English

Demonstrimi i turpit nga një kokë e pafytyrë

Nga Behxhet Sh. Shala

Një hyrje për të penduarit: Që nga qershori i vitit 1999 ( nuk e them pas përfundimit të luftës sepse ajo nuk ka përfunduar ende ), opozita , shoqëria civile, analistët e varur dhe të pavarur, intelektualët e kallashit dhe patriotët e sutlijashit, vërejtjen kryesore e kishin pse partia që i ka fituar zgjedhjet apo koalicioni qeverisës nuk po bën më shumë për veriun e Kosovës i cili ishte shndërruar në kolektor ( mbledhës ) i të gjitha fundërrinave kriminale. Veriu i Kosovës ishte shndërruar në Kolumbi të Pablo Eskobarit, Çikago të Al Kapones dhe Sicili të don Vito Korleones. Ndërkombëtarët kanë pasur informacione të mjaftueshme për këto aktivitete kriminale dhe nuk kanë intervenuar. Duke pirë shlivovicë dhe duke mrizuar në fundin e Stojadinkës nuk kishin si të intervenonin. Bënin punën për çka kishin ardhur!

Kontrabandonin narkotikë, trafikonin qenie njerëzore, karburante, pije alkoholike, duhan dhe bënin biznes shumë fitimprurës! Arsyetimi për mosintervenim ishte se :” i është lënë vend bisedimeve “! Janë investuar miliona e miliona euro për joshjen e strukturave kriminale të Serbisë në këtë pjesë të okupuar të Kosovës që të integrohen në shoqërinë kosovare. Në fakt, shumë prej këtyre mjeteve kanë shkuar në kontot e bosëve mafiozë të Veriut. Ata kanë krijuar zonat doganore si në Meksikon e Zapatës dhe Panço Vilës e që nënkupton promovimin e cubërisë si mënyrë zhvatjeje në shtetet që aspirojnë të integrohen në BE.

Kriminelët e veriut të Kosovës e kanë promovuar mini shengenin në variantin më të mundshëm kriminal ( kalimin e kufirit pa dokumente të udhëtimit dhe mallit pa iu nënshtruar procedurave të doganimit ) shumë para Fatmir Sejdiut, Ivanovit, e Bamir Topit! Veriun e kanë shndërruar në Saharë ( shkretëtirë ) institucionale dhe tokë të premtuar për aktivitete kriminale! Edhe pas shpalljes së kësaj pavarësie që e kemi, kritikat kryesore që u janë drejtuar institucioneve kanë qenë se :” e shitën veriun e Kosovës “! Ka pasur propozime që atje të dërgohen 5000 policë kosovarë ndërsa që edhe banorët që jetojnë në atë pjesë të Kosovës të armatosur sipas parimit të Mao ce Dunit. Të armatoset FSK dhe të dërgohet në kufijt verior! Populli i armatosur e bën luftën e armatosur! Nuk mund të ankohemi se ka pasur mungesë të ideve për “ çlirimin “ e veriut të Kosovës. Mirëpo, të gjitha këto plane, projekte, angazhimin e strategjive të “ strategëve “ të restoranteve dhe kafeterive si:Rings, Strip Depot, Papillon, Ex, Ultra, XL etj.janë bërë nga flladi i amshueshëm dhe zhurma e skajshme e muzikës së Cecës, Goran Bregoviqit, Frank Zapës, Shaqir Cërvadikut, Erik Kleptonit, Bob Marlit, Mik Xhegerit etj. Dëshira për të bërë diçka ka qenë XXL ndërsa mundësitë shumë S ( mall ), të vogla! Në mungesë të një strategjie ademjashariane i jemi kthyer variantit më karikaturial të “ qëndresës “ gandiane!

