Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Në derë të qeverisë
English

Në derë të qeverisë

Nga Armand Shkullaku

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, u detyrua dje t’u japë një lloj drejtimi improvizimeve dhe eksperimentimeve në lidhje me imunitetin e deputetëve, në rastin e një arrestimi të mundshëm të tyre. Në mbledhjen e qeverisë, ai vendosi të bëjë pikërisht atë që aq shumë u mundua ta evitonte. T’i referohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar se deri ku shkon dhe sa i vlefshëm është imuniteti i një deputeti apo zyrtari të lartë, duke marrë përsipër më në fund përgjegjësinë për një veprim i cili mund të çojë në arrestimin e shokëve të tij të armëve. Fakti që Hashim Thaçi e mori një përgjegjësi të tillë, pavarësisht rrethanave dhe kohës, përbën një hap të rëndësishëm për të vënë gjërat në lëvizje dhe drejtësinë të veprojë, nëse vërtet është e interesuar të veprojë dhe jo të bëjë spektakël. Por në anën tjetër, iniciativa e djeshme e qeverisë nxori në pah më së miri në sytë e qytetarëve se si po improvizohet në Kosovë me çështje kaq delikate siç janë hetimet dhe gjykimet për krimet e luftës. Në harkun kohor të një jave, të gjithë panë se aktorët kryesorë, vendorë e të huaj, kishin si shqetësim t’i hapnin rrugën arrestimit të mundshëm të një apo disa deputetëve të akuzuar për krime lufte, por askush nuk mendoi më parë se si duhej bërë kjo. Nisur nga lehtësia e të menduarit se në një vend si Kosova nuk kanë dhe aq rëndësi procedurat, u nis një proces që u komprometua keq rrugës dhe përfundoi në një rreth vicioz, ku as ultimatumet e Dellit, as sugjerimet e BE dhe as arsyetimet e Countryman nuk dhanë ndonjë rezultat. Tani, pas debateve të ashpra e lëmshit juridik, doli se Jakup Krasniqi paska pasur të drejtë. Qeveria, ashtu siç edhe vendosi dje, mund t’i drejtohet Kushtetueses për një interpretim lidhur me imunitetin pa pasur nevojë për një rezolutë apo autorizim nga Kuvendi. Por si erdhëm deri këtu, përse topi u kthye përsëri në fushën e Hashim Thaçit? Sepse, nëse në një vend tjetër europian një çështje e tillë do të peshohej gjatë dhe mirë përpara se të veprohej, në Kosovë mjafton të bëhet, pak rëndësi ka mënyra se si. Hetimi dhe dënimi i atyre që kanë kryer krime lufte, qofshin edhe deputetë, është një kusht për afrimin e Kosovës me BE dhe NATO. Kaq mjafton për të nisur një proces, të cilin askush nuk e ka të qartë se si do të përfundojë. A ka të drejtë EULEX të arrestojë një deputet të Kuvendit të Kosovës, nëse ai akuzohet për krime lufte pa kërkuar që atij t’i hiqet imuniteti? Këtë as vetë shefat e EULEX nuk e dinë. Nëse bëhet kërkesa për heqje imuniteti dhe dështon në Kuvend, atëherë arrestimi nuk është i mundshëm dhe Kosova rrezikon imazhin e saj tek partnerët ndërkombëtarë. Për të shmangur votimin në Kuvend, shpiket letra e EULEX për një rezolutë që autorizon qeverinë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, që kjo e fundit t’i hapë rrugë arrestimit, duke interpretuar si të pavlefshëm imunitetin përballë akuzave për krime lufte. A do ta bëjë Gjykata këtë, kjo është një çështje tjetër që përsëri nuk duket fort e menduar. Por ndërkohë, rezoluta ngec tek Jakup Krasniqi, i cili thotë se qeveria nuk ka nevojë për asnjë lloj leje për t’iu drejtuar Kushtetueses. Ngrihet Amerika e Europa duke kërkuar që Kuvendi të marrë përgjegjësi. Ambasadori Dell i quan qesharake e të pakuptimta argumentet ligjore të Krasniqit, e cilëson atë të frustruar nga ambicia presidenciale. Thomas Countryman deklaron se përgjegjësia është e Kuvendit dhe se qeveria do ta dëmtonte parimin e ndarjes së pushteteve, nëse do të kërkonte opinion për imunitetin e legjislativit. Por, përsëri Krasniqi nuk tërhiqet. Atëherë provohet plani B, ose më mirë improvizimi B për t’ia kaluar këtë përgjegjësi grupeve parlamentare dhe jo ekzekutivit. Dështon edhe kjo tentativë e pamenduar mirë dhe e provuar shpejt e shpejt në minutat e fundit. Si zgjidhje e fundit, mbetet… qeveria. Gjithë kjo histori vetëm seriozitet dhe pjekuri politike nuk tregon. Nëse aktorët kryesorë në SHBA e BE thonë se nuk bën që qeveria të ndërmarrë një nismë të tillë dhe në fund është qeveria që i hap rrugën arrestimit të deputetëve të akuzuar për krime lufte, këtu ka diçka që nuk shkon. Sigurisht, nuk është se Jakup Krasniqi është më i mençur se të gjithë dhe e dinte se si duhej vepruar në këtë rast. Jo, nuk është kjo. Problemi qëndron tjetërkund. Jo vetëm Jakupi, por të gjithë qytetarët në Kosovë e kuptuan qartë se në të gjithë çështjen e imunitetit të deputetit fshihej pafuqia e Hashim Thaçit për të pasur një grup parlamentar të unifikuar dhe, për rrjedhojë, një shumicë të sigurt në Kuvend në rast të votimit për heqje të imunitetit. Që kriminelët e luftës duhen dënuar, kjo nuk kërkon as diskutim, por njëkohësisht çështja Limaj nuk duhej të shndërrohej në mollë sherri dhe çarja e partisë të provokonte zgjedhje të parakohshme. Për të shmangur këtë, nisi procesi i improvizimeve: shmangia e votimit, interpretimet, letrat, grupet parlamentare, ndërhyrjet ndërkombëtare… “Kopili” i imunitetit u provua t’i lihej Kryetarit të Kuvendit, kryesisë apo grupeve të Kuvendit, por në fund i mbeti në derë qeverisë. Tani pritet interpretimi i Kushtetueses që nuk është çudi t’ia kthejë çështjen e Kuvendit. E atëherë duhet pritur përsëri improvizimi i radhës.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE