English

Në “master”: Formim universitar detyrimisht i integruar

Artan Fuga

Në fakt, sistemi ynë arsimor universitar ka një strukturë normative që e lejon të zhvillohet në forma të larmishme dhe cilësore. Mirëpo kuadri i përgjithshëm normativ, sado interesant që të jetë, ka nevojë të vihet në jetë me strategji të zhvilluara formuese për brezat e rinj të specialistëve që do të duhet të jenë në treg jo thjesht për sot, por ndofta për 50 vitet e ardhshme. Nuk mund të punohet vetëm për sot, por për një botë profesionesh që do të vijë, e cila që tani duket se e ka përmbysur në mënyrë revolucionare botën dhe strukturën e profesioneve

Kështu, meqë po diskutojmë nivelin e diplomave “master”, pyetja e parë që mund të bëhet është në pamje të parë shumë e thjeshtë: “Çfarë interesi ka dikush që pasi ka përfunduar studimet në nivelin ‘bachelor’, të vazhdojë studimet për të marrë edhe një diplomë ‘master’”?

Lehtësisht ka disa që përgjigjen: “Po, ja, ata te ne mund të ndjekin çfarë të dëshirojnë, mund të ndjekin edhe një master profesional, ose edhe një master shkencor, ose në mos në këtë rrugë, nëse plotësojnë ca kushte, me 60 kredite të marra, mund të orientohen edhe në doktoraturë!”

Duket sikur të tria rrugët janë të hapura. Çfarë duan më shumë studentët? Të gjitha hezitimet e tyre do të dukeshin të tepërta.

Por, nuk është ashtu! Varet se nga çfarë ane e sheh çështjen.

Ka së paku dy anë që nuk të nxjerrin “në të njëjtën qafë”.

Nëse e sheh nga ana institucionale, del se ta zëmë një fakultet i caktuar, publik ose privat, ia ka hapur të gjitha mundësitë studentit për të vazhduar studime përmbi ciklin e diplomave “bachelor”. Duket sikur studentëve u thuhet: “Zgjidhni e merrni!” Mirëpo, kjo është vetëm njëra anë e çështjes. Këndvështrimi i dytë, në fakt më i rëndësishëm sesa i pari, është ai i studentit, ose i klientit, i atij që vjen të plotësojë pra kërkesat e tij. I ndodhur mes tre rrugëve që i propozon institucioni, atij i duket se asnjëra prej tyre nuk ia plotëson të gjitha pritshmëritë që ai kërkon të parashikojë se mund të ndodhet përpara tyre në të ardhmen. Shumë studentë, sigurisht, natyrisht, shumica e tyre biles, nuk mund ta dinë qysh në bankat e shkollës se çfarë do t’u rezervojë jeta. Në këtë stad, ata janë të interesuar që të marrin një profil studimesh që së paku të plotësojë tripritshmëri që mund të zhvillohen konkretisht më tej sipas rastit:

E para, të formohen për të kapur statuse profesionale të nivelit shumë të lartë.

E dyta, të formohen teorikisht në nivel sa më të lartë, duke u përgatitur për të bërë edhe kërkim shkencor ose teknik.

Së treti, të kenë mundësi ndofta edhe që më pas t’i hyjnë një shkolle doktorate, që si rregull formon pedagogë dhe specialistë teoricienë të një niveli shumë të lartë.

Ne u themi me masterat: “Zgjidhni njërën nga këto tre rrugë!”. Nga pikëpamja institucionale jemi fare në rregull. Kurse, parë nga pikëpamja e studentit nuk mjafton, sepse studenti natyrshëm i kërkon që të tria potencialitetet t’i mbajë hapur. Këtu nis kontradikta që sjell në universitetet private një lloj hezitimi të studentëve për t’i ndjekur studimet master, dhe në disa institucione publike, një lloj “mosngopje” e kërkesave studentore për diçka që edhe ata vetë nuk e formulojnë gjithmonë qartë se çfarë duan, por që ka të bëjë gjithsesi me një dëshirë për të përfituar ndofta tjetër gjë, më shumë, ndryshe, dituri në nivelin master.

Është e qartë se sikurse thamë qysh në fillim nuk bëhet fjalë këtu për të ndryshuar statusin e studimeve master, master profesional, master shkencor, apo vit i parë i shkollës doktorale. Të gjitha këto janë në përputhje me prirjet e sotme të shkollimit universitar europian, të paktën hëpërhë. Japin mundësi të mëdha për të rritur cilësinë e arsimit tonë universitar.

Mirëpo, sipas meje, ka vend që edhe te ne formimi universitar në nivelin master të plotësojë disa strategji të integruara.

Në radhë të parë, ta zëmë, masteri shkencor, mund t’i realizojë të tre objektivat, pra edhe të japë formim teorik të nivelit shumë të lartë, edhe të formojë praktikisht specialistë me nivel të lartë profesional, edhe të paraprijë për shkollë doktorale, pra për të mbrojtur një doktoraturë. Të tre objektivat së bashku. Këtu ka interes studentor. Këtu ka interes shoqëria. Këtu ka interes kultura kombëtare. Ndërkaq, konsiderimi në mënyrë abstrakte dhe utopike sikur objektivi i masterit shkencor është thjesht kalimi më pas në shkollën doktorale për të mbrojtur një doktoraturë, në vetvete një objektiv jo i keq, gjithsesi e bën masterin shkencor shumë të cunguar në objektivat që ai ka marrë aktualisht dhe praktikisht në Perëndim. Këtu nis pastaj një lloj mosngopje e synimeve studentore.

Nuk ka diskutim që masteri shkencor inkludon në një formë të veçantë edhe një formim profesional. Arsyeja është e thjeshtë. Studentët që diplomohen në master shkencor në Europë dhe më tej janë kryesisht të destinuar jo thjesht për të bërë kërkimin universitar. Në botën e madhe sot as nuk është e vërtetë që pjesa më e rëndësishme e kërkimit shkencor bëhet në universitete. Pa mohuar rolin e madh të këtyre të fundit, janë ndërmarrjet, sektori teknologjik i lidhur me sipërmarrjen, firmat dhe laboratorët që punojnë për prodhimin dhe shërbimet etj., të cilat kanë një gamë të gjerë kërkimesh shkencore dhe teknike, të cilat lidhen me rritjen e rendimentit të punës, zhvillimin teknologjik, përmirësimin e gamës së prodhimeve, rritjen e efikasitetit të organizimit të punës në korporatë etj. etj.

Kërkimi shkencor është sot shumë më i gjerë sesa shkenca universitare.

Sektori i kërkimit dhe i punës shkencore, i lidhur me aktivitetin në treg të korporatave dhe ndërmarrjeve të kalibrave të ndryshëm është i pashkëputur nga anët profesionale e çdo sektori. Në këtë mënyrë punonjësit e sektorit të kërkim-zhvillimit kudo në korporata dhe ndërmarrje nuk mund të jenë vetëm të zotët të konceptojnë modele teorike dhe formula të reja konceptuale të organizimit të punës, studime mbi tregun etj., por u duhet medoemos edhe të kenë një formim praktik dhe profesional në fushën përkatëse. Pra, kanë një formim më të lartë. Edhe profesional, sepse u duhet të jenë financierë, administratorë, marketues, juristë etj., që e njohin mirë profesionin e tyre, por u duhen edhe aftësi kërkimi dhe pune shkencore për të çuar sektorin e kërkim-zhvillimit të agjencisë që i ka punësuar. Ky është profesioni i tyre, ata nuk janë pa profesion. E ardhmja e tyre nuk është thjesht regjistrimi i tyre në një shkollë doktorale.

Parë kështu, do të kishte qenë një mangësi dhe një boshllëk i trishtuar që në masterin shkencor të mungojë dimensioni edhe i formimit profesional. Sigurisht këtu ai nuk do të bëhet si në një profil masteri profesional të mirëfilltë, por patjetër që duhet të ketë “paketën” e vet të lëndëve. Përndryshe rrezikojmë që studentët që ndjekin masterin shkencor t’i formojmë si “poetë”.

Ka edhe një kuptim të dytë të termit “studime të integruara të nivelit ‘master’”. Formimi i kryqëzuar. Si mundet që një ekonomist të mund të jetë kërkues shkencor dhe zhvillues modelesh pranë një korporate apo një kabineti konsultimi financiar pa pasur së paku ta zëmë një formim të mirë në fushën juridike? Ja që i duhet të marrë një paketë të dytë lëndësh formuese ta zëmë në juridik. Një gazetari apo specialisti të ardhshëm të marrëdhënieve publike i duhet, përse jo?, një paketë e mirë lëndësh formimi ekonomik, bie fjala, apo një formim tjetër në një fushë komunikimi, por gjithmonë i kryqëzuar me një fushë tjetër. Si mundet që një student i specializuar për shkenca politike në nivelin master të mos marrë edhe një paketë të dytë lëndësh që e formojnë në mënyrë të integruar edhe në një fushë tjetër. Disa zgjedhin nën-profilin e shkencave të komunikimit, të tjerë të administrimit publik, të tjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare etj., sipas prirjeve dhe interesave.

Këtu nuk është fjala për t’u dhënë dy diploma. Këtu është fjala që specialistët e nivelit të lartë kanë nevojë të kapërcejnë ndarjen abstrakte në formime të izoluara sipas disiplinave të ngurta të ndara me “mur kinez” mes tyre. Shkolla e mesme edhe mund të pranojë formime në disiplina të veçanta, edhe niveli bachelor disi mund të pranojë, por më tej virtyti kthehet në ves. Shkolla njeh lëndët, por jeta nuk është e ndarë si tren me kompartimente të veçuara. Problemi ekonomik dhe financiar është edhe politik shpesh, edhe komunikativ, edhe sociologjik, edhe psikologjik... Problemi juridik është edhe logjik, edhe institucional, edhe social etj. E të gjithë kështu me radhë... Ndryshe, të gjitha zgjidhjet që do t’u jepen problemeve të jetës do të jenë të gabuara ose të mangëta.

Çdo gjë mund të jetë relative, sikurse edhe propozimet për paketa të ndryshme formimi të integruar që u jepen studentëve, të cilët zgjedhin atë që dëshirojnë, por, kur flasim për studime me strategji të integruar, diçka është absolute. Kjo “diçka absolute”, në fakt, ka dy dimensione: Së pari, formimi metodologjik (por, kjo anë kërkon një trajtesë të ardhshme), dhe së dyti, formimi në marketing në kuptimin e gjerë të fjalës. Në shoqërinë e sotme, patjetër edhe në atë të ardhme, specialisti është njëkohësisht individualisht ose si i punësuar i një agjencie apo korporate, edhe si propozues shërbimesh, mallrash, idesh, modelesh etj., që paraqiten si oferta për një klientelë të gjerë ose të ngushtë. Po ashtu, ai nuk mund të presë pasivisht që klienti të vijë tek ai, porse kërkon ta transformojë sjelljen e konsumatorit në atë mënyrë që ta sjellë këtë të fundit duke e bindur drejt ofertës që i ka bërë. Klienti, i cili nuk është më një individ i veçuar, por vepron sipas prirjeve kolektive që u bindet audienca, grupet e konsumatorëve. Me një fjalë, do të ishte një mangësi e madhe që për specialistë të një niveli të lartë që kërkon të përgatisin studimet master, atyre të mos u propozohej edhe një formim i kompletuar sa duhet në marketingun e integruar.

Së fundi, duke folur për formim profesional, realizuar veçmasi, ose si pjesë e integruar e një niveli shumë të lartë brenda diplomave në “master shkencor”, pyetja që lind është si më poshtë: “Po, por për cilat profesione?”

Prandaj, duket e domosdoshme që çështja të zgjidhet jo duke vendosur karrocën përpara buajve – sikurse thotë një fjalë e urtë franceze. Në fillim duhet pasur një reflektim të thellë për të gjitha tipologjitë e profesioneve konkrete që masteri shkencor ose masteri profesional synon t’i formojë studentët dhe pastaj të ndërtohen planet dhe programet mësimore. Jo e kundërta. Pra do të ishte nonsens që diku të ndërtohej një herë programi dhe plani mësimor i një profili studimesh master dhe pastaj të mendohej se çfarë specialistësh mund të formohen me atë paketë lëndësh.

Ekipet drejtuese dhe menaxhuese të studimeve master e kanë këtë barrë për ta mbajtur mbi supe. Ideja është se kemi detyrimin për të menduar për profilet e reja të profesioneve dhe zanateve bashkëkohore dhe biles edhe të atyre që do të vijnë. Dhjetëra të tilla, me profile dhe nënprofile, është e mundur të përfytyrohen duke ndjekur prirjet e sotme më të zhvilluara të tregut të punës brenda, por sidomos në tregun rajonal, europian, perëndimor dhe më gjerë sesa kaq.

E theksuam që djemtë dhe vajzat që na ndjekin në auditore kanë të drejtë të thonë se duhet të formohemi për pesëdhjetë vitet e ardhshme dhe në kontekstin e një bote të hapur konkurrenciale.

Pa i formuar kështu, ne rrezikojmë që nga viti në vit, veç rasteve të suksesshme që nuk mungojnë, të kemi edhe profile studimesh master ku studentë të diplomuar në to në fakt të jenë informuar vetëm me disa dije të përafërta në fusha shumë abstrakte, pa finalitet profesional ambicioz, ende të përgjithshëm dhe që nuk përmbyllen si diploma brenda një perspektive koherente profesionale. Do të diplomonim, pra, me diploma masteri me mijëra juristë, filozofë, sociologë, specialistë të gjuhëve të huaja, ekonomistë, letrarë, psikologë, me formim të përgjithshëm, larg kërkesave të profesioneve të sotme, që do të përmbysnin tregun e profesioneve me specialistë të padiferencuar në kompetencat e tyre, të gjithë me formime të përgjithshme dhe të njehsuara. Në fakt, kështu nuk do të prodhonim veçse të papunët e ardhshëm. Ndërsa specializimi i ngushtë profesional, sipas statuseve profesionale të ndryshme, sipas profesioneve të së ardhmes, në mënyrë të integruar, do të na lejonte modestisht t’i thoshim vetes dhe njeri tjetrit: “Këta të rinj kanë një shpresë për të qenë të suksesshëm në treg, cilidoqoftë ai. E ardhmja e tyre nuk duket e djegur qysh në bankat e shkollës.” Shembujt e mirë që duhen ndjekur nuk mungojnë!

(Vijon të hënën e ardhshme)

KOMENTE