English

Projekti i Bin Laden për 11 shtatorin e ri, sulmi në Ditën e Pavarësisë

E premte, 15 korrik 2011, NOA- Osama Bin Laden ishte duke përgatitur një tjetër 11 shtator por projekti për këtë ishte në fazën fillestare.

Sulmi i ri ishte parashikuar të ndodhte në 4 korrik, Dita e Pavarësisë së Amerikës. Me këtë sulm historia përsëritej, pasi Obama Bin Laden kishte filluar përzgjedhjen e ekipit sulmues për 11 shtatorin e ri.

Ashtu si kishte ndodhur edhe në projektin e parë, shefi i Al Qaedës ishte shumë kërkues me skuadrën që do të mblidhte bashkë për të përmbushur misionin.

Shumë kandidatë, të sugjeruar nga shefi operativ Attiyah Rahman Abd Al, ishin djegur nga lideri i Al Qaedës, duke shkaktuar kështu edhe konflikt me bashkëpunëtorët e tij.

Projekti sipas burimeve të Wall Street Journal sapo kishte filluar, ndërsa anëtarët e Al Qaedës ishin ende në fazën e studimit, me fjalë të tjera nuk kishte kaluar në fazën e ekzekutimit.

Krahas kësaj edhe para sulmit në Amerikë në vitin 2001, në radhët e Al Qaedës kishte pasur shumë diskutime mbi mundësinë e realizimit dhe personat që do të merrnin përsipër këtë mision.

Khaled Sheikh Mohammed, i dyshuar dhe akuzuar si mendja e planit ishte refuzuar dy herë bashkë me projektin e tij.

Të tjera diskutime kishin lindur edhe në radhët e kamikazëve pasi duket se Bin Laden u kishte imponuar me kokën e tij disa terroristë.

Faktet për një 11 shtator të ri, u shfaqën pas vrasjes së Bin Ladenit dhe ishin bazuar në dokumentet që komandot amerikane sekuestruan në ndërtesën e tij në Abbottabad.

Nëpërmjet këtyre dokumenteve arrihet të kuptohet më tepër rreth synimeve të militantëve.

Gjithmonë sipas Wall Street Journal, thuhet se një tjetër projekt, ende në fazë embrionale, i përkiste një atentati i cili do të kryhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë festës kombëtare të 4 korrikut.

Sipas zyrtarëve të inteligjencës amerikane, dokumentet dhe dosjet që u gjetën në strehën e tij në Pakistan, kanë qenë të dobishme për të deshifruar pjesërisht realitetin e Al Qaedës. Gjithsesi burime të inteligjencës së kanë thënë se dy numrat e telefonit të gjetur brenda veshjeve të Osamës kanë dhënë rezultate.

Njëri i përkiste një vendi të zonave fisnore të Pakistanit, ndërsa numri tjetër nuk ishte më aktiv.

Lidhur me rolin efektiv të Bin Ladenit gjykimet mbeten gjithsesi të ndara. Një lumë analistësh mbi bazën e informacioneve të njohura, thonë se Osama kishte humbur shumë nga pushteti i tij.

Ai po përpiqej të rivendoste autoritetin e tij, por pastaj grupet ishin duke vepruar sipas nevojave të tyre dhe mundësive të ofruara.

Sipas ekspertëve mbështetur edhe në të dhënat e inteligjencës, besohet se Bin Laden kishte një shans të ndikonte në veprimet e lëvizjes së radhës, madje thuhet gjithashtu se ai ishte në dijeni të atentateve të ndodhura në Londër gjatë verës së vitit 2005.

a.y/NOA

KOMENTE