Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Zemra e Tiranës, kurora e fitores historike
English

Zemra e Tiranës, kurora e fitores historike

Sali Berisha

Jemi mbledhur sot, pas përfundimit të zgjedhjeve të 8 korrikut, për një analizë të këtyre zgjedhjeve në tërësi dhe ashtu siç kishim vendosur në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, për zgjedhjen e kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Më 8 korrik përfundoi procesi i zgjedhjeve vendore të datës 8 maj 2011. Për Partinë Demokratike, aleatët e saj, por për Shqipërinë e mbarë shqiptarët, ky ishte procesi më i bukur i zgjedhjeve vendore dhe në disa aspekte ishte procesi më unik dhe historik që nga zgjedhjet e para të lira vendore të korrikut 1992. Zgjedhjet e 8 majit shënuan fitoren e katërt radhazi të Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj, të koalicionit të saj. Pas fitores së vitit 2005, 2007 dhe 2009, erdhi edhe kjo fitore si një kurorë tjetër, fitore elektorale e shkëlqyer.

Zgjedhjet vendore të 8 majit janë zgjedhjet, në të cilat qytetarët shqiptarë votuan më masivisht se kurrë në zgjedhje vendore, votuan më masivisht se në të gjitha zgjedhjet në 15 vitet e fundit të analizuara, votuan më të lirë, më të sigurt, më me dinjitet se kurrë në historinë e tyre.

Zgjedhjet vendore të 8 majit për Partinë Demokratike, aleatët e saj të bashkuar në “Aleancën për qytetarin” ishin provë e madhe e besimit, e vlerësimi të qytetarëve për qeverisjen e mazhorancës së tyre, për projektin e tyre Shqipëria - vend i zhvilluar.

Në këtë kontekst, në 8 maj të vitit 2011, Partia Demokratike dhe aleatët e saj të “Aleancës për qytetarin” shënuan në rrafshin e votbesimit, vlerësimit, certifikimit të qeverisjes së tyre një fitore shumëplanëshe, më të thellë ndonjëherë, theksoj, në historinë e zgjedhjeve vendore. Në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë votuan për “Aleancën për qytetarin” dhe Partinë Demokratike që udhëhoqi këtë Aleancë, 17 përqind më shumë, 140 mijë vota më shumë, sesa për aleancën e vetmisë së madhe, apo në rrafshin elektoralo-kulturor, aleancën e kazanit. Në këto zgjedhje, Partia Demokratike dhe aleatët e saj, të grupuar në “Aleancën për qytetarin”, fituan në 219 komuna dhe bashki të vendit, kundrejt 149 komuna e bashki që fitoi aleanca e vetmisë së madhe. Në këto zgjedhje, për ata që kanë pasion patologjik analizat ndarëse e përçarëse të elektoratit, për ata që përçmimin e kanë si moral që i ndajnë zgjedhësit në eskimezë e jo eskimezë, dua t’u them se në zgjedhjet e 8 majit për “Aleancën për qytetarin” u hodhën në bashkitë e vendit 43 mijë vota më shumë për aleancën tonë, ndërsa për kryetarët e komunave e bashkive, “Aleanca për qytetarin” mori 41 mijë vota më shumë. Pra, në rrafsh kombëtar të konvertuara në sistem, “Aleanca për qytetarin” ka marrë rreth 17 deputetë më shumë, me koston e deputetit socialist që është 9 mijë vota në parlament, sesa koalicioni tjetër. Me koston e deputetëve të shumicës, “Aleanca për qytetarin” ka marrë 14 deputetë më shumë. Kjo ishte përgjigja dinjitoze, e vendosur e qytetarëve shqiptarë në referendumin mbarë popullor të shpallur para shqiptarëve në zgjedhjet vendore nga aleanca e kazanit.

