English

Berisha: 8 maji, fitorja e katërt e PD, 17 deputetë më shumë se opozita

Tiranë, 23 korrik, NOA – Kryeministri Sali Berisha tha sot në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, se zgjedhjet e 8 majit ishin një sukses i mazhorancës dhe PD. Ai u shpreh se kjo është fitorja e katërt e PD-së, pas atyre të viteve 2005, 2007 dhe 2009.

“Zgjedhje e 8 majit shënuan fitoren e katërt të PD dhe të aleatëve të saj. Zgjedhjet vendore janë zgjedhjet në të cilat qytetarët shqiptarë votuan më masivisht se kurrë”, tha Berisha.

Kreu i mazhorancës u shpreh se nëse votat do të përktheheshin në sistemin e zgjedhjeve parlamentare, “Aleanca për Qytetarin” ka marrë 17 deputetë më shumë.

Nga ana tjetër, Berisha ka theksuar se këto zgjedhjet shënuan një risi për gjithë fushatat elektorale, duke pasur transparencën maksimale.

“Jemi mbledhur sot pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 majit, për një analizë të këtyre zgjedhjeve në tërësi. Dhe ashtu siç kishim vendosur për zgjedhjen e strukturave. Për PD, aleatët e saj, por për vendin dhe mbarë shqiptarët ishte procesi më i bukur zgjedhjeve vendore. Dhe në disa aspekte ishte procesi më unik që nga zgjedhjet e para të lira të korrikut 1991”, tha Berisha.

Mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD ka nisur me një minutë heshtje, në nder të viktimave në Norvegji. Berisha tha në fjalën e tij, se Norvegjia është një prej vendeve që ka mbështetur pa rezerva zhvillimin e Shqipërisë dhe hyrjen në NATO.

a.k/NOA

KOMENTE