej në mënyre politike e jo me ndërhyrje ushtarake.

Të drejtat dhe liritë njerëzore janë shumë të rëndësishme për sa i përket hyrjes së një vendi në BE dhe elita politike e cila është në pushtet, nëse pretendon të integron vendin në këtë organizatë, duhet që të punon shumë më tepër në përmbushjen e të drejtave të njeriut dhe respektimit dhe mbrojtjes së minoriteteve.

Politikat e Turqisë duhet që të drejtohen në përmbushjen e kërkesave demokratike siç janë: Sundimi i Ligjit i cili garanton për të gjithë qytetarët të jetojnë dhe të zhvillojnë aktivitete e tyre të përditshme jetësore, ky është po ashtu edhe një mision shumë i rëndësishëm i Unionit.

Në anën tjetër BE gjithashtu duhet të hartojë strategji me faza në program ku duhet siguruar reformat, fillimisht në sektorët Ministror dhe pastaj po ashtu edhe infrastrukturë, në stabilitet ekonomik dhe politik diçka si kjo do të arrihej më bashkëpunimin reciprok dhe më vullnetin dhe gatishmërinë e Turqisë që t’i përmbush kushtet.

Në të kundërtën Turqia do të marrë hapat e ardhshëm për tu shkëputur nga Perëndimi duke braktisur përfundimisht shpresën për anëtarësim në BE dhe organizma tjera evropiane. E gjendur në këtë situatë Turqia do të tentojë të thellojë aleancat me shtetet e botës Islame. Nismë kjo e marrë nga Ministri i Jashtëm Turk, Ahmet Davutollu i cili për një kohë të shkurtër vizitoi shtetet islame më me ndikim, duke shprehur kështu gatishmëri për rregullimin e urave të shkatërruara me këto vende. Kësaj i ndihmon edhe fakti që Kongresi amerikan kohë më parë miratoi rezolutën e cila i përshkruan si gjenocid vrasjet e armenëve nga turqit gjatë Luftës së Parë Botërore. Kësaj i ndihmojnë po ashtu edhe raportet e acaruara me Izraelin. Megjithatë, për lidershipin turk nuk do të jetë kaq e lehtë ta braktisë perëndimin. Kjo do të ketë pasoja për të dyja anët.

* Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale

KOMENTE