Zonja dhe zotërinj, fitorja është historike, sepse kurora e saj është zemra e Tiranës, është kryeqyteti në tërësi. Pas 11 vitesh, Partia Demokratike rikthehet fuqishëm në djepin, ku lindi. Në djepin, ku u themelua. Në djepin, ku u lartësua me shpejtësi të madhe, si forcë kryesore politike e vendit. Rikthehet fuqishëm në djepin e saj, ku shpalosi programin e përmbysjes së një sistemi të vjetër dhe ndërtimin e sistemit të ri. Beteja, mbi të gjitha dhe para së gjithash, u zhvillua njëlloj si 20 vjet më parë, në rrugët e rrugicat e Tiranës. Kjo është e vërteta. Tirana, tironsit, kryeqytetasit votuan me 10 909 vota më shumë “Aleancën për qytetarin”, në të katër garat e marra sëbashku. Kjo përbën një zhvillim historik për Tiranën dhe mbarë vendin.

Në Tiranë u përballën dy kultura. U përball kultura e qytetarit me kulturën e kazanit, të sharjeve e shpifjeve të papërmbajtura e të gjithanshme. Në Tiranë e mbarë Shqipërinë, qytetarët votuan kulturën e qytetarit. Në Tiranë u përball morali qytetar me mafian më të rrezikshme dhe tentakulat e saj, që për 11 vite e e ngërtheu kryeqytetin në mënyrën më të pamëshirë. Këto klane bënë gjithçka që vullneti i qytetarëve të Tiranës të mos triumfonte, bënë gjithçka që të nëpërkëmbnim këtë vullnet, siç kishin bërë në zgjedhjet e mëparshme, bënë çdo gjë që të mbanin Tiranën nën kthetrat e tyre.

Gara në Tiranë ishte e ngushtë për kryetarin, ndërsa ishte e gjerë dhe e plotë në tre garat e tjera. Në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, ne kërkonim dhe kërkojmë të numërohet çdo votë, të vlerësohet çdo votë. Ky ishte dhe ky do të jetë parimi ynë themelor. Në këtë garë të ngushtë, prova ishte e sistemit.

Zoti Rama kërkoi me dhunë e terror, me falangat e mafias, me kërcënime primitive ndaj drejtuesve të institucioneve të pavarura, se do të arrestohet ky apo ai, në një sagë të hakmarrjes për drejtësi ndaj tyre, me çdo kusht që t’u impononte shqiptarëve një rezultat paraprak për një rezultat zyrtar. Por kjo nuk ka ndodhur, nuk ndodh dhe nuk do të ndodhë kurrë, për sa kjo forcë politike do t’i besojë lirisë dhe votës së lirë si zemreku i saj. Për të mposhtuar vullnetin e qytetarëve të Tiranës u rrethua për ditë me radhë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u kërcënuan fizikisht drejtues të këtij Komisioni, u nis një breshëri ultimatumesh. Ndërsa ne ishim të vendosur të mbronim votën, të numëronim votën. Në momentin kur ne nuk do te jemi në gjendje të numërojmë publikisht votën e shqiptarëve, ne nuk meritojmë të ekzistojmë. Ajo është çështje ‘to be or not to be’, për çdo forcë politike që i beson lirisë dhe vlerave të saj. Ndaj dhe ne vendosën të mbajmë qëndrimin tonë, zëri i çdo qytetari të dëgjohet, çdo votë e vlefshme të numërohet. U krijuan skena nga më primitivet, të cilat duhet kohë të fshihen nga memoria e shqiptarëve dhe memoria e Europës. Ne shprehëm besimin tonë të plotë tek shteti ligjor i vendit dhe institucionet e pavarura. Për ne, kishte rëndësi vendimtare mbizotërimi i shtetit ligjor. Ne nuk mohuam kurrë se zoti Rama ishte 10 vota para, ndonëse ligji i vendit nuk parashikonte dhe nuk parashikon shpalljen e rezultatit paraprak. Ne deklaruam se ky ishte rezultat paraprak, por atë që nuk mund të pranonim, ishte se nuk mund ta pranonim atë për rezultat përfundimtar. Ne pranojmë ligjet e vendit.

