English

Jorida Tabaku, nënkryetare e bashkisë: Punësimi, sfida jonë

Tiranë, 26 korrik 2011 NOA/ Albana Qehajaj – Jorida Tabaku, do të vazhdojë të mbetet krahu i djathtë i kryetarit të ri, Lulzim Basha në drejtimin e bashkisë së Tiranës. Tabaku, e cila ka qenë një prej bashkëpunëtoreve më të ngushta të Bashës gjatë fushatës zgjedhore të 8 Majit, është prezantuar nga Basha si nënkryetarja e re e bashkisë më të madhe në vend.

Në konferencën e parë për shtyp, në ambientet e zyrës së tij, kryebashkiaku Basha ka deklaruar se emërimi i Jorida Tabakut është në përputhje të plotë me frymën që ka përfshirë tanimë bashkinë.

“Kam besim të plotë se, shërbimi ndaj qytetarëve do të jetë refren i përhershsëm i punës së nënkryetares së re.

Nisur nga eksperienca e saj akademike, unë do t’i kerkoj te angazhohet në zhvillimin ekonomik dhe punësimin”, ka deklaruar kryebashkiaku Basha.

Sipas tij, puna e stafit të ri të bashkisë është afatgjatë ku puna me të rinjtë është një aspekt i rëndësishëm.

Nënkryetarja e sapoemëruar, Jorida Tabaku e cilësoi si ambicioz portofolin e saj zyrtar të lidhur kryesisht me punësimin dhe investimet e huaja.

“Punësimi është sfida e ardhshme për bashkinë e Tiranës. Kryeqyteti ynë ka pësuar shumë ndryshime, por ka shumë potenciale ende të pashfrytëzuara.

Unë jam e sigurtë që ndryshimët që do të bëjmë do të ndikojnë për përmirësimin e jetës së qytetarëve”, është shprehur Tabaku.

Ajo tha se “Tirana është e para” nuk është sllogan elektoral, por një mision që do ta realizohet me punën e përbashkët.

Jorida Tabaku dha dorëheqjen nga posti i zv/ministres së Integrimit.

Ajo është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Tiranës, në degën e Administrim Biznesit, “Doktor i Shkencave” në fushën e sipërmarrjes dhe financimit të biznesit të vogël.

Që nga viti 2002, ajo ka punuar si lektore në Fakultetin e Ekonomisë së Universitetit të Tiranës. Prej vitit 2001 ajo është anëtare e PD-së. Për mëse 5 vjet ajo ka ofruar konsulencë në kuadrin e një projekti të DFID, për shumë ministri të linjës në fushën e hartimit të politikave dhe buxhetimit.

a.q/NOA

KOMENTE