English

Mete: CEZ rikthe energjinë elektrike, presioni i papranueshëm

Tiranë, 5 gusht 2011, NOA- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka reaguar lidhur me ndërprerjet e energjisë elektrike në disa qytete të vendit.

Nëpërmjet një deklarate të prerë METE thekson se prej disa kohësh është duke ndjekur me shqetësim situatën e krijuar në disa qytete të vendit pas ndërprerjes së energjisë elektrike të ndërmarrjeve të ujësjellësve nga kompania CEZ Shpërndarje.

Lidhur me këtë situatë nga kjo ministri i ka bërë thirrje kompanisë CEZ Shpërndarje që të rilidhë menjëherë energjinë elektrike për ndërmarrjet e ujësjellësave, duke i dhënë fund situatës së krijuar në disa qytete të vendit, sidomos në zonat turistike si dhe i bën me dije kompanisë CEZ Shpërndarje se këto veprime nuk i shërbejnë zgjidhjes së problemit të detyrimeve financiare që CEZ ka ndaj institucioneve shtetërore.

Më tej nga ana e kësaj ministrie është bërë thirrje për drejtuesit e kësaj kompanie që të marrin të gjitha masat për sigurimin e energjisë elektrike në këto zona, duke respektuar në këtë mënyrë detyrimet që ka kjo kompani sipas Deklaratës Rregullatore.

Sakaq METE thekson se, në interesin më të mirë të qytetarëve dhe turistëve, e konsideron të papranueshëm çdo mekanizëm presioni për arkëtimet e borxheve ndaj ujësjellës-kanalizimeve, duke vlerësuar se nuk është kjo rruga e zgjidhjes së problemit, por është menaxhimi i keq i kësaj kompanie në drejtim të mbledhjes së të ardhurave, e cila mban përgjegjësi të plotë për situatën e krijuar.

Ndër të tjera METE sqaron se, në bashkëpunim me institucionet e tjera, ka marrë të gjitha masat e duhura ligjore për shlyerjen në kohë të detyrime të ujësjellës-kanalizimeve ndaj CEZ, por njëkohësisht kërkojmë impenjim serioz nga drejtuesit e kësaj kompanie për shlyerjen e detyrimeve disa herë më të mëdha që kjo kompani ka ndaj dy kompanive KESH dhe OST.

Ndërkaq METE i bën me dije opinionin publik se ka ngritur një Grup Pune për të parë mundësinë e liberalizimit të tregut të shpërndarjes së energjisë elektrike.

Reagimi i Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës vjen pas shqetësimit të ngritur në vijimësi nga ana e banorëve për mungesë të furnizimit me energji elektrike.

a.y/NOA

KOMENTE