English

Kritika e saktë dhe motivimi i lig

Nga Mustafa Nano

Në numrin e djeshëm të “Panoramës”, në faqen 16 të opinioneve, ishin publikuar dy shkrime, njëri i Eva Allushit, socialiste e zemëruar me udhëheqjen e partisë së vet, dhe tjetri i Balil Gjinit, demokrat, gjithashtu i zemëruar me krerët e partisë së tij. Kritikat e vëzhgimet e tyre ishin të natyrës morale. “Mos e besoni Edi Ramën kur ndërton e prish aleanca mbi bazë morali”, thosh e para. Dhe s’do mend që ka të drejtë. “Njerëzit e Pollos kanë privatizuar Partinë Demokratike të Beratit; e njëjta gjë po ndodh gjithandej, edhe në qendër”, nënvizonte i dyti. Afërmendsh, ka të drejtë dhe ky.

Janë shtuar shumë kritikat e kësaj natyre kohët e fundit. Ç’tregon kjo? Unë nuk di motivimet e personave që përmenda pak më sipër (nuk njoh as njërin, as tjetrin), por më duhet të them se motivimet, mbi të cilat ngrihet një kritikë, janë më të rëndësishme se sa vetë kritika. Kjo gjë mund të thuhet në radhë të parë e mbi të gjitha për Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën, etj., të cilët në të shumtën e kohës bëjnë kritika e denoncime përgjithësisht të drejta në adresë të sho-shoqit, por e gjithë kjo s’ka asnjë vlerë, pasi motivimet e tyre janë egoiste, imorale, hileqare. Janë këta, që bartin e promovojnë një kulturë të shtirjes e dyfytyrësisë, e cila, për hir të së vërtetës, ka ekzistuar edhe përpara tyre në Shqipëri. Por këto kohë është përhapur si një flamë.

Të gjithë kritikojmë këtyre anëve. S’besoj se ka ndonjë vend tjetër ku kritikat janë kaq të shumta. Kudo, në televizion, në gazeta, në botën online, në bisedat tona të përditshme, ne veç kritikojmë. Mirëpo kjo s’ka vlerë për sa kohë që kritikat ngrihen mbi motivime të liga. Dhe kam frikë se, me shumë pak përjashtime, kritikat ngrihen mbi motivime të tilla. Çfarë verifikohet rëndom në Shqipëri është shumë e thjeshtë: “X-i bën çmos t’i ngjitet pas një partie, t’i bjerë në sy udhëheqësit, t’i japë prova devocioni dhe t’i japë atij të kuptojë se mund të mbështetet pa frikë mbi X-in, dhe e gjithë kjo me shpresën se do të shpërblehet me poste sa kohë që partia është në pushtet, apo nga momenti që partia do të vijë në pushtet; e sa kohë vazhdon kjo kacavjerrje, X-it nuk i shkon mendja të flasë për ideale, për moral, etj., apo të bëjë kritika; X-i, dhe të tjerë si ai, kujtohen që morali e idealet ekzistojnë, e që mund të bëhen kritika, në momentin që udhëheqësi i lë pas dore, e sa herë që ndjejnë se të tjerë janë duke përfituar më shumë se ta”. Kjo është fabula e njohur dhe e vjetër shqiptare.

Mos vallë jam duke thënë se pas çdo kritike duhet të shohim një qejfmbetje banale të personit që kritikon? Jo, kjo do të thoshte që të paragjykonim çdo njeri e çdo qëndrim. Unë po them një gjë pak ndryshe: personalisht, pas çdo kritike më ka qëlluar të shoh shpesh një qejfmbetje banale, një interes individual të prekur, një ambicie personale të papërmbushur. Para ca ditësh lexova një intervistë të një njeriu të artit, në të cilën ai shpërthente kundër administratës që merret me kulturën e kundër establishmentit politik të vendit; është po ky artist që, përpara dy vjetësh, në një aktivitet ku merrte pjesë kryeministri, nuk la gjest pa bërë në mënyrë që t’i binte në sy këtij të fundit. Dhe i ra në sy. Veç ta shihnit se sa i lumtur ish kur mundi t’i jepte dorën. Pas asaj temenaje ka pritur pak vëmendje nga pushteti. Prit, prit, prit, e gjë s’erdhi. E më fund shpërtheu. E në intervistë nuk e fshihte që zemërimin e kish për këtë arsye. “Më kanë lënë pas dore”, thosh. Vini re: nuk thosh, që kanë lënë pas dore njerëzit e zotë, etj., etj., por thosh që “më kanë lënë pas dore”.