Në rezultate të tilla të ngushta, numërimi i votave të hedhura në kuti të gabuara nuk janë ekzotike në historikun e zgjedhjeve në Europë e në botë. Votat e hedhura në kuti të gabuara janë një dukuri e rëndomtë në vendim me demokracinë më të konsoliduar, më të madhe në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë frekuente në demokracinë parlamentare më të vjetër të Europës, Britaninë e Madhe, janë në një seri shtetesh të tjera fenomen konstant. Ne, pa asnjë mëdyshje, marrim shembullin e tyre. Në një takim me një grup miqsh, unë u deklarova atyre se ne frymëzohemi, mësojmë e marrim shembujt tuaj. Kjo është lehtësia jonë e madhe, avantazhi ynë i madh në ndërtimin e demokracisë në këtë vend. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera, rezultate të ndryshuara nga këto vota kanë shkuar në gjykatë. Për këtë, zoti Rama është pët t’u vlerësuar. Ju drejtua gjykatës. Të 8 gjykatësit shqiptarë, njëlloj si gjykatësi Mac R. Fisher i Riverside, në vitin 2010, në dy gjykime deklaruan se këto vota nuk mund të përjashtohen, se ata dhe askush tjetër nuk kanë autoritet të përjashtojnë votat e qytetarëve të vendit të vet, ku është shprehur qartë vullneti i tyre. Pra, këto zgjedhje shënuan një triumf të vërtetë jo vetëm të projektit të “Aleancës për Qytetarin”, por një triumf të vërtetë të shtetit ligjor, institucioneve të pavarura kushtetuese, të cilat numëruan çdo votë, njëlloj si në demokracinë më të madhe të botës, kur pati një problem debati, para disa rrjeteve televizive. Sot, nuk ka një shqiptar, mik të Shqipërisë apo tjetër që mund të thotë se kjo fitore bazohet qoftë edhe në një votë të vetme kallpe. Ju e patë që edhe vota e Presidentit u gjet aty ku ishte. Ajo nuk mund të ‘disfranchise’.

Institucionet kushtetuese të vendit pasuruan doktrinën elektorale të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Me vendimet e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ndryshoi as edhe një rregull të vetëm loje. Le të na thonë zotërinjtë që pretendojnë për këtë, le të na tregojnë dokumentin, cili dokument është ndryshuar. Kanë imagjinatë! Nuk është ndryshuar asnjë dokument, por zbatojmë Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor që urdhëron numërimin e këtyre votave. Gjykatat e vendit nderuan parimet e mëdha të Kushtetutës së vendeve të lira demokratike. Njëlloj si gjykatat e vendeve më të zhvilluara, ato vendosën se këto vota nuk mund të përjashtohen, se këto vota duhet të gjenden, qëmtohehen dhe numërohen, aty ku ndodhen.

Beteja e 8 majit u zhvillua në mbarë Shqipërinë, por më madhërishëm, më fuqishëm se kudo tjetër u zhvillua në rrugët e rrugicat e Tiranës. Njëlloj si 20 vjet më parë, kryeqyteti do të nxirrte në pension politik diktatorin e fundit komunist të Shqipërisë, pas 20 vitesh do t’i jepte të njëjtën përgjigje pinjollit të tij, i cili qeverisi Tiranën për 11 vjet dhe përveç bojatisjes së pallateve, kthimit të Lanës në identitet dhe zgjerimit, absolutisht e shndërroi Tiranën në kryeqytetin e kohës së ndaluar, të rrënimit urbanistik, zhduku njëri pas tjetrit të gjitha parqet, gjelbërimin, shërbimet dhe po e katandiste në një kështjellë betoni.

