English

Reagon METE: Minatorët janë ngujuar 760 metra nën tokë jo 1400

Tiranë, 8 gusht 2011, NOA – Ndërkohë që greva e minatorëve të Bulqizës është në ditën e 15-të, ministria e Energjitikës reagon publikisht duke thënë se ndërprerja e punës në minierë shkakton shembjen e nënkateve të minierës, grumbullimin e gazrave helmues deri edhe shembjen e minierës.

Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave (RISHM) jep më poshtë pasojat që sjell ndërprerja e punës nga minatorët grevistë të minierës:

1. Shembjen e nënkateve dhe të gjitha armatimeve që kanë qenë në proces pune.

2. Mosndezja e ventilatorëve do të bëjnë të mundur grumbullimin e gazrave të dëmshëm dhe helmues në punimet minerare sidomos në punimet qorre, duke shkaktuar prishjen e atmosferës së ajrimit në minierë.

3. Mosvënia në funksion e pompave për largimin e ujërave nga miniera përbën bllokim total të minierës duke krijuar shembje të punimeve minerare dhe shkatërrimin e pajisjeve të makinerive të instaluara në minierë.

Ekspertët e RISHM-it bëjnë me dije se moslejimi nga minatorët grevistë i hyrjes në minierë të specialistëve për të bërë takimin dhe stakimin e ventilatorëve të ajrimit dhe pompave në minierë është i jashtëligjshëm.

RISHM-i thekson se të gjitha këto pasoja çojnë drejt degradimit të minierës.

Ata kërkojnë ndërhyrjen e organeve përkatëse që të sigurohet kontrolli dhe monitorimi i pandërprerë i minierës nga specialistët e RISHM dhe kompanisë konçensionare ACR. Reparti i Inspektim-Shpëtim Minierave, institucion në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sqaron opinionin publik se minatorët grevistë të ngujuar në nivelin 14, ndodhen në thellësinë 760 metër linear nga sipërfaqja e tokës dhe jo 1400 metra siç është përfolur këto kohë.

“Theksojmë se nga niveli 5 deri në nivelin e 14-të të pusit, shërbimet në minierë (Takimi dhe Stakimi i ventilatorëve të ajrimit dhe pompave në minierë) nuk bëhen nga punëtorët e specializuar të ACR, por nga vetë grevistët, pasi ata nuk lejojnë hyrjen në minierë të specialistëve të kësaj fushe. Kjo përbën shkelje të Ligjit 8741 “për sigurinë në punë” në veprimtarinë minerare, pasi punëtorët e shërbimit të ajrimit dhe të heqjes së ujërave punojnë pa ndërprerje të punës si në ditët e festave edhe në pushime”, thuhet në deklaratën e RISHM-it.

mit/NOA

KOMENTE