English

Dokufest, Ilic: Rinia ka nevojë për mbështetje, përndryshe talenti i tyre do të humbasë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër Dokufest

Prizren, 24 korrik2011 NOA - Dokufest mbajti sot konferencën për shtyp me të ftuarit e festivalit në Prizren. Këtë konferencë, ku mysafirë ishin dizajneri grafik Mirko Ilic nga Bosnja dhe regjisori i filmave Mohsen Makhmalbaf nga Irani, e drejtoi Drejtori Artistik i Dokufest-it Veton Nurkollari.

Mirko Ilic, i cili shquhet për artin e tij anekënd botës, prezantoi librin e tij më të fundit “Design of Dissent” (Dizajni i Refuzimit). Në këtë libër Ilic ka përmbledhur veprat më të dalluara në botë për dizajn grafik në të cilat artistët kanë shprehur revoltën e tyre përmes artit.

Ilic tha se shtytja e tij për të ardhur në Prizren ishte ftesa që e kishte marrë nga Veton Nurkollari si dhe dëshira të shfaqte tek artistët Kosovarë një qasje më ndryshe të dizajnit - të larguar nga temat komerciale; e përmes së cilës do të dëgjohet zëri i dizajnerëve.

“Rinia ka nevojë për mbështetje, përndryshe talenti i tyre do të humbasë dhe ata do të largohen”, - tha Mirko Ilic. Ai theksoi se liderët Kosovarë duhet të bëjnë më tepër për numrin e madh të talenteve të rinj këtu.

Me dizajnerin Ilic u pajtua edhe regjisori Makhmalbaf i cili shtoi se “në një vend si Kosova, ku shumica e popullatës janë të rinj, edhe filmat duhen tu përshtaten moshave më të reja”. Ai foli për përvojën e tij të mirë në Dokufest, të cilën e shquan si nismë të mirë kulturore dhe për bindjet e mira për Kosovën si vend tanimë paqësor dhe me shumë potencial artistik.

Konferenca mbaroi me ftesë të hapur për ligjëratën e dizajnerit Mirko Ilic sot në ora 16:00 në Hamam të Prizrenit. Në këtë ligjëratë ai foli për dizajnin e inspiruar nga çështjet sociale dhe politike dhe për mënyrat përmes të cilave ilustratorët mund t’i japin zë revoltës së tyre.

e.t/NOA

198

KOMENTE