Unë sot, këtu para jush, dua të falënderoj me mirënjohje të thellë të gjithë anëtarët, simpatizantët, zgjedhësit, drejtuesit e Partisë Demokratike në Tiranë dhe mbarë Shqipërinë, për punën e tyre të jashtëzakoshme që bënë, arkitektë të një fitoreje të mrekullueshme. Dua të falëndeorj përzemërsisht zgjedhësit për votbesimin e tyre në tërësi, kandidatët e PD-së, për fushatën e shkëlqyer që bënë, për rezultatin dhe fitoret e tyre. Një mirënjohje të thellë dua t’u shpreh këtu të gjithë aleatëve të Partisë Demokratike, anëtarëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, koalicioni më i fuqishëm që vendi ka njohur, të falënderoj të gjithë kandidatët e tyre për fitoren që arritën. Por unë dua të falënderoj gjithashtu, edhe kandidatët që humbën. Ne nuk jemi parti e persekutimit. Do të donim t’i kishim fitimtarë, por të mos harrojmë se humbja e tyre nuk mund të personalizohet. Humbja e tyre është një proces që do të analizohet, por ata vetë, familjet e tyre, strukturat rreth tyre bënë një punë të madhe. Në politikë nuk ka fitore të përjetshme, as humbje të përjetshme. Dua të përgëzoj të gjithë fitimtarët e të gjithë spektrit politik, që kanë merituar besimin e qytetarëve dhe t’i garantoj si Kryeministër i vendit, si qeveri, si mazhorancë, se do të punojmë me përkushtim të madh në projektin ëndërr të çdo shqiptari, Shqipëria-vend i zhvilluar.

Zgjedhjet mbaruan. 140 mijë vota më shumë për këtë koalicion janë një përgjegjësi e madhe për mazhorancën. Së pari, konsolidimi i mëtejshëm i koalicionit. Të katër fitoret tona me radhë kanë në themelin e tyre shpirtin e koalicionit. Të dyja koalicionit hynë në këto zgjedhje me një listë aleatësh. Madje aleanca e vetmisë shpalli se kishte 2-3 aleatë më shumë se ne në listë. Por cili ishte koalicioni? Partia Demokratike la për aleatët e saj 10 herë më shumë komuna e bashki, sesa krahu i vetmisë. Ata lanë zona të lira gjithsej 9 komuna, ndërsa ne lamë zona për aleatët gjithsej 90 komuna e bashki. Nuk mund të kërkohet luajalitet, në qoftë se nuk e dëshmon vetë. Luajalitet të plotë dhe vlerësim të merituar për ata, me të cilët bashkëqeveris. Por, në rast se për numër njësish, ne lamë për koalicionin 10 herë më shumë sesa krahu tjetër, për numër zgjedhësish, ne lamë për koalicionin 18 herë më shumë. Aleanca e vetmisë u la aleatëve të saj zona me 52 mijë zgjedhës në total, “Aleanca për qytetarin” u la aleatëve zona me një total prej 920 mijë zgjedhës. Është në kënaqësinë time performanca e shkëlqyer e këtij koalicioni dhe nuk jam absolutisht darkod, asnjëherë, me disa sherrnaja të vogla që për të hequr përgjegjësinë nga vetja, shohim se mos e gjemë kund tek aleatët. Çka nuk qëndron. Aleatët, në analizë elektorale, - kushdo që ta bëjë - kanë performuar në mënyrë të shkëlqyer. Kjo përbën një bazë, një detyrim për konsolidimin e mëtejshëm të kësaj Aleance, zgjerimin e saj dhe ecjen me vendosmëri drejt zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013. Ne kemi një leksion të nxjerrë nga qytetarët shqiptarë. Shqiptarët duan koalicione dhe dua t’ju garantoj se, në rast se përpjekjet aventuriere dy vjeçare të dhunës të çdo natyre dështuan, një nga faktorët kryesorë ka qenë spektri i gjerë i koalicionit, morali dhe vlerësimi që qytetarët shqiptarë kanë për koalicionin. Ndaj me durim e përkushtim duhet të ecim drejt zgjerimit të mëtejshëm të tyre, duke dëshmuar se ne jemi forcë, para së gjithash, e vlerave morale dhe jo e makutërisë pushtetare.

Përgjegjësitë janë të mëdha. Projekti Shqipëria - vend i zhvilluar duhet të njohë me këto zgjedhje, një horizont të ri. Unë kam besim të madh se ky projekt do të ecë këto vite, me shpejtësinë më të madhe. Ky besim më shtohet jo vetëm nga arritjet e mëdha që kemi gjer më sot, por edhe për faktin se Tirana, truri, zemra e lokomotiva e zhvillimit të vendit do të marrë tani të gjithë shpejtësinë e zhvillimit, të gjithë përgjegjësinë e zhvillimit më të shpejtë të saj dhe vendit në tërësi. Tirana, nga një metropol i lejeve të ndërtimit të lëshuara si indulgjencat mesjetare, shndërrohet tani në metropolin e tregut të vendit. Imagjinoni! Në Tiranë, falë politikave të kësaj qeverie, numri i bizneseve është dyfishuar, por nuk është shumëfishuar më shumë se në Pukë, në Has apo në Përmet, në një kohë kur potencialet e Tiranës janë pakrahasimisht më të mëdha, janë 50 përqind e të gjitha potencialeve të vendit, në një kohë kur Tirana është qyteti më i kërkuar, më i preferuar për investimet dhe investitorët.

Këto ishin zgjedhje vendore, por për risitë që sollën, këto zgjedhje tejkaluan ndjeshëm karakterin e tyre. Ato hynë në histori. Nuk mund të mohohet se disa akte lënduan e si të mos lëndonin gomat e djegura në rrugë, për të imponuar me forcë kryetarin e bashkisë së Tiranës që nuk kishte marrë vota, rrethimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ultimatumet e kërcënimet ndaj institcuineve kushtetuese. Natyrshëm, këto prishën klimën politike, por këto nuk errësuan, nuk cënuan aspak funksionim e drejtë të shteti ligjor.

Më 8 maj, qytetarët shqiptarë votuan për programet e kandidatëve tanë, votuan politikisht për “Aleancën për qytetarin” dhe Partinë Demokratike, e cila këto vite e ka vendosur Shqipërinë, në rafshin e rendit dhe shtetit ligjor, në rrafshin e zhvillimit ekonomik, në rrafshin social, në rafshin turistik, në shinat e zhvillimit më të shpjetë, se të çdo vendi tjetër. Shqiptarët shprehën besimin e tyre plebishitar tek kjo mazhorancë, sepse kjo mazhorancë e bëri Shqipërinë një nga vendet më të sigurta në Europë. Shqiptarët shprehën besimin plebishitar tek kjo mazhorancë, se kjo mazhorancë e anëtarësoi Shqipërinë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Kjo mazhorancë, me reformat e saj, me vështirësi serioze, ia doli që shqiptarët të lëvizin të lirë në mbarë Europën pa viza. Shqiptarët votuan në mënyrë plebishitare për këtë mazhorancë, sepse ekonomia e tyre reziston në sajë të reformave, në kulmin e një krize kryeson rritjen ekonomike në Europë, çka përbën një garanci të madhe për ecjen, rendjen me shpejtësi drejt projektit ëndërr të çdo shqiptari, Shqipëria - vend i zhvilluar. Ritmet tona janë të pandalshme e të pakrahasueshme. Më lejoni t’ju kujtoj se sipas raporte të besueshme, në vitin 2000, rroga mesatare në Shqipëri ishte gjithsej 119 dollarë, sot, rroga mesatare në Shqipëri është 530-540 dollarë. Sot, rroga minimale në Shqipëri është 220 dollarë. Në vitin 2005, varfëria në vend ishte 18.5 përqind dhe në vitin 2008, u ul në 12.5 përqind, mjerimi ishte 4.3 në vitin 2005, zbriti në 1.3, në vitin 2008. Këto falë politikave të ndjekura. Përsa i përket investimeve të huaja, Shqipëria, në mesataren dhjetëvjeçare, mori gjysmën e investimeve që merrte Maqedonia, e cila kaloi edhe një konflikt të rëndë. Sot, ato janë mbidhjetëfishuar. Turizmi në Shqipëri ishte pothuaj inekzistent apo i papërfillshëm. Sot, Shqipëria është destinacion kryesor turistik i Europës e botës, sipas agjencive turistike. Arsimi në vend ishte në degradim të plotë, ndërsa sot, Shqipëria, në tre tregues, krahasohet me vendet më të zhvilluara. Rekrutimi i fëmijëve në shkollat e mesme ka arritur në 81 përqind, pa ligj për detyrim; rekrutimi i të rinjve që kanë mbaruar shkollat e mesme në shkollat e larta mbi 70 përqind; Shqipëria ka sot, penetrimin e internetit në sistemin arsimor më të lartë, se disa vende ndër më të zhvilluarat e Europës.

