English

Komiteti i Helsinkit: Nuk ka amnisti për rastet e Hagës

Shkup, 22 korrik 2011, NOA- Parlamenti i Maqedonisë përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti ka mbyllur rastet e Hagës që ngarkonin ish-krerët dhe ish-luftëtarë të UÇK-së.

Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut përmes një komunikate për shtyp sot ka kundërshtuar vendimin e Parlamentit të Maqedonisë, i cili më 19 korrik miratoi interpretimin autentik të ligjit për amnisti, me çka mbylli rastet e Hagës.

"Për krime kundër njerëzimit, nuk mund të ketë amnisti. Askush në asnjë rast nuk mund të amnistohet për shkelje të rënda të drejtës ndërkombëtare humanitare", thuhet në komunikatën e Komitetit të Helsinkit.

Nga Komiteti i Helsinkit paralajmërojnë se dilemat për zgjidhjen e rasteve të Hagës nga aspekti i sundimit të ligjit janë veçanërisht të rrezikshme për shkak të mundësisë së ndërhyrjes dhe ndikimit të politikës.

"Parlamenti miratoi interpretimin autentik të ligjit për amnisti me çka tregoi se për shkak të nevojave të veta, megjithatë mund të ndikojë në institucionet që kanë të bëjnë me sferën e drejtësisë dhe se tek ne nuk ekziston dhe nuk respektohet ndarja e pushteteve”, thuhet më tej në komunikatë.

Parlamenti i Maqedonisë përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti ka mbyllur rastet e Hagës që ngarkonin ish-krerët dhe ish-luftëtarë të UÇK-së.

Sipas propozimit të miratuar, neni 1 i Ligjit për amnisti duhet të interpretohet ashtu që amnistia të zbatohet për të gjithë kryerësit e veprave të lidhura me konfliktin e vitit 2001, përveç personave që kanë kryer krime të lidhura me konfliktin, dhe për të cilët është ngritur procedurë nga Tribunali i Hagës.

Rastet e Hagës ishin "udhëheqëst e UÇK-së", "rasti Neproshtenë" lidhur me të zhdukurit maqedonas, "Punëtorët e Mavrovës" lidhur me maltretimin e disa punëtorëve maqedonas si dhe rasti "Penda e Likovës", e cila ka të bëjë me ndërprerjen e ujit në pendën e Likovës për banorët e komunës së Kumanovës gjatë konfliktit të vitit 2001.

Deputetët e opozitës nga radhët e LSDM ishin më të zëshëm kundër miratimit të propozimit duke nënvizuar se me këtë propozim rrënohet shteti i së drejtës dhe se lirohen nga përgjegjësia njerëzit që kanë kryer krime kundër njerëzimit.

NOA/(INA)

KOMENTE