English

BE mes Topit dhe Berishës

Nga Albana Qehajaj

Situata politike në vend vazhdon të mbajë të angazhuar diplomatët e huaj në Shqipëri, me gjithë pikun e sezonit veror.

Për të disatën herë brenda pak javësh, njëri prej tyre, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sekui do të takojë presidentin e republikës Bamir Topi.

Zyrtarisht, zyra e shtypit e presidencës ka njoftuar se, ditën e shtunë në orën 10.00 presidenti Topi do të presë në një takim kryediplomatin evropian në Tiranë, Sekui.

Në njoftim nuk bëhet e ditur tema e takimit, por gjatë dy muajve të fundit, pas zgjedhjeve vendore të 8 Majit, selia e presidentit të vendit është vizituar shumë shpesh nga diplomatë ndërkombëtare, të cilët thuajse çdo ditë, po bëjnë apel për vendosjen e dialogut në Shqipëri.

Sakaq, debati për vendimet e KQZ dhe të Kolegjit Zgjedhor ka prekur javën e fundit edhe marrëdhënien, thuajse gjithmonë delikate, mes presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha, lider i demokratëve.

Pak ditë më parë, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë pati debate për akuzat e bëra nga politika mbi Kolegjin Zgjedhor, ndërsa presidenti Topi u shigjetua nga disa prej anëtarëve, se nuk ka reaguar.

Vetë kreu i shtetit, pak minuta më pas është mbrojtur duke e argumentuar pozicionin e tij me kushtëzimet që, politika i ka bërë kohë më parë KLD-së dhe vetë Presidentit për kontrollin mbi Kolegjin.

Ndërsa, të mërkurën ishte kryeministri Berisha, i cili duke folur për regjistrimin e popullsisë dhe reagimin e aleancës Kuq e Zi dhe nënkryetarit të KLD, Spahiu, në mënyrë indirekte ka sulmuar presidentin Topi se “përdhos, sikundër u shpreh ai, karrigen shtetërore në emër të nacionalizmit”.

Kësisoj, përpos mungesës së qartë të komunikimit mes opozitës dhe opozitës për votën e 8 Majit, diplomatët e huaj po përballen këto ditë, edhe me një përplasje të hapur mes dy zyrtarëve më të lartë të vendit. Një situatë kjo, aspak e re, por që vështirëson një dialog të mundshëm në politikën konfliktuale shqiptare.

a.q/NOA

KOMENTE