Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
A ka vdekur “Projekti Europian”?
English

A ka vdekur “Projekti Europian”?

54 vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, i cili shënoi fillimin e realizimit të “Projektit Europian”, vetë europianët vazhdojnë të jenë të pasigurt se cila është Europa që ata po krijojnë, ose që duan të krijojnë

Nga Fatos Tarifa

Në mes të viteve 1990, ishin të shumtë ata që mendonin se Europa e bashkuar ofronte një “model për mënyrën se si do të organizohej bota në shekullin e 21-të”. Sipas tyre, Europa po e udhëhiqte botën në një “epokë postmoderne”, në të cilën interesat kombëtare të shteteve dhe politika e fuqisë do ua linin vendin të drejtës ndërkombëtare, institucioneve supranacionale dhe “sovranitetit në ortakësi”. Andrew Moravcsik përpiqet madje të argumentojë se Europa është bërë sot “fuqia kryesore civile e botës”, e cila, nëpërmjet “një sërë instrumentesh civile”, projekton një influencë dominuese në një “sistem global gjithnjë e më paqësor dhe bashkëpunues”. Fatkeqësisht, edhe sot ka njerëz naivë, të cilët besojnë sinqerisht se bota po ndjek të njëjtën rrugë që ka ndjekur Bashkimi Europian. Nëse gjërat shihen me realizëm, Europa nuk është zhvilluar si një shtet “post-modern”, “post-westfalian”, apo si një “post-nation-state”, jashtë strukturave të sistemit shtetëror, për t’u bërë eventualisht avangarda e rendit të ardhshëm botëror, në të cilin marrëveshjet dhe institucionet juridike ndërkombëtare që synojnë zbatimin e normave humanitare do të mund të parandalonin çdo konflikt midis shteteve dhe çdo burim të luftrave. 54 vjet pas nënshkrimit të Traktatit të Romës, i cili shënoi fillimin e realizimit të “Projektit Europian”, vetë europianët vazhdojnë të jenë të pasigurt se cila është Europa që ata po krijojnë, ose që duan të krijojnë: A është kjo Europa të cilën projektoi Jean Monnet, apo Europa që donte të krijonte Charles de Gaulle? Europa për të cilën punoi Helmut Kohl apo ajo për të cilën fliste Margaret Thatcher? Europa që përfytyronte Giulio Andreotti, apo ajo që dëshiron Silvio Bersconi? Europa që imagjinon Vaclav Havel apo ajo që donte të konservonte Jacques Chirac? Europa që kërkonte Gerhard Schröder apo ajo që përpiqen të krijojnë Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy? Askush nuk e vë në dyshim faktin që unifikimi europian ka bërë progres shumë të madh qysh nga fillimet e pasigurta të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, siç kanë vënë në dukje John Hulsman dhe William Schirano, në vend që të ushqejnë iluzione mbi një Europë të bashkuar si një projekt post-modern dhe si liderja e ardhshme e globit, “europianët duhet të pranojnë realitetin e një Europe të përbërë nga shtete të pavarura kombëtare, ku BE vazhon të luajë një rol, por ama një rol dytësor në përcaktimin e fatit politik të kontinentit”. Institucionet qendrore të BE-së vazhdojnë të kritikohen gjerësisht për mungesë efektiviteti dhe, akoma më shumë, për deficitin e legjitimitetit të tyre demokratik për shkak të mungesës si të lidhjeve me qytetarët europianë, ashtu edhe të procedurave llogaridhënëse ndaj tyre. Pierre Manent, në librin e tij Një botë përtej politikës, shkruan se “europianët janë përfshirë në një aventurë të pasigurt për të ndërtuar një demokraci pa një popull”, duke besuar se “e ardhmja e tyre kërkon një ndarje të plotë nga e kaluara e tyre dhe se, për këtë arsye, përkatësia e tyre në këtë apo atë popull duhet të