Shqiptarët i besojnë projektit të Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Shqipëria - vend i zhvilluar, sepse ata shohin ritme që nuk i kanë imagjinuar. Shqipëria ishte në vitin 2006 një nga vendet me shkallën më të ulët të penetrimit të internetit në Europë dhe nga shkallët më të ulëta në botë dhe sot, shkalla e penetrimit të internetit është rreth 50 përqind. Sot, në një hark kohor disa mujor, 2.2 milionë shqiptarë kanë shfrytëzuar internetin, pas garantimit të internetit falas nga Posta Shqiptare në 510 zyrat e saj. Së shpejti, Posta Shqiptare do të zhvillojë projektin tjetër, ku do t’u japë mundësi shqiptarëve për të pasur internet falas edhe në 1800 pika të tjera të saj dhe kjo përbën një arritje madhore për Shqipërinë dixhitale.

Ne kemi nevojë të kapim me çdo kusht kohën e humbur dhe ne do të bëjmë çdo përpjekje të ecim në projektin Shqipëria - vend i zhvilluar. Ne jemi të vetëdijshëm se në këtë projekt vështirësitë janë serioze, se rruga nuk është një bulevard i shtruar, por është një e përpjetë e lodhshme dhe e mundimshme që mbart gjithnjë frymëzimin e ngjitjes, që të grish, frymëzon e të shton forcat.

Shqipëria - vend i zhvilluar do të thotë kapërcim nga grupi i vendeve me të ardhura të mesme të larta, në grupin e vendeve me të ardhura të larta, do të thotë një përpjekje e gjithanshme e shqiptarëve për të krijuar vlera e pasuri në çdo qoshe të këtij vendi, do të thotë një përpjekje e pashembullt në historinë e tyre për të shrytëzuar të gjitha potencialet e jashtëzakonshme natyrore që kanë, për t’i shndërruar ato në vlera për qytetarët, për familjet e tyre, për Shqipërinë në tërësi. Ne po bëjmë gjithçka me infrastrukturën më moderne që po ndërtojmë. Në një hark kohor pesëvjeçar, si asnjë vend tjetër, ne kemi ndërtuar e asfaltuar 8 mijë kilometra rrugë e mijëra të tjera janë në ndërtim. Brenda vitit të ardhshëm, në vitin e 100 vjetorit të pavarësisë, shqiptarët nga çdo qoshe e këtij vendi do të mund të vijnë në Tiranë, në një kohë 50-70 përqind më të shkurtër, sesa më parë. Ne besojmë në energjinë e qytetarëve shqiptarë, në mrehtësinë dhe mençurinë e tyre, në solidaritetin e tyre familjar, në vendosmërinë e sakrificën e tyre, për të ndërtuar një jetë më të mirë për vete e familjen e tyre, si faktori më përcaktues në realizimin e të gjitha projekteve për Shqipërinë - vend i zhvilluar.

