English

Akrobacitë e ambasadorit Sequi

Nga Andrea Stefani

Zyrtarët dhe diplomatët e BE nuk duan të flasin qartë për të vërtetën e hidhur të zgjedhjeve të majit. Dhe ndërsa shkaqet e këtij ngurrimi mbeten ende për t’u analizuar, simbol i kësaj elokuence diplomatike që nuk thotë asgjë është bërë vetë Ettore Francesco Sequi, ambasador i BE në Tiranë. Ka disa kohë që shfaqet ekraneve duke shprehur shqetësimin për krizën politike në Tiranë, por në fakt, nuk thotë asgjë për rrënjët e saj. Kështu ndodhi edhe dje në një konferencë për shtyp që ambasadori i BE-së në Tiranë dha së bashku me ambasadoren e Polonisë. Cila është përgjegjësia e opozitës dhe cila është përgjegjësia e qeverisë për zgjedhjet e 8 Majit? – pyeti një nga gazetarët e pranishëm. Përgjigjja e ambasadorit Sequi ishte totalisht zhgënjyese. Në fakt, ajo nuk ishte fare një përgjigje. Sepse nuk kishte të bënte fare me ç’ka pyeti gazetari. Por asgjë nuk mund ta japë më saktë këtë arratisje “diplomatike” nga detyrimi për të thënë të vërtetën e hidhur sesa vetë “përgjigjja” pa përgjigje e ambasadorit. Dhe ja ajo:

“Unë mund t’ju them shumë qartë një gjë. Unë nuk jam mësues, unë nuk jam profesor, unë bëj një punë tjetër. Kështu që unë nuk jap nota. Ajo çfarë unë dëshiroj të shoh është të kemi një proces të integrimit në BE dhe zbatimin e 12 përparësive kyçe. Një proces që të ecë në mënyrë të efektshme dhe të shpejtë. Për çdo gjë tjetër mund t’i referohem deklaratës së ministrave të Jashtëm të BE të 20 qershorit, si dhe deklaratës së përbashkët Ashton-Fyle bërë dy ditë më parë. Por do t’i lejoj vetes edhe një fjali të fundit. Unë shoh dhe kam parë në muajt e kaluar polarizim dhe mosbesim. Do më pëlqente të shikoja rënie të polarizimit dhe rritje të besimit. Kjo sepse besoj dhe të gjithë besojnë se integrimi është një objektiv kombëtar për shqiptarët. Më lejoni t’ju them edhe një fjali tjetër. Perspektiva dhe e ardhmja europiane e Shqipërisë vazhdon të qëndrojë mjaft lart në axhendën e BE. Bashkimi Europian, Komisioni Europian e kanë treguar tepër qartë se janë plotësisht të gatshëm të ndihmojnë në këtë proces. Dhe ne kemi besim se të gjitha palët do të luajnë rolin e tyre që të kemi progres në këtë drejtim”.

Shikohet qartë se përgjigjja e ambasadorit Sequi nuk ka fare lidhje me pyetjen e gazetarit mbi përgjegjësinë e palëve, qeverisë dhe opozitës, në atë që mund të cilësohet si kaosi i rinumërimit të votave të pavlefshme të zgjedhjeve të 8 Majit. Në fakt, Sequi e bëri të qartë që në fillim të përgjigjes se do ishte i paqartë. Tha se nuk është mësues që vë nota. Që do të thotë se nuk mund t’i vërë notë as qeverisë dhe as opozitës. Por ambasadori jo vetëm nuk dëshiron të bëjë përgjegjës askënd për dështimin e zgjedhjeve të 8 majit. Ai nuk do të marrë mbi vete asnjë përgjegjësi gjithashtu. Prandaj iu referua edhe deklaratës së ministrave të Jashtëm të BE-së (që nuk thotë thuajse asgjë) dhe deklaratës Ashton-Fyle që thotë shumë pak. Por kur Sequi që është në Tiranë nuk thotë asgjë për përgjegjësit e shkatërrimit të zgjedhjeve, çfarë mund të thonë ministrat e Jashtëm të BE apo dhe baronesha Ashton apo komisioneri Fyle që janë qindra kilometra larg? Në fakt, edhe për ato që thonë është logjike të mendosh se ata informohen nga ambasadori i BE në Tiranë që është Sequi. Pra, i bie që duke iu referuar deklaratës Ashton-Fyle për t’i ikur një prononcimi lidhur me përgjegjësitë e palëve për zgjedhjet, ambasadori Sequi i referohet, në thelb ambasadorit Sequi!