zhvishet nga çdo kuptim politik specifik”. Sipas tij, ndërsa “amerikanët duket se gjithnjë e më shumë e identifikojnë çdo gjë që ata bëjnë-dhe çdo gjë që ata janë-me demokracinë... europianët përpiqen t’i ndajnë virtytet e tyre demokratike nga të gjitha karakteristikat e tjera të tyre dhe, në këtë mënyrë, të shkëputen nga mëkatet e tyre të së kaluarës”. Bashkimi Europian ndoshta nuk do të jetë asnjëherë në gjendje të sigurojë atë unitet në marrjen e vendimeve që e gjejmë në SHBA, apo në të gjitha fuqitë e mëdha tradicionale, sidomos kur është fjala për krijimin dhe zbatimin e një politike të përbashkët europiane të jashtme, të mbrojtjes dhe të sigurisë, e cila t’i shërbente një interesi të përbashkët europian. Arsyeja është e thjeshtë: nuk ka një “interes kombëtar europian”. Në fushën e politikës së jashtme, BE-së i mungon ajo çfarë Robert Schuman e quante “solidaritet de facto”. A mund të përfytyroni dot, qoftë edhe për një çast, një Bashkim Europian, në të cilin Franca dhe Britania e Madhe të bashkojnë kapacitetet e tyre ushtarake konvencionale dhe nukleare, Gjermania të kërkojë-për shkak të përmasave (sipërfaqes dhe popullsisë) dhe të potencialeve të saj-një rol ushtarak dominues, ndërsa të gjitha vendet e tjera anëtare të BE-së të heqin dorë nga sovraniteti i tyre kombëtar? Po kështu, a mund të përfytyroni dot që Europa të ketë dhe të mobilizojë, sot apo në një të ardhme të afërt, një ushtri të vetën, jashtë strukturave të NATO-s, ose të dërgojë qindra mijëra trupa të vetat në territore jashtë saj? Në Bashkimin Europian nuk gjen as kohezion të brendshëm apo solidaritet dhe as vullnet politik për të pasur një politikë të përbashkët europiane të jashtme apo të sigurisë. Kjo e vërtetë e thjeshtë është manifestuar qartë të paktën dy herë gjatë këtyre 20 vjetëve të fundit. Herën e parë, si farsë, gjatë pushtimit të Kuvajtit nga Iraku më 1990. Në atë kohë Gjermania ishte në agoni për dërgimin e një numri të vogël avionësh stërvitorë në Turqi; Franca dërgoi në Gjirin Persik vetëm një anije aeroplan-mbajtëse me helikopterë dhe jo me avionë; ndërsa Belgjika refuzoi t’i shiste municion ushtrisë britanike. Herën e dytë, si tragjedi, gjatë luftrave që shoqëruan shkatërrimin e Jugosllavisë së Miloshevicit në vitet 1990. Vendet anëtare të BE-së nuk kanë pranuar deri më sot t’ia transferojnë sovranitetin dhe autoritetin e tyre për çështjet e politikës së jashtme Brukselit nëpërmjet ndonjë marrëveshjeje apo traktati detyrues dhe nuk duket se kanë dëshirë ta bëjnë këtë edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, SHBA e ka të vështirë të dialogojë me Bashkimin Europian mbi çështje të politikës globale, pasi BE-ja nuk ka një “identitet diplomatik”, pra as legjitimitetin dhe autoritetin që të flasë në emër të të gjitha qeverive të vendeve që janë anëtare të saj, apo në emër të një vendi të veçantë. Edhe pse me Traktatin e Amsterdamit të vitit 1998 u vendos krijimi i postit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (post i cili mori kompetenca të reja me Traktatin e Lisbonës në fund të dekadës së parë të këtij shekulli), Europa përsëri nuk ka arritur të ketë “zërin” e saj dhe të artikulojë një pikëpamje të vetme “europiane”. Shpesh herë, politika të cilat hartohen në Bruksel, në Paris apo në Berlin, mund të mos gjejnë mbështetje në Londër, në Madrid apo në Pragë. Mënyra se si janë rregulluar institucionalisht marrëdhëniet e vendeve anëtare të BE-së me Brukselin përsa u përket