English

Kuvendi mbi varr

Nga Bardh Frangu

E djathta antikomuniste në Shqipëri, përkatësisht mazhoranca, ka vendosur që mbi varrin e ish-diktatorit Enver Hoxha të ngre një pallat surrealist për institucionin më të lartë të shtetit. E gjithë kjo ndërmarrje dhe i gjithë ky problem i ngritur për këtë, nuk ka më shumë se kuptimin e një simbolike.

Edhe piramida ishte ngritur me këtë qëllim. Ajo duhej të simbolizonte përjetësinë e lavdishme të diktatorit Hoxha. Në një këngë për diktatorin, rapsodi popullor thotë se pesëqind vjet nëna (Shqipëria) priti që në djep Hoxhën ta rriti. Aludimi ishte i qartë: djepi shqiptar ku ishte rritur Skënderbeu, tashmë po zëvendësohej me trupin e bukur të diktatorit. Po edhe kjo nuk ishte e mjaftueshme. Dhe nuk mund të ishte po t’i referohemi analizave të Fromm-it për logjikën e robit.

Kështu shqiptarët shkuan mijëra vite tutje dhe diktatorin e tyre provuan ta barazojnë me fuqinë dhe madhështinë e Keopsit! Ndërtuan piramidën, në majën e së cilës duhej të derdhej dielli i “lirisë” dhe prej aty të shpërndahej nëpër gjithë vendin. Një funksion të tillë orientues e ka edhe piramida e Keopsit. Në fakt kjo piramidë, siç do të shprehej në vargjet e tij shkrimtari ynë më i madh, Ismail Kadare, duhej të ishte fanar në kontinent mes dallgëve dhe rrokopujave. Piramida duhej të shërbente si simbol i komunizmit jo vetëm për shqiptarët, por edhe për gjithë proletarët e botës anë e mbanë.

Kundruar nga ky aspekt, ajo si e tillë ka vlerën e vet historike dhe mund të shërbejë për ruajtjen e kujtesës në përmasat sa të jetë joshëse edhe për të huajt që do të mund ta pasuronin turizmin në këtë vend të ndërtuar mrekullisht nga Zoti. Po çështja është se nëse piramida duhet të ruhet për këtë qëllim, atëherë duhet menduar për një infrastrukturë të plotë të kujtesës historike nga koha e diktaturës më të egër komuniste. Duhet konservuar bunkerët e shumtë, duhet funksionalizuar burgjet, kampet e shumëçka tjetër që ka mbetur si trashëgimi e kësaj kohe të egër. Po shihet qartë se nuk është qëllimi këtu. Qëllimi është që e majta të ruajë simbolin e saj më të dukshëm motivues, duke u mbështetur po në fenomenin e logjikës së robit.

Mbështetur në shfrytëzimin e këtij fenomeni, e majta në Shqipëri edhe përbën forcën më të madhe të vullnetit të popullit, të shprehur nëpërmjet votës së lirë. Në favor të kësaj flet edhe fakti se nëpër rivierën shqiptare, më shumë se me portretin e antikomunistit Berisha, vazhdojnë të shiten filxhanët e kafesë si suvenir me portretin e diktatorit Hoxha. Madje, siç shprehet edhe shitësi i këtyre filxhanëve nga Dibra, proporcioni i shitjes dëshmon edhe proporcionin e dy forcave politike në Shqipëri!

Vërtet zor është ta zhveshësh nga ky simbol këtë objekt të mbetur në formë kërpudhe nga ndërtimet e larta përreth, që janë ngritur pa shije dhe pa plan, duke ia zënë krejt forcën e diellit dhe duke e lënë të vyshket nën hije.

E djathta antikomuniste, sipas një logjike të bartur, do të vazhdojë të ngulë këmbë në ndërtimin e simboleve të veta. Berisha kërkon që në njëqindvjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit të bëjë një pallat surrealist dhe atë mu mbi varrin e diktatorit. Në një mënyrë, ai të kujton diktatorin kinez, i cili, siç e përshkruan Borhesi në esenë e tij “Muri dhe librat”, kërkon që ta shlyejë të kaluarën e ndodhur para vendosjes së pushtetit të tij. Për hir të vërtetës duhet thënë se mbase e kaluara nuk është shlyer as në vendet e ish-bllokut komunist, por pak vende kanë mbetur si Shqipëria që nuk kanë bërë prerje të natyrshme nga kjo e kaluar.

Vetëm po t’i shikoni ata tipa, kryesisht nga fusha e medias, si kaq ashpër mbrojnë piramidën, do të bindeni për këtë. Shumica nga ta o ishin bashkëpunëtorë të egër të sigurimit të diktatorit, o pasardhës të tyre nga bindja dhe gjaku. Ky fakt mbase të zvogëlon motivin për mbrojtjen e kësaj piramide si vlerë kulturore, ndërsa i gjithë potenciali krijues dhe artistik i kohës është provuar të derdhet në të. Mbase ky fakt edhe në një mënyrë e bart të drejtën në anën e Berishës. Motivin që të jesh për apo kundër ta humbë edhe fakti se kjo luftë mes kampeve politike ka vetëm një qëllim: dominimin në pushtet.

Kështu edhe me rastin e problematizimit të piramidës, ne shohim sa e egër është lufta që dy blloqet politike bëjnë nëpërmjet megafonave të tyre. Ndërsa në televizionin TCH shfaqen pamje nga protesta në mbrojtje të piramidës, në Klan shohim pamje ekskluzive nga jeta dhe vepra e diktatorit Hoxha. Po cila në fakt është e vërteta që qytetari i zakonshëm shqiptar duhet ta besojë? Zor është të thuhet, ndërsa ky qytetari është klientelizuar dhe vazhdon të jetojë në një shoqëri të mbyllur, pa forcë që ta shfaq lirinë individuale.

E meqë fjala është për një luftë simbolesh, edhe po të rrënohet piramida dhe po të ngrihet mbi te pallati i Parlamentit shqiptar, simboli sërish do të jetë funksional, vetëm se do të ndërrojë formën. Kuvendarët shqiptarë që, të shndërruar nga lepujt në qen, u mësuan të kultivojnë gjuhën më të pistë në kontinentin tonë, do të vazhdojnë të lehin në hapësirën fiktive të varrit të diktatorit. Socialistët e kuq do të vuajnë nga nostalgjia, ndërsa demokratët e zinj do të vazhdojnë të mburren me veprat e tyre antikomuniste. Qytetarët do të vazhdojnë të jenë spektatorë të zakonshëm si në garat e gladiatorëve.

NOA

KOMENTE