Shqiptarët, pas shekujsh mbrapshtirash, pushtimesh e diktaturash, janë sot, të lirë. Kudo ku ndodhen, ata ndërtojnë të ardhmen e tyre në liri dhe ndryshimet janë të mëdha. Vullneti i tyre për të pasur një të ardhme të merituar është shumë i fuqishëm. Shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë e kudo që ndodhen kanë fatin e madh të kenë para tyre projektin e integrimit në Bashkimin Europian. Është ky projekt udhëheqës e frymëzues që do të realizojë në interesin më të mirë kombëtar për shqiptarët, bashkimin e tyre. Çka do të thotë se ideali kombëtar dhe ideali europian po shkojnë drejt shkrirjes në interesin më të mirë kombëtar të shqiptarëve. Në rrugën tonë asnjë komb nuk ka njohur vështirësitë, dhimbjet, sakrificat që kemi njohur ne, por 20 vitet e fundit janë vitet e solidaritetit më të jashtëzakonshëm të kombeve europiane ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve. Ndaj edhe projekti i integrimit të vendit në Bashkimin Europian do të jetë një projekt panshqiptar, një projekt kombëtar, se kombi është një. Tjetër janë kufijtë administrativë apo shtetërorë, tjetër është shpirti i kombit, i cili nuk ndahet me asgjë. Në këtë kontekst, ne do të bëjmë gjithçka për të zhdukur të gjitha dallimet që ekzistojnë në burokracitë, të njësohen të gjtha praktikat dhe ligjet me Republikën e Kosovës, por të gatshëm për të njëjtën gjë me dy fqinjët tanë të tjerë, Maqedoninë e Malin e zi. Natyrisht, Shqipëria mbetet e vendosur në respektimin e kufijve aktualë, si interesi më i mirë kombëtar. Ata, të cilët u paraqesin shqiptarëve, gjatë 20 viteve, idenë e bashkimit, për të cilën shqiptarët kanë luftuatr e kanë sakrifikuar, duhet të kenë një gjë parasysh, se në interesin më të mirë kombëtar të shqiptarëve është bashkimi me Europën e Bashkuar. Asnjë komb nuk ka humbur troje në mënyrë të tmerrshme, siç kanë humbur shqiptarët. Toka është e përjetshme dhe njerëzit janë udhëtarë mbi të. Shqiptarët, toka nuk kanë për të humbur. Integrimi tyre në Europë, përveçse magneti drejt vlerave të provuara e konsoliduara, është njëkohësisht edhe mënyra më e sigurt e ndërprerjes përfundimtare të vjedhjes, grabitjes, tjetërsimit të trojeve të shqiptarëve, të cilët në asnjë vend nuk kanë qenë gjë tjetër veçse vazhdimësi etnike gjeografike, në asnjë vend nuk janë gjetur si enklavë, nuk kanë asnjë varr të vetëm në toka të të tjerëve. U ndala në këtë moment, sepse tani, spekulantë, njerëz, disa prej të cilëve janë absolutisht, me mungesë totale identiteti shqiptar kombëtar, disa të tjerë mbrojnë një projekt që nuk mohohet se për të, shqiptarët kanë luftuar e sakrifikuar, por duhet të mendojnë në një koktenkst më të gjerë, se interesi kombëtar nuk mbetet fiks, interesi kombëtar evoluon, ka dinamizmine tij, siç ka kombi dinamizmin e tij. Ndaj edhe ne qëndrojmë plotësisht në këtë pozicion, bëjmë çdo përpjekje.

Në Shqipëri ka një problem. Duhet të kemi një gjë parasysh, nuk duhet të mendojmë asnjëherë se ne mund të imponojmë. Ne do të ecim drejt standardeve. Kjo është rruga. Edhe në rast se ka vlerësime të përkohshme, të paqëndrueshme, kjo botë është transparente, Europa është transparente dhe ato marrin përgjigjen. Por ne nuk mund të themi se në Shqipëri nuk është një klimë konfliktuale kur ish kryetari i bashkisë mbushi me plehra bulevardet e vendit, kur rrethonte kryeministrinë për të marrë me dhunë pushtetin, kur digjte gomat dhe i hidhte deputetët e tij për lejet e ndërtimit tek KQZ-ja. Dhe këta janë shqiptarë, të dashur anëtare e anëtarë të Këshillit Kombëtar, të dashur qytetarë, janë pjesë e jona, nuk na i ka sjellë dhe nuk na i ka imponuar askush. Asnjë person, asnjë qeveri, nuk i kërkon zotit Rama të njohë vetëm votën që merr pro dhe të vërsulet kundër votës kundër. Jo! Kjo është pjesë e jona. Ndaj dhe ne qëndrojmë të hapur. Ftesën e zotit Patozi e refuzuan. Ftesa të tjera do të bëhen, përpjekje të tjera do të bëhen, por i garantoj qytetarët shqiptarë se asgjë nuk do mund të mbizotërojë mbi ligjin e Kushtetutën e vendit. Ndën Zotin dhe Kushtetutën, ishte parimi i atyre që ndërtuan demokracitë më të mrekullueshme. Ne qëndrojmë të gatshëm për reforma, qëndrojmë të hapur për dialog, por qëndrojmë të vendosur gjithashtu, në zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Zoti Rama që ka dhuntinë të projektojë disfatë pas disfate për veten e tij, ka dhuntinë të dështojë në çdo nismë që merr, aq sa shpesh më thonë se jam komfort me një kundërshtar si ai. Por jo, nuk është e vërtetë, sepse kundërshtari nuk duhet për këtë. Kundërshtari duhet për garë alternativash, alternativa nga të cilat edhe po nuk more, paguan faturën. Ky është rregulli. Por ai i ka thjeshtuar gjërat, nis çdo betejë për të humbur. Unë e garantoj se do të jem shumë luajal ndaj ligjeve, vlerave e Kushteturës së vendit. Ne kemi moto kryesore reformat, kemi frymëzim dhe projekt kryesor integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Natyrisht, ne nuk mund të udhëheqim opozitën dhe nuk do të bëjmë kurrë tentativa për të udhëhequr opozitën. Ne nuk mund të bindim zotin Rama se zgjedhësit e tij kanë votuar për të dhe deputetët e tij jo për të përdorur pushtetin për bllokim, por për votim. Por zoti Rama ndjehet më i rëndësishëm kur bllokon, sesa kur voton. Ai beson se kështu mori peshë. Të gjitha këto janë llogaritë e tij. Unë besoj se detyra është që opozita të kontrollojë qeverinë në të gjitha qelizat e saj, që opozita të paraqesë alternativat e veta në parlament e kudo, besoj se rruga e krijimit të kredibilitetit, besimit tek qytetarët është jo bllokimi, por ushtrimi i pushtetit në funksion të alternativës. Por siç e dëgjuat, para shqiptarëve dhe botës, ai deklaroi se strategjia e bojkotit dha dhe jep rezultat.

Në zgjedhjet e 8 majit, Partia Demokratike dhe aleatët e saj morën rreth 140 mijë vota më shumë, sesa aleanca për të shkuarën, morën 41 mijë vota më shumë për kandidatët e saj, sesa kandidatët e aleancës së vetmisë, morën 43 mijë vota më shumë në qytetet e vendit, sesa aleanca e kazanit, morën në Tiranë 10 909 vota më shumë. Të gjitha këto, Partia Demokratike i merr si një shkallë përgjegjësie të lartë. Ne jemi forcë politike, ndaj unë po shfrytëzoj rastin t’ju bëj thirrje mbështetësve, anëtarëve, simpatizantëve e drejtuesve tanë të mos konfondojnë qytetarët, mbështetësit e zgjedhësit e Partisë Socialiste apo partive të tjera opozitare, me qëndrimet e një grushti të ngushtë personash të Edi Ramës, të rrethuar nga renegatë të Sali Berishës. Ju konstatoni se prej muajsh të tërë nuk ka më zëra sosialistësh, por vetëm Preçi im, Taku im, tjetri im etj.. Përse i them këto? Kjo përbën një fatkeqësi kombëtare. Këto të pakënaqur me mua, vetëm një problem kanë, Sali Berishën. Unë nuk kam gjë me këtë, por problemi është se ajo është forcë kryesore politike opozitare dhe një forcë politike opozitare ka shtyllat e veta, ka njerëzit e besimit të vet, ajo është edhe parti ideologjike e ka ideologët e vet, të cilët nuk lejohen më në media. Dhe kjo, sepse nuk bilbilojnë si renegatët e mi. Shpresoj dhe uroj që Partia Socialiste të kujtohet se me këta dhe doshët ecën drejt të shkuarës së sigurt. Nuk është as interesi i vendit, as interesi i këtyre, por çdo gjë mund të bëj, por këshilltar i tyre nuk mund të bëhem.

*Fjala e plotë e Kryeministrit Berisha gjatë analizës së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike për zgjedhjet vendore të 8 majit

KOMENTE