English

Thaçi: Me bujqësinë do rrisim standardin jetësor të komunitetit rural

Prishtinë, 26 korrik 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi nënshkroi sot së bashku me përfaqësuesin e Bankës Botërore për Kosovën, Ranjit Najak marrëveshjen për financimin e projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.

Në fjalën e dhënë për mediat Thaçi theksoi se, “Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore po finalizojnë një projekt të rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen, Banka Botërore në qershor ka miratuar një kredi të butë në vlerë prej 20 milion dollarë me zero normë interesi dhe 20 vite periudhë maturimi. Projekti i zhvillimit rural dhe bujqësor në Kosovë do të fillojë në janar të viti 2012 dhe do të përfundojë në korrik të vitit 2017”.

Ai shtoi gjithashtu se objektivi i projektit është nxitja e konkurrencës dhe zhvillimi i sektorëve të blegtorisë dhe hortikulturës gjatë viteve të ardhshme në bazë të strategjisë për zhvillimin e bujqësisë.

Sipas tij, në nivel kombëtar projekti do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve brenda ministrisë së Bujqësisë, ndërsa në nivelin lokal do të mbështeten pronarët e fermave si dhe potencialet e agro përpunimit.

Ndërkaq projekti synon të nxis rritjen ekonomike dhe konkurrencën në sektorin e bujqësisë duke stimuluar produktivitetin dhe për të ngritur standardin jetësor të komunitetit rural.

Më tej ai falënderoi Bankën Botërore dhe shefin e Bankës Botërore këtu në Prishtinë Nayak për një bashkëpunim të mirë me Qeverinë e Kosovës.

Thaçi tha ndërkaq se Qeveria e Kosovës do ta trajtojë bujqësinë si prioritet në zhvillimin ekonomik të vendit.

Me këtë rast ai falënderoi edhe ministrin Stavileci për punën e mirë dhe të shkëlqyeshme që ka bërë për realizimin e këtij projekti.

Ndërsa përfaqësuesi i Bankës Botërore Ranjit Najak falenderoi kryeministrin Thaçi dhe ministrin e Bujqësisë, Blerand Stavileci lidhur me këtë projekt të rëndësishëm për bujqësinë kosovare.

“Projekti për zhvillimin rural dhe të bujqësisë është miratuar në Uashington dhe do të mbështesë këtë sektor në përputhje me politikat evropiane të UNOPS-it. Shpresoj se ky projekt të zhvillohet sa më shumë sepse është projekt i rëndësisë së madhe kombëtare”, theksoi Ranjit Najak.

a.y/NOA

KOMENTE