English

Mur kinez, fjalët mbrapsht!

Pas rekordit të notit, Saliu mburret me numrin e shkallëve që ka ngjitur në murin kinez. Një garë që e nisi në vitin 1996 në Pekin, atje ku u shit Koha Jonë. E po e përfundon tani, kur për një peshk më shumë, po shitet Shqipëria. Shqipëria Jonë

Nga Sokol Balla

Nikollë Lesi do jetë nxehur shumë këto ditë me qeverinë. Ministri i jashtëm kinez nuk pranoi ta takonte Nikon, pasi kinezët nuk harrojnë sesi në vitin 1997, Niko me një çantë të madhe dhe të fryrë me “materiale propagandistike” për Tajvanin, lobonte publikisht dhe politikisht, që Shqipëria t’i njihte pavarësinë. Kinezët jo thjesht kanë para. Ata kanë memorie – siç treguan me incidentin Lesi – por edhe qëllime. Qëllime që ata i kanë në ekspansion dhe jo vetëm në Shqipëri. Kinezët kanë treguar interes për porte, por edhe për ishuj grekë. Ata janë sot “pronarët” e borxhit të jashtëm amerikan. Që të kuptohet se çfarë do të thotë kjo, në teori, një ditë Pekinit mund t’i teket t’i thotë Uashingtonit se duhet t’ia kthejë borxhin nesër. Sigurisht që kjo mbetet një mundësi, më shumë teorike. Siç është e pamundur që ushtarët kinezë të ecin në këmbë nga bregu perëndimor i Paqësorit, për të arritur në brigjet e Kalifornisë. Por në teori, sipas përllogaritjeve mbi 150 milionë rekrutët kinezë, nëse vihen në rresht për një, arrijnë të bashkojnë bregun e Kinës, me atë të Kalifornisë. Në teori, por gjithmonë mbetet një mundësi. Në Afrikë sipas të përditshmes komuniste të Pekinit People’s Daily, Kina ka investuar deri më sot 49 miliard dollarë. Miniera, centrale, fabrika, por sigurisht më shumë në industrinë e gazit dhe naftës e për këtë pyesni Sudanin apo Nigerinë. Sipas të njëjtit burim, në 11 shkurt kryeministri i Zimbabves – një vendi ku monedha zhvlerësohet me tre katër zero sa herë Mugabe shfaqet në televizor – i kërkonte zyrtarëve kinezë të çonin brenda vitit në një miliard totalin e investimeve në vend. Investimet kineze në Afrikë korrespondojnë me ikjen e tyre nga Shqipëria , në vitet 80. Siç thotë një shprehje po kineze: “Jepi dikujt një peshk dhe ia do hajë për një ditë, por mësoje si të peshkojë dhe ai do të hajë për gjithë jetën”. Afrimi i Kinës me ne, ka nisur që prej vitit 1991 kur regjimi ndryshoi. Erdhi një regjim demokratik, por për Pekinin e kuq rëndësi kishte që iku qeveria që solli ftohjen e raporteve në fund të viteve 70. Një strategji që nuk ka ndryshuar e për këtë, mjaft t’ju them se sot në ambasadën kineze, janë rikthyer prej disa vitesh, diplomatë që ishin këtu, në kohën e Prishjes së Madhe. Atëherë cili është interesi që regjimi demokratik i cili në shkurt 1991 kërkoi anullimin e vizitës së kryeministrit Li Peng, sot i ofron liberalizim vizash dhe ekspansion ekonomik? Dhe për më tepër, cili është”peshku” që kërkon Berisha dhe çfarë “leksion peshkimi” do të ofrojnë kinezët në paketë? Këtë askush nuk e di. Siç nuk di se çfarë fshihet pas 100 milionëve për Parlamentin e ri. Siç nuk di se çfarë fshihet në jet-ët privatë me “targa” arabe, ruse, turke e kineze, që vijnë natën e ikin herët në mëngjes nga Rinasi. Por të gjithë ama e kemi një pyetje: a do t’i paguajmë një kosto ne kësaj? Në një shkrim shumë vite më parë në revistën Klan, citoja një nga batutat e Nanos, që mërzitej shpejt me skolastikët e Gerhard Priebe-s dhe ashpërsinë e Chriss Patten: “Do na fusni në BE apo t’ja q.. robt e ta fus Shqipërinë në Ligën Arabe”. Sot, ne “robt” që po flasim për këtë çështje, gjithë dilemën e kemi tek “q”-ja simbolike e Nanos. Kina është një emër dhe një vend që duhet respektuar. Por po ashtu duhet të jemi të sinqertë me publikun dhe t’i sqarojmë dilemat që ai ka për afrimin e ri me Kinën. Eshtë shansi për më shumë para. Por edhe për t’iu frikësuar reagimit amerikan ndaj sjelljes së dashur me armikun e tij më të madh ekonomik, financiar, por edhe ushtarak. Si edhe reagimit europian, që mund të vijë pas liberalizimit të vizave me Kinën. Çka do sillte qindra mijëra kinezë, në pikën më të afërt gjeografike me Bashkimin Europian. Dhe këtu s’po flas fare për dashurinë e papritur me sistemin që ende vret njerëz, vetëm sepse mendojnë ndryshe. E për më shumë nuk është halli sesa aksione marrin turqit, sa porte kinezët dhe sa xhami arabët. Gjithë çështja është se ndoshta për ndonjë lek më shumë në arkë, për të blerë helikopterë e makina Saliut, vendi ka nxjerrë në shitje, jo asetet, por kohezionin e tij politik dhe orientimin perëndimor. E këtu jo për të bërë apologji, por krahasuar me “peshkun shpatë” kinez të Saliut, “q”-ja e Nanos mbetet realisht simbolike. Paradoksalisht kjo është çka duhet të zemërojë vërtet Nikollë Lesin. Pas rekordit të notit, Saliu mburret me numrin e shkallëve që ka ngjitur në murin kinez. Një garë që e nisi në vitin 1996 në Pekin, atje ku u shit Koha Jonë. E po e përfundon tani, kur për një peshk më shumë, po shitet Shqipëria. Shqipëria Jonë.

* Marrë nga revista “Mapo”, qëndrimet janë personale

KOMENTE