I vetmi person që vërtet ka derdhur djersë për Mitrovicën ka qenë Shkurte Fejza duke kënduar këngën : “Jo nuk ndahet kurrë o Mitrovica” në lokale pa klimatizim të mjaftueshëm! Para zgjedhjeve të fundit, gjatë fushatës elektorale më së shumti fituan ata që i dinin kanalet apo përrockat ku, në mënyrë të sigurt i bartnin politikanët që vizitonin “ pjesën e okupuar të Kosovës” dhe të cilët pastaj deklaronin se :” Jo nuk ndahet kurrë o Mitrovica “! Edhe pas zgjedhjeve të fundit u aktivizuan vuvuzelat që na prishnin komoditetin e “ mrizit të zanave “ duke thënë se veriu i Kosovës iku, u shit, u fal për një pushtet që realisht nuk e kishin! Me pordhë të kafeterive donin ta çlironin Mitrovicën! Nëse nisemi nga fakti se për 12 vite me radhë veriu i Kosovë ishte në fakt Mars, Jupiter apo Neptun për institucionet e Kosovës atëherë çka është dashur të bëhej! Veriu ka qenë më Serbi se vet Serbia nga i cili shumica kanë çuar duart! Në edhe mund të gënjejmë mirëpo me veriun e Kosovës janë marrë vetëm ata që kanë qenë emocionalisht të lidhur me te , ata që u kanë mbetur pronat atje dhe që janë shndërruar në muhaxhir në shtetin e tyre dhe shqiptarët, pjesë e krimit të organizuar që kanë bashkëpunuar me ivanoviqët, jakshiqët, stefanoviqët, bogdanoviqët, nikoliqë, tadiqët dhe koshtunicët! Prandaj, intervenimi i 25 korrikut ka qenë përpjekje për t’i lëvizur gjërat dhe i ka lëvizur gjërat.

Asgjë më nuk është si më parë: Tash po dalin analiza që e vërtetojnë thënien :” se pasi të falet Bajrami, të gjithë bëhen myslimanë” duke kritikuar qeverinë përkatësisht Hashim Thaçin se ka hyrë në : “ lluga pa sakicë” duke dërguar policinë speciale ROSU në aventurë! Po bëhen bilance dhe po del se Kosova po ndahet e humbur sepse nuk e ka vë nën kontroll një pjesë të territorit të saj! Po thuhet se policët janë dërguar me nga 18 fishekë dhe se për të shpëtuar nga uria kanë marrë nga KFOR-i nga një ve.

Mungesë elementare e moralit dhe respektit për ata që sakrifikuan jetën në këtë përballje me strukturat kriminale të veriut të Kosovës! Këtë po e thonë pikërisht ata që janë jetuar nën hijen e vezëve e të tjerëve dhe se edhe luftën e UÇK-së e kanë konsideruar aventurë! Në vend se të jenë krenarë që për herë të parë Kosova ka polici të motivuar kombëtarisht dhe në mbrojtje të interesave shtetërore. Policët e projektuar nga ana e këtyre , që për inate personale e kallin shtetin, më parë na kanë arrestuar, torturuar dhe vrarë! Në fund të fundit; cila do të ishte alternativa e mosveprimit ?! Kritikuesit e kësaj përpjekjeje për shtrirjen e sovranitetit shtetëror nuk po e ofrojnë asnjë zgjidhje! Qenka dashur sipas tyre që për këtë intervenim të debatohet gjerë e gjatë dhe pastaj të votohet nëse duhet të intervenohet apo jo? Jo nuk qenkan bërë parapërgatitjet , jo nuk qenka siguruar përkrahja logjistike e shumë e shumë vërejtje të tjera nga “ ekspertët për çështje sigurie “! E çka paska bërë Behgjet Pacolli gjatë dy vizitave të bëra në veri të Kosovës?! Paska tredhur miza a? Ai, vetëm nga modestia nuk ka dashur të bëjë publik këtë plan! Definitivisht, proceset kanë lëvizur dhe më nuk ka gjasa të riciklohet situata si ajo para 25 korrikut.

