English

Nis me debat mbledhja e Këshillit Bashkiak, Begeja: Historik konstituimi i këtij këshilli

Tiranë, 25 korrik 2011, NOA Update – Mbledhja e Këshillit të ri Bashkiak të Tiranës ka nisur që në krye të saj me replika nga anëtarët socialistë në Këshill për rendin e mbledhjes.

Këshilltari socialist Aldrin Dalipi i bëri thirrje sekretarit Vladimir Gjonaj të mos e nisë mbledhjen së prapthi duke shkelur rregulloren e ditës.

“Të mos e nisim mbledhjen mbrapsht, mos e nisni ashtu siç bëtë edhe zgjedhjen e kryebashkiakut. Këto histori janë të turpshme”, tha Dalipi, duke theksuar se “nuk e dimë ç’farë do të bëjmë sot”.

Por, më pas ka replikuar këshilltari demokrat Ferdinand Poni, i cili kërkoi hedhjen në votim të rendit të ditës për mandatimin e këshilltarëve.

Mandej sekretari Gjonaj ia dha fjalën këshilltarit më të vjetër, Maksim Begesë.

Zoti Begeja tha se Tirana duhet të menaxhohet me metoda moderne.

“Çdo përpjekje për të penguar punën e bashkisë do të ishte në dëm të kryeqytetit”, tha këshilltari i djathtë Begeja, duke theksuar se kryebashkiaku i ri i Tiranës Lulzim Basha gëzon një personalitet të palëkundur qytetar dhe intelektual.

Në fund të fjalës së tij këshilltari Begeja i kërkoi bashkëpunim këshilltarëve të opozitës në Këshillin Bashkiak, duke e cilësuar historik konstituimin e këtij këshilli.

Mandej në fund të fjalës së tij, anëtari më i vjetër i Këshillit Bashkiak kërkoi nisjen e procedurës për verifikimin e mandateve të këshilltarëve socialistë, duke votuar edhe komisionin e verifikimit dhe miratimit të mandateve i përbërë nga tre këshilltarë.

Pas miratimit të 55 anëtarët e këshillit do të betohen dhe do të zgjedhin kryetarin dhe nënkryetarin e Këshillit Bashkiak.

Vetëm pas konstituimit të Këshillit pritet betimi i kryebashkiakut Lulzim Basha.

Në zgjedhjet administrative të 8 majit, koalicioni qeveritar “Aleanca për Qytetarin” siguroi mazhorancën e vendeve në Këshillin Bashkiak të Tiranës duke fituar 28 këshilltarë, ndërkohë që koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen” 27 këshilltarë.

Përkatësisht brenda koalicionit “Aleanca për Qytetarin” PD ka fituar 19 këshilltarë; 5 këshilltarë LSI, 2 këshilltarë PDIU; 1 këshilltar PR dhe 1 PLL.

Ndërsa në koalicionin “Aleanca për të Ardhmen” 25 këshilltarë i takojnë PS-së; 1 këshilltar PDS-së dhe 1 këshilltar PSV 91.

Tashmë pritet të zgjidhen kryetari i këshillit, nënkryetari, vende që pritet të merren nga koalicioni qeveritar. Vijon...

mit/NOA

KOMENTE