English

KFOR: Nuk po hiqen barrikadat në Veri, serbët: Të respektohet rezoluta 1244

Mitrovicë, 8 gusht 2011, NOA – Pas marrëveshjes së arritur mes zyrtarëve serbë, gjeneralit të KFOR-it Erhard Buhler, dhe Prishtinës zyrtare duket se edhe takimi i mbrëmshëm i Presidentit serb Boris Tadiç me krerët e serbëve të Veriut të Kosovës ka çuar në pajtimin e palëve.

Por, marrëveshja e arritur të premten që konsiston në heqjen e barrikadave ende nuk ka gjetur zbatim.

Përfaqësues të KFOR-it, thonë se tri ditë pas arritjes së pajtueshmërisë mes KFOR-it, Prishtinës e Beogradit, situata në veri mbetet e njëjtë, me një qetësi të tensionuar e bllokada në rrugë.

Sipas KFOR-it nuk po vihet ende në zbatim marrëveshja e arritur.

“Nuk jam i sigurt nëse mund të quhet zbatim, sepse në parim ne po vazhdojmë me masat tona, që kanë qenë të vlefshme deri më 5 gusht. Kështu që sipas meje, nuk është zbatim i vërtetë”, tha për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i KFOR-it, Hans Vihter.

Ai tha se bllokadat në rrugë vazhdojnë edhe pse lejohet lëvizja nëpërmjet tyre.

“Bllokadat rrugore nuk janë hequr në tërësi. Bllokada në Rudare është ende atje, për shkak se ka vështirësi, sepse atje është dërguar material i rëndë, megjithatë kalimi mundësohet në rrugë dytësore, dhe konvoji ynë i KFOR-it mund të kalojë. Liria e lëvizjes është e garantuar, por barrikadat janë ende aty. Duhet që ta diskutojnë me Beogradin për të bindur të gjithë pjesëmarrësit”, tha Vihter.

Ndërkohë që serbët e veriut pas takimit me presidentin Tadiç, sinjalizuan se do të përmbushin obligimet, që dalin nga pajtueshmëria e arritur me KFOR-in, pra se do të heqin të gjitha barrikadat rrugore, të cilat i vendosën pas ndërhyrjes së njësisë speciale të policisë së Kosovës ROSU për të marrë nën kontroll dy pikat kufitare në veri, Bërnjakën e Jarinjen.

Një nga përfaqësuesit e serbëve lokalë, Radenko Nedelkoviç, tha se palët kanë rënë dakord për rëndësinë e unitetit dhe të paqes në pjesën veriore të Kosovës.

Nedelkoviç i kërkon përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar të respektojnë me përpikëri Rezolutën 1244.

Serbët lokalë në veri të Kosovës kanë paralajmëruar se të martën do të mbajnë një takim të përbashkët, pas të cilit do të vendosin nëse do të heqin ose jo barrikadat në veriun e Kosovës.

REL/mit/NOA

KOMENTE