* * *

Në fakt, ne mendojmë të kundërtën e asaj që shpreh Sequi. Mendojmë se ai është në Tiranë që t’u vërë notën e duhur partive dhe klasës politike duke ballafaquar veprimet apo mosveprimet e tyre me standardet europiane dhe me interesin e publikut shqiptar. Nëse vjedhja dhe manipulimi i zgjedhjeve është bërë sot një sëmundje kronike që ka 20 vjet që po e rrënon demokracinë, kjo ka ardhur edhe për shkak se vëzhguesit dhe diplomatët e huaj, ata që janë këtu për t’i thënë “jo” manipulimit, kanë zgjedhur si më diplomatike të mos e përmbushin një mision të tillë. Do të më pëlqente të shikoja rënie të polarizimit dhe rritje të besimit mes palëve – tha Sequi. Një dëshirë mjaft e mirë. Por një dëshirë të tillë kanë shprehur edhe shumë ambasadorë të tjerë para zotit Sequi e megjithatë, palët politike në Shqipëri kanë vazhduar të ushqejnë mosbesim ndaj njëra-tjetrës dhe situata ka mbetur e polarizuar. Përse? Pikërisht sepse kanë zgjedhur të bëjnë atë që po bën edhe Sequi, të mos i japin secilit hakun për rrënimin kronik të zgjedhjeve në Shqipëri. Dhe po u vazhdua kështu Shqipëria nuk do të mund të integrohet kurrë me Europën sado lart në axhendën e BE të qëndrojë ky objektiv dhe sado shpresë dhe besim për progres të shprehë ambasadori Sequi për një gjë të tillë. Sepse nuk mund të tejkalohet një situatë politike konfliktuale nëse nuk kurohet e keqja që e ka sjellë atë. Dhe kjo, ndryshe nga sa u shpreh edhe ambasadorja e Polonisë, nuk është diçka e lehtë që zgjidhet si me magji mjafton që palët të ulen dhe të flasin. Sepse që të arrihet konsensusi duhet që palët jo vetëm të dialogojnë, por edhe të ndajnë disa vlera të përbashkëta lidhur me demokracinë liberale dhe mënyrën si funksionon ajo. Nëse këto vlera nuk bashkëndahen, të shpresosh se palët mund të dialogojnë me sukses është naivitet dhe iluzion. Sepse nëse njëra nga palët nuk ka për vizion një sistem demokratik, por një demokraturë ku vota vidhet ose manipulohet për të shërbyer si kamuflazh i autokratizmit, mund të shpresosh “në rënie të polarizimit dhe ngritje të besimit” vetëm nëse edhe pala e vjedhur pranon të vidhet. Që më pas të vjedhë edhe ajo zgjedhjet! Por edhe nëse ndodh një mirëkuptim i tillë, është e sigurt sa ai nuk do t’i shërbejë integrimit të Shqipërisë në një sistem të themeluar mbi votën e lirë e të ndershme sikundër është dhe BE. Sot është koha të thuhet se kush i prishi zgjedhjet e 8 majit. Pas kaq krizash e traumash është koha të ndihmohen shqiptarët t’i shpëtojnë kurthit ku kanë ngecur për faj politikanësh që i janë ngulur prej 20 vjetësh si këpusha të pangishme fatit të Shqipërisë. Do qe verbëri të shpresohej se shpëtimi mund të vijë nga politikanë të tillë. Vetëm largimi i tyre me rotacion demokratik e shpëton vendin. Por që ata të largohen nga qeverisja e vendit duhet që të denoncohen fajet e tyre ndaj demokracisë. E në radhe të parë vjedhja e votës që pengon rotacionin. Dhe këtu, duan apo nuk duan ca diplomatë, kanë detyrim ndërkombëtarët. Ndryshe prezenca e tyre në Shqipëri është ose e pakuptimtë ose një maskë për demokraturën që po instalohet. Këtë e ka kuptuar mirë edhe Jensen, ambasadori i Danimarkës në Tiranë që pak ditë më parë deklaroi: “Ne komuniteti ndërkombëtar, në opinionin tim, kemi obligimin që në mënyrë të hapur të flasim pa ndrojtje për Shqipërinë dhe shqiptarët për të arritur në atë që ata aspirojnë. Konkluzioni është se gjatë këtyre 3 viteve këtu, dikush duhet t’ju tregojë të vërtetën lakuriq dhe kjo do t’ju ndihmojë”. Prandaj edhe ne themi ka ardhur koha që edhe diplomacia e BE t’i japë përgjigje gazetarit shqiptar që pyeti: Cila është përgjegjësia e qeverisë dhe e opozitës në dështimin e zgjedhjeve të 8 Majit? Në radhë të parë ambasadori Sequi.

Gazeta “Shqip”

KOMENTE