English

Takimi urgjent i KS, mediat kosovare: Serbia nuk ka siguruar mbështetjen

Nju Jork, 28 korrik 2011, NOA - Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka udhëtuar për në Nju Jork, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të KB-së. Diplomatët thanë se bisedimet do të mbahen me dyer të mbyllura dhe nuk do të ketë sesion të hapur, e cila ishte kërkesë e Beogradit. Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë se kjo çështje mund të presë derisa të mbahet takimi i rregullt për Kosovën, në muajin e ardhshëm, por megjithatë Këshilli ka arritur kompromis dhe ka rënë dakord që takimi të mbahet.

Kërkesa në KS të OKB-së është bërë para se të digjen nga serbët pikat kufitare në veri dhe tanimë, situata e krijuar nuk e nënshtron Serbisë, pasi do të ballafaqohej me kritika për situatën e fundit.

Ndërkaq, mediat kosovare gjatë pasdites kanë raportuar se Serbia ende nuk ka arritur të mbledh nënshkrimet e nevojshme nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit për të mbajtur këtë mbledhje. Ministri serb Jeremic, gjendet në Nju York, në takime me përfaqësues të KS të OKB-së.

Sipas burimeve të mediave kosovare, brenda Ministrisë së Jashtme të Kosovës kanë thënë se situata ende mbetet e paqartë nëse do të mbahet mbledhja, pasi Serbia njoftohet se ende nuk e ka përkrahjen e mjaftueshme për të mbajtur mbledhjen. Kërkesa e Serbisë për këtë mbledhje është mbështetur edhe nga Rusia, e cila gjithashtu ka kërkuar që të ketë takim të hapur të KS, kërkese kjo që nuk është pranuar nga diplomatët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe Francës, të cilët thonë se kjo çështje mund të presë deri në takimin e radhës për Kosovën të KS. Mbledhja e KS të OKB-së është paralajmëruar të mbahet në orën 21:00.

a.q/NOA

KOMENTE