English

Shqipëria magjia e turizmit në planet, Berisha: Brigjet e Jonit më uniket në Europë

Brigjet e Jonit të kombinohen me zona rezidenciale e resorte turistike

Tiranë, 10 gusht 2011, NOA – Shqipëria si magjia e turizmit nëpër botë dhe zhvillimi i brigjeve mahnitëse të rivierës shqiptare në zona rezidenciale dhe resorte turistike ishin kryefjala e kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë.

Duke iu referuar parashikimeve të agjencisë Lonely Planet, shefi i qeverisë deklaroi se ata që e parashikuan Shqipërinë si magjinë e planetit në turizëm për vitin 2011 ishin profetë.

“Nga 1 janari deri në 8 gusht 2011 në Shqipëri kanë hyrë 419 mijë e 472 më shumë se shtetas të huaj më shumë se vitin e kaluar dhe kjo përbën një arritje të madhe në shumë aspekte, duke dëshmuar se Shqipëria gjithnjë e më shumë po bëhet magjia e turizmit’, theksoi kryeministri.

Ai bëri me dije se nuk ndodh askund në botë që ndonjë vend të shënojë një rritje kaq të madhe vjetore të turizmit siç po ndodh në Shqipëri, ku vetëm në një ditë, si 5 gushti, hynë në vendin tonë 57 mijë turistë e vizitorë.

Kjo shifër sipas kryeministrit është sa një e gjashta e atyre që hynë në gjithë vitin 2004.

Shefi i ekzekutivit që për veten e tij ka zgjedhur vit pas viti të pushojë në brigjet e kaltërta të Dhërmiut, mendon se brigjet e Jonit janë absolutisht segmenti bregdetar më unik në tërë Europën.

“Shkoni ku të doni, unë ju garantoj se si mikpritja shqiptare e malet e këtij vendi, nuk do të gjeni askërkund, ndoshta hotele më të mira po”, tha shefi i qeverisë.

Ai bëri me dije se Shqipëria do të fitojë reputacion shumë të mirë në botë me turizmin.

Këtu ai ripërsëriti se rritja në gjashtë muaj me 411 927 turistë është një rritje shumë premtuese, e cila justifikon plotësisht profecinë e atyre që e shpallën Shqipërinë “E Bukura e Dheut për vitin 2011”.

Por kryeministri nuk la jashtë vëmendjes atë ç’ka prish magjinë e bregdetit të mrekullueshëm shqiptar, hedhjen pa kriter të mbeturinave nga vetë qytetarët, një problem jashtëzakonisht i rëndë dhe i pranishëm në plazhet shqiptare.

Këtë ai e cilësoi si një mungesë kulture për të cilën qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe ta kultivojnë.

“Nuk injoroj asnjë nga mangësitë e pafalshme që ekzistojnë, mbeturinat. Ne duhet të dalim nga kjo situatë, sepse ne do të dëmtojmë rëndë një nga burimet kryesore të të ardhurave dhe të imazhit të vendit. Plehrat janë jashtëzakonisht problematike”, vërejti kryeministri.

Ai veçoi këtu investimet e bëra vetëm në rrethin e Vlorës, ku për turizmin janë investuar mbi 600 milion euro në të gjithë infrastrukturën.

Vetëm për unazat e jugut që do të furnizojnë bregun me ujë janë hedhur 49 milion euro, TEC-i i Vlorës, tha ai kushton 110 milion euro.

Sipas kryeministrit në vend mund të ndërtohen impiantet më të mira për shkatërrimin e mbeturinave, por ai i bëri thirrje qytetarëve të krijojnë një kulturë të re, atë të moshedhjes kuturu të mbeturinave.

“Qytetarët duhet të ndërgjegjsohen për mbeturinat. Natyrisht kjo është një kulturë për t’u zhvilluar”, tha shefi i qeverisë.

Duke folur për zhvillimin e vijës bregdetare, zoti Berisha tha se kemi për të zhvilluar edhe 90 përqind të bregut.

“I tërë legjislacioni do të përshtatet me filozofinë e zhvillimit të turizmit.

Bregu do të ndërtohet në zona rezidenciale dhe resorte turistike, duke realizuar qëllimin që kombi të kthejë sytë nga deti, pasi deti është ushqim, është pasuri, dhe ekonomia të zhvillohet”, tha Berisha.

Sipas tij në brigjet e Jonit do të kombinohen zonat rezidenciale me resortet turistike, ndërkohë që nuk do të lejohet ndërtimi i asnjë ndërtese mbi tre kate në breg pa vendimin e Këshillit kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE