English

Veriu i Kosovës, serbët zmbrapsen nga barrikadat

Mitrovicë, 8 gusht 201, NOA - Serbët e veriut kanë vijuar edhe mbrëmë të organizojnë barrikada në rrugët që të çojnë në dy vendkalimet kufitare Bërnjak e Jarinje, por numri i tyre në këto barrikada është më i ulët se ditët e shkuara.

Sikundër bën me dije Koha Ditore automjeteve të KFOR-it u është lejuar kalimi në të gjitha drejtimet nga veriu deri në Rudare ku në mes të rrugës është vënë kryqi i madh në udhën që të çon nga Mitrovica për në Leposaviç.

Mediat njoftojnë se edhe pse kryetari serb Boris Tadiç i ka bindur udhëheqësit e serbëve të veriut që të heqin dorë nga barrikadat, kjo nuk është zbatuar ende.

Radenko Nedelkoviç, pas takimit me presidentin serb tha se në mbledhjen e 9 gushtit, pra të martën, serbët e veriut do të vendosin për të marrë masat për implementimin e marrëveshjes me KFOR-in, e pranuar nga ana e Qeverisë së Serbisë.

Tadiç përflitet se u ka dhënë përkrahje të plotë serbëve të veriut të Kosovës dhe ata janë pajtuar se në Kosovë duhet të ketë paqe dhe unitet të serbëve.

“Duke marrë parasysh mbështetjen e plotë që morëm, ne ramë dakord që së bashku me përfaqësuesit lokalë dhe ata të shtetit të Serbisë të zgjidhim të gjitha problemet në këtë hapësirë”, tha Nedelkoviç.

Koha Ditore/NOA

KOMENTE