English

KFOR merr nën kontroll pikën kufitare të Jarinjës

Mitrovicë, 28 korrik 2011, NOA – Pas tensionit të mbrëmshëm në Mitrovicën veriore dhe djegies nga ekstremistë serbë të pikës doganore të Jarinjës, trupat amerikane të KFOR-it vendosën të kontrollojnë këtë vendkalim kufitar deri në arritjen e një marrëveshjeje për vendosjen e shërbimeve kufitare të Kosovës.

Vendimi u bë publik nga zëdhënësi i KFOR-it, Hans Diter Vihter, i cili theksoi se marrëveshja parashikon që kjo pikë kufitare të kontrollohet vetëm nga trupat e KFOR-it, deri në kthimin në kushte normale pas demolimit dhe djegies së saj.

Sipas tij, prania ushtarake e KFOR-it amerikan do të jetë në funksion të sigurimit të terrenit dhe parandalimit të kontrabandës, deri në përtëritjen e pikës kufitare Jarinjë.

Vihter ka theksuar se të gjithë ata që shfrytëzojë këtë vendkalim kufitar deri në përtëritjen e tij, janë të paralajmëruar që të mbajnë llogari për veten.

Zëdhënësi i KFOR-it informoi se ndryshe nga Jarinja, pika e kalimit kufitar në Bërnjakë do të jetë nën përkujdesjen e KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.

Mediat serbe theksuan se marrëveshja u arrit midis komandantit të KFOR-it, Erhard Byler, negociatorit serb Borko Stefanoviç si dhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç.

Ekipe të zjarrfikësve nga Leposaviçi një orë pasmesnate kanë shuar zjarrin dhe pastruar terrenin nga demolimet dhe djegia e objekteve dhe mjeteve transportuese kufitare.

Mbi 40 serbë të armatosur dhe me përzierje bombash molotov dogjën natën e të mërkurës pikën e kalimit kufitar Jarinjë, për të kundërshtuar praninë e Policisë së Kosovës në këtë pikë të kalimit kufitar.

Ndërkohë, vetë trupat e KFOR-it një orë para mesnate janë sulmuar sërish me armë zjarri nga serbët në pjesën veriore të Kosovës, gjatë shpërndarjes së tyre për rritjen e masave të sigurisë.

Lajmi e bënë publik burime nga trupat ndërkombëtare të KFOR-it.

Deri më tani nuk ka të dhëna për të plagosur.

Trupat e KFOR-it po tentojnë të vendosin nën kontroll të plotë dhe të evitojnë situatën e tensionuar në afërsi të dy pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjakë, informon agjencia e lajmeve INA.

Ushtarët amerikanë janë vendosur në pikën kufitare Jarinjë, ndërsa trupat gjermane janë vendosur në pikën kufitare Brnjakë.

KFOR ka bllokuar urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

Ndërsa në pjesën jugore të Mitrovicës janë të pranishme edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

Autoritetet ndërkombëtare të NATO-s kanë kërkuar nga Beogradi që të sigurojnë rendin dhe paqen dhe të parandalojnë ekstremistët serbë nga Serbia.

Në pjesën veriore të urës ishin tubuar dhjetëra serb të cilët kanë ndjekur situatën.

Më pas, komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Erhard Byler deklaroi se situata në veri është e qetë dhe nën kontrollin e trupave të KFOR-it.

"Kemi shtuar praninë e KFOR-it dhe jemi të gatshëm për të ruajtur rendin dhe qetësinë në këtë pjesë. Ka pasur spekulime të ndryshme, mirëpo situata është e qetë dhe ne jemi të gatshëm të mbrojmë pikat kufitare", deklaroi gjenerali gjerman në një intervistë për RTK.

Komandanti Byler ka porositur të gjithë ekstremistët se KFOR-it se është i gatshëm dhe i aftë për të siguruar rendin dhe qetësinë dhe ka të gjitha kompetencat për të realizuar këtë.

Lidhur me aktet në veri ka reaguar edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Cathrin Ashton, e cila dënoi dhunën në veri të Kosovës.

Baronesha Ashton i kërkoi Prishtinës dhe Beogradi të marrin përgjegjësitë mbi ngjarjet dhe të shmangin tensionet e të vendosin paqen dhe sigurinë për të gjithë.

Ajo tha se ka pasur biseda telefonike me presidentin serb Boris Tadiç dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilëve i ka shprehur shqetësimin dhe u ka kërkuar të mbajnë përgjegjësitë e tyre.

mit/NOA

KOMENTE