Një personazh tjetër që vjen vërdallë në këto ujëra e ka emrin Kastriot Islami. Tani është radha që ai të bëjë kritika për Edi Ramën. Dhe e bukura është se të gjitha kritikat që thotë janë të drejta, ashtu siç kanë qenë të drejta kritikat që i bënin Berishës Tritan Shehu, Genc Ruli, Genc Pollo, Neritan Ceka etj., për vite e vite me radhë. Mirëpo problemi s’është tek kritikat; është tek motivimi, mbi të cilin ngrihen këto kritika. “N’daç t’ma varë Rama, n’daç mos t’ma varë, unë deputet do bëhem”, tha ai para ca javësh. Hm, sikur ne shqiptarët të ndërtonim një monument të mercenarizmit (dhe na takon ta ndërtojmë; po s’e ndërtuam ne, kush duhet ta ndërtojë?), kjo thënie e Islamit do të ishte fraza e duhur për t’u gdhendur në bazamentin prej guri të këtij monumenti.

Në krahun tjetër, të shpërfillurit apo të sulmuarit prej Berishës e ngrenë zërin më pak. Kritika bëjnë, sidoqoftë: “Partia Demokratike është në dorë të një klani, në dorë të një personi, në dorë të një familjeje etj.”. Por i thonë tani, kur e morën vesh njëherë e mirë që Berisha nuk i ka fare në hesap. Deri tani kanë qenë me shpresën se Berisha, për një interes të vetin, mund të vazhdonte t’i mbante pas vetes. Tani që e fjetën mendjen se Berisha ka zgjedhur të tjerë në vend të tyre, do të vijojnë me kritika; madje, do t’i bëjnë më të ashpra këto kritika (nëse s’kanë ndonjë frikë të një natyre tjetër, kuptohet).

Jam duke ndjekur me vëmendje lëvizjet e çamëve në politikë. Në zgjedhjet e 8 majit, ata korrën një rezultat të papritur. Sa kohë që s’ishin në pushtet e s’kishin këtë peshë elektorale, goja e tyre ish ca e hapur. Tani kanë zënë të mos e hapin shumë. U ka shkuar mendja që mund e duhet të marrin pushtet. E dihet, që goja hapet kur s’ke ç’të humbësh, e jo kur ke se ç’të marrësh.

Ka një ndryshim në këtë mes, megjithatë. Zgjedhësit çamë vendosën t’ua besojnë atyre kauzën e njohur, e cila është një kauzë më e vështirë për t’u braktisur. Një socialist mund të vendosë një ditë të mos jetë socialist (nëse ka qenë); po kështu, dhe një demokrat. Por një çam nuk mund të vendosë të mos jetë çam, e në këtë kuptim atë kauzë nuk mund ta shesë dot. Në teori. Ai mund t’mos e zgjidhë kurrë atë kauzë, por nuk mund ta shesë. Përsëris: në teori. Po pse e përsërita këtë: në teori? E përsërita, se kam frikë që pak syresh, fare pak, e kanë mendjen tek kauza; të tjerët e kanë mendjen tek postet, portofolat ministrorë, paratë, interesat etj. “Janë kockë e fortë çamët për Berishën”, thonë. Mirëpo Berisha e di mirë, se çamët janë shqiptarë, rrjedhimisht për ta, kur janë përballë mundësisë për të fituar, kauza çame mund të mos ketë ndryshim nga kauza e doganierëve. E kam gabim? Të shohim. Shumë shpejt do ta marrim vesh, se çfarë çmimi ka çështja çame. Se një çmim kam frikë se e ka për secilin çam që ka marrë përsipër ta përfaqësojë atë kauzë.

Në fund, është mirë të theksohet një gjë, që nuk para thuhet. Kritikat bëhen me synimin për të dobësuar pozitat e autoriteteve që kritikojmë. Por nëse këto kritika i bëjmë mbi motivime egoiste e interesash banale, udhëheqësit e paudhë jo vetëm nuk i gjen gjë, por dalin më të fortë. Sa më të shumta e agresive të jenë kritika të tilla, aq më i fortë dhe më i lig, bëhet leader-i i kritikuar. Për këtë s’ka nevoja të japësh prova.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE