English

Palestinezët dhe Kombet e Bashkuara

Nga “The New York Times” Në më pak se një muaj, palestinezët pritet të kërkojnë nga Kombet e Bashkuara të njohin shtetin e tyre. Ne kemi mirëkuptim për dëshirën e zjarrtë të tyre dhe irritimin e tyre.

Për vite, atyre u është premtuar një zgjidhje e negociuar – presidenti Obama ka bërë thirrje për një marrëveshje paqeje deri në shtator – dhe ata janë ende duarbosh. Por, pasojat mund të jetë thellësisht të dëmshme për të gjithë të përfshirët.

Sipas së njëjtës, nëse palestinezët duan anëtarësim të plotë në Kombet e Bashkuara, ata duhet të fitojnë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit. Shtetet e Bashkuara padyshim do të vënë veto ndaj çdo rezolute dhe një gjë e tillë do t’i ndajë edhe më tej Izraelin dhe Uashingtonin.

Në vend të kësaj, palestinezët mund të kërkojnë nga Asambleja e Përgjithshme që t’i njohë ata si shtet ose t’iu japë atyre statusin e vëzhguesit si shtet. Njëra do të kalojë padyshim. Por, pas ngazëllimit të parë, palestinezët do të jenë më të ndarë, ndërsa ekstremistët do të përpiqen ta shfrytëzojnë këtë pakënaqësi.

Mënyra më e mirë, ndoshta edhe e vetmja, për të dalë nga ky debakël, është fillimi i negociatave serioze midis izraelitëve dhe palestinezëve. Dy palët nuk kanë qenë në të njëjtën tryezë së bashku që nga shtatori i 2010-ës.

Të gjithë ndajnë fajin për këtë bllokim. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, ka përdorur çdo justifikim të mundshëm, si: trazirat rajonale, dobësimin e qeverisë së tij të koalicionit, për të shmangur negociatat.

Ai ka penguar edhe shtytjen e presidentit Obama. Liderët republikanë në Uashington – të cilët duken të interesuar për të turpëruar zotin Obama – kanë inkurajuar rezistencën e tij.

Liderët arabë, nuk u kanë dhënë izraelitëve ndonjë stimul për kompromis. Presidenti i Autoritetit palestinez, Mahmud Abas, duket se është dorëzuar në diplomaci, kur presidenti Obama nuk ka arritur të përmbushë premtimin për ngrirjen e ndërtimeve.

Me afrimin e afatit të shtatorit, administrata e Obamës i është kthyer punës në diplomaci. Shtëpia e Bardhë po punon me Izraelin dhe Katërshën – që përfshin Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Rusinë dhe Kombet e Bashkuara – në një deklaratë që përcakton parametrat për negociata.

Elementi kryesor është: një shtet palestinez i bazuar në kufijtë e para 1967-ës, me këmbime të pajtueshme të tokës dhe garanci për sigurinë e Izraelit.

Në muajin maj, presidenti Obama e ka miratuar këtë ide, e cila është mbështetur gjerësisht si bazë për secilën marrëveshje. Në atë kohë, zoti Netanjahu shënoi pikë te përfaqësuesit e linjës së ashpër në Izrael, me denoncimin e këtyre kufijve si të pambrojtur.

Tani, liderët izraelitë duken të gatshëm për t’i pranuar ata. Ky është një fillim, por jo mjaft.

Që të ekzistojë ndonjë shans për të nxitur palestinezët të heqin dorë nga kërkesa e tyre për shtet dhe për të lëvizur përpara procesin e paqes, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre duhet të vënë në tavolinë një hartë dhe një marrëveshje, me një afat kohor për përfundimin e negociatave dhe votimin zyrtar të Kombeve të Bashkuara për shtetësinë.

Këshilli i Sigurimit dhe Liga Arabe duhet ta shfrytëzojnë peshën e tyre pas kësaj.

KOMENTE