Për shkak të Hashimit ( njerkës ), le të vdes Kosova ( djali ): Duket qartë se për shumë analistë, opozitarë, mercenarë, daullexhinj, shakaxhinj dhe të tjerë, problemi nuk qëndron të Serbia por te Hashim Thaçi. Shtrine Hashimin për tokë dhe do të çlirohet Afganistani! Vërtet mendoj se ky intervenim ka qenë shumë i nevojshëm! Pavarësisht kush do të ishte në pushtet, do ta përkrahja! Dhe mendoj se nuk bën ndryshe. Është çështje tjetër se si do të veprohet më tutje!

Nëse nuk arrihet që në pikat kufitare 1 dhe 31 të kthehen doganierët dhe policët kosovarë atëherë edhe unë të t’i përkrah këta që po kritikojnë! Nuk ka respektim të reciprocitetit pa doganierë dhe policë kosovarë! Nuk ka luftë kundër krimit të organizuar nëse joviqët, ivanoviqët, jakshiqët, bogdanoviqët, stefanoviqët, tadiqët dhe iqët tjerë shkojnë në Beograd dhe me kriminelin demokrat Boris Tadiq hartojnë strategji dhe taktika si do të veprohet në “ mbrojtje të kësaj toke serbe”. Që Beogradi të vendos për Kosovën! Një pjesë e ndërkombëtarëve janë krejt të pafytyrë sepse po qëndrojnë prapa barikadave të trungjeve dhe po i tërheqin penjt! Maskara si Galluqi nuk është as vet Tadiqi! Tash, merreni me mend se kush është marrë me çështjen e integrimit të veriut! Galluqi dhe gulluguqët e tjerë të UNMIK dhe EULEX! Pse nuk arrestohen krerët e krimit të organizuar? Gjenerali i KFOR-it Byhler e di shumë mirë se kush janë ata? Edhe gjenerali tjetër, Ksavier de Marnak që për shkak të kanaxheqit të bijës së tij e la veriun në flake, ka njohuri të mjaftueshme për krerët e krimit të organizuar në veri! Nëse EULEX dhe nATO kanë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës, nuk do të duhej të kishin status neutral kundër krimit dhe kriminelëve! Këta, megjithatë po e kanë!

Serbia dhe Kosova në të ardhmen: Serbia nuk është e kënaqur me marrjen vetëm të veriut të Kosovës duke e qiprizuar Kosovën. Ajo dëshiron që përmes veriut dhe duke i instrumentalizuar serbët në pjesët e Kosovës qendrore ta bëjë Kosovën jofunksionale. Ta mbajë peng! Ndërkombëtarët po e tolerojnë këtë synim të Serbisë. Po e ndihmojnë Serbinë në realizimin e këtij synimi duke e federalizuar Kosovën dhe duke i “ mbrojtur” kufijt e jashtëm të Kosovës me Serbinë duke i quajtur ata administrativë! Nëse nuk trandemi shpejt, konfliktin e kemi shumë afër! Ai po bëhet i pashmangshëm! Madje i domosdoshëm! Prandaj, mos të merremi me veten por me problemin dhe rrezikun real që po na kanoset! Ose, ta fusim kokën në rërë si makushi dhe me prapanicën krenare të ngritur lart t’i presim goditjet e radhës!

Serbia po i përdor për qëllime të përfitimeve të gjithë kriminelët e vet duke i dorëzuar në Gjykatë ( Millosheviqi, Karaxhiqi, Shesheli, Mlladiqi dhe Haxhiqi, pse ne të mos i mbrojmë të drejtat tona! Nëse Kosova shndërrohet në federate midis entitetit politik dhe kombëtar serb dhe shqiptarë, nuk ka ardhmëri këtu! Pavarësia dhe sovraniteti do të mbesin vetëm si diçka e dëshiruar, thuaja në duart tona por përgjithmonë të humbura! Një armiqësi që ndërpritet mund të shndërrohet në një bashkëjetesë ndërsa një armiqësi që nuk përfundon mund dhe do të shndërrohet në ferr!

KOMENTE