çështjeve të politikës së jashtme dhe të sigurisë së tyre kombëtare lejon që elektorati i një vendi të vetëm, sado i vogël të jetë ai, të mund të bllokojë bashkëpunimin e Bashkimit Europian me Shtetet e Bashkuara dhe përkrahjen për iniciativat diplomatike amerikane, apo pjesëmarrjen në to. Kjo e bën Bashkimin Europian esencialisht inefektiv dhe legjitimon shqetësimin real që ndërsa Ballkani po europianizohet gjithnjë e më shumë, vetë Europa mund të ballkanizohet. Një fakt i tillë dëshmon një deficiencë serioze të Bashkimit Europian, e cila ka të bëjë me procesin e marrjes së vendimeve në instancat më të larta të BE-së. Ky proces është jashtëzakonisht i ngadaltë, sidomos kur bëhet fjalë për sfera të tilla si politika e jashtme apo çështje të sigurisë, në të cilat çdo vend anëtar niset nga interesat e veta kombëtare dhe ka të drejtën e vetos. Qendra për Reformë Europiane (Centre for European Reform) në Londër, konsideron si një ndër dobësitë më të mëdha të Bashkimit Europian atë që ajo e quan “delivery deficit’, me fjalë të tjera, paaftësinë e Brukselit për të marrë vendime, për të vepruar dhe për të zgjidhur në mënyrë efektive çështjet që preokupojnë si BE-në, ashtu edhe komunitetin ndërkombëtar. Vetëm një Europë që është vërtet e bashkuar, mund të arrijë të krijojë një peshë dhe një influencë të tillë, jo vetëm ekonomike, por edhe politike dhe ushtarake, që do ta bënte atë një aktor vërtet të rëndësishëm në skenën e politikës globale. Sidoqoftë, krijimi i një Europe të tillë varet nga thellësia e integrimit politik të saj, nga zgjerimi i mëtejshëm, si edhe nga shkalla në të cilën Europa arrin të zhvillojë sistemin e saj të mbrojtjes dhe identitetin politik të saj. Shumë autorë bashkohen me mendimin se integrimi, apo unifikimi europian është sot në një gjendje krize, në një masë të tillë që jo gjithnjë perceptohet siç duhet brenda apo jashtë Europës. Në shumë raste, kryeqytetet e vendeve anëtare të BE-së kanë opinione politike të ndryshme jo vetëm mbi atë se si mund apo duhet t’i organizojnë ekonomitë e tyre kombëtare, por edhe mbi aspekte të ndryshme të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç janë, fjala vjen, problemet e tregtisë së lirë, qëndrimi ndaj NATO-s, apo marrëdhëniet me Washingtonin. Veçanërisht kur është fjala për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, europianët nuk janë aspak të një mendjeje me njëri-tjetrin mbi atë se si mund të influencojnë ata në vendimet që merr Washingtoni, duke manifestuar kështu, nga njëra anë, tendenca kundërshtimi dhe, nga ana tjetër, marrëdhënie bashkëpunimi. Me gjithë arritjet e mëdha në drejtim të një integrimi gjithnjë e më të thellë dhe efektiv ekonomik, politik, juridik dhe social, Bashkimi Europian vazhdon të mbetet një grupim vendesh tepër heterogjene, pa objektiva afatmesme dhe afatgjata, të cilat të përputhen në çdo rast me interesat dhe objektivat e veçanta të shteteve anëtare. Paradoksi i një Europe të tillë është, siç vë në dukje Brzezinski, se “Komuniteti Europian, me zgjerimin e tij, u vetquajt Bashkimi Europian. Por, ajo që ka ndodhur në të vërtetë është se, si rrjedhojë e zgjerimit, Bashkimi Europian është bërë Komuniteti Europian”. Për arsyet e mësipërme, Bashkimi Europian ka sot një aftësi të kufizuar për të vepruar si një organizëm politik i vetëm. Ndërsa në nivelin e shteteve të veçanta Europa vazhdon të jetë vitale, kolektivisht ajo është shumë më pak se shuma e pjesëve të saj. /Mapo/

KOMENTE