English

Ministria e Punës plan për punësimin e 65 mijë të rinjve në 3 vite

Tiranë, 19 korrik 2011, NOA- Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale gjatë ditës së sotme ka prezantuar një plan 3 vjeçar për punësimin e të rinjve.

një aktivitet të organizuar sot ku u mblodhën përfaqësues nga ministritë e linjës, partnerët socialë, sektori privat institucionet kombëtare dhe vendore, si dhe nga shoqëria civile u prezantua një Plan-Aksioni trevjeçar për punësimin e të rinjve, në Shqipëri.

I hartuar nga Ministria e Punës në kuadrin e zbatimit të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, Plani i Aksionit për Punësimin e të Rinjve përmbledh 44 opsione politike të parashtruara nga Ministria e Punës, prej të cilave do të përfitojnë 65,000 të rinj dhe të reja, gjatë 3 viteve të ardhshme.

Në këtë aktivitet u theksua se kjo shifër përbën rreth 10% të të rinjve shqiptarë të moshës 15-29 vjeç. 70% e tyre (rreth 47,000 të rinj) do të kenë punë të denjë në fund të kësaj periudhe. Kostoja e përgjithshme e Planit të Aksionit për Punësimin e të Rinjve është 17,550,000 dollarë për 3 vitet e zbatimit.

Ndërkaq për këtë plan rreth 11 milionë dollarë janë planifikuar ose vënë në dispozicion nga qeveria shqiptare, si dhe nga programe për bashkëpunim teknik të financuara nga donatorët. Pjesa që mbetet e pambuluar prej 6.5 milionë dollarë duhet të sigurohet nëpërmjet financimeve (p.sh. të një shume prej rreth 2.2 milionë USD në vit) nga asistenca shumë-dhe-dy-palëshe për bashkëpunim teknik.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast Zv/ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Z. Kastriot Sulka, tha se, “Sfida e punësimit të të rinjve në Shqipëri kërkon qasje parandaluese dhe trajtuese të cilat zgjidhin në të njëjtën kohë çështjet e kërkesës dhe ofertës për punë dhe që për arritjen e këtij qëllimi kanë nevojë për angazhimin e përhershëm të institucioneve në vend. Nëse hedhim një vështrim në arenën politike botërore, fenomene të tilla si “Pranvera Arabe”, na e kanë bërë të qartë edhe një herë nevojën urgjente që politika t’i përgjigjet sfidës së punësimit të të rinjve, si një parakusht për çrrënjosjen e varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe stabilitetin.”

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Drejtori i PNUD, Norimasa Shimomura, ku theksoi se, “Trajtimi i çështjes së punësimit të të rinjve është me mjaft rëndësi për zgjidhjen e një sërë çështjeve që kanë të bëjnë me çrrënjosjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Kombet e Bashkuara në Shqipëri mbështesin përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për përfshirjen e prioriteteve të politikës për punësimin e të rinjve në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) nëpërmjet një game të gjerë programesh.”

Ndërsa Daniela Zampini, Drejtuese Teknike e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, shprehu vlerësimin më të lartë për rolin drejtues të Ministrisë së Punës, e cila ka marrë përsipër përgjegjësinë e madhe për ta bërë më të mirë të ardhmen e të rinjve shqiptar.

Programi i Përbashkët i Kombeve të Bashkuara për Punësimin dhe Migrimin e të Rinjve, i financuar nga Qeveria Spanjolle nëpërmjet Fondit për Arritjen e Objektivave për Zhvillim të Mijëvjeçarit (OZHM), ka si partnere në drejtim Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Së bashku me të janë duke punuar katër agjenci të specializuara të Kombeve të Bashkuara: ILO, IOM, UNDP dhe UNICEF duke patur si qëllim rritjen e mundësive për punë të denjë dhe menaxhimin e migrimit tët të rinjve nëpërmjet një ndërthurjeje më të mirë të këtyre prioriteteve në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI).

Theksohet se ky plan është fryt i konsultimeve që janë zhvilluar gjatë më shumë se një viti, nën drejtimin e Ministrisë së Punës.

a.y/NOA

KOMENTE