English

Avionët zjarrfikës nga Janina vënë nën kontroll zjarrin përballë Vriserasë

Gjirokastër, 24 korrik 2011, NOA Update – Zjarri i fuqishëm i rënë pasditen e të dielës në vendin e quajtur Katund, në Dropullin e Sipërm në Gjirokastër, pikërisht pranë kufirit me Greqinë është drejt shuarjes së plotë.

Policia kufitare e Gjirokastrës bën me dije se masivi pyjor pranë kufirit u përfshi nga zjarri rreth orës 16.00.

Autoritetet e policisë njoftuan se vatra e zjarrit u shfaq nga ana greke e kufirit, por falë erës së fortë ai u përhap me shpejtësi në drejtim të kodrave përballë fshatit Dritë, duke shkrumbuar për pak minuta sipërfaqe të mëdha me kullotë, prralli dhe kocimare.

Dy automjetet zjarrfikës të Gjirokastrës e kishin të vështirë ndërhyrjen për shuarjen e flakëve të përmasave të mëdha, pasi vatra e zjarrit ndodhej në kodrat përballë fshatit Dritë dhe Vrisera të komunës Dropulli i Sipërm, që i përkasin kufirit grek.

Madje sipas autoriteteve vendore edhe shuarja me mjete rrethanore ishte e pamundur pasi intensiteti i zjarrit ishte shumë i lartë, dhe flakët arrinin në lartësinë rreth 3 metra.

U desh ndërhyrja e palës greke në Janinë dhe dërgimi i helikopterëve grekë për të shuar zjarrin që po merrte përmasa tejet të mëdha duke rrezikuar fshatrat e Komunës Dropull i Sipërm.

Policia e Gjirokastrës thotë se pas komunikimit me autoritetet e Janinës rreth orës 17.00 mbërritën në zonën e zjarrit tre avionë zjarrfikës dhe dy helikopterë zjarrfikës të Janinës si dhe një automjet me specialistë të forcave zjarrfikëse të Janinës.

Duke fluturuar mbi Katund përballë fshatit Dritë, avionët grekë hodhën disa herë ujë mbi vatrat e zjarrit në të dyja anët e kufirit.

Rreth orës 19.00 mësohet se zjarri është vënë nën kontroll dhe tani është drejt shuarjes së plotë.

Policia e Gjirokastrës dhe reparti zjarrfikës i zonës mundën të shuajnë disa vatra të vogla të zjarrit e po vijojnë të mbajnë nën vëzhgim vatrat e zjarrit deri në shuarjen e plotë të tij.

Policia e Gjirokastrës nuk bën me dije rrethanat e rënies së zjarrit, i cili erdhi në tokën shqiptare nga ana e kufirit grek.

mit/NOA

KOMENTE