English

Vijon greva e urisë, minatorët refuzojnë takimin në Peshkopi

Bulqizë, 11 gusht 2011, NOA Update – Edhe takimi i sotëm mes kompanisë austriake dhe minatorëve grevistë i propozuar për t’u mbajtur në Peshkopi dështoi për shkak të vendtakimit.

As thirrja e kryetarit të Bashkisë së Bulqizës Roland Keta që minatorët të shkojnë në prefekturën e Peshkopisë për t’u takuar me drejtuesit e ACR-së nuk është pranuar nga minatorët grevistë.

Tashmë gjendja e 13 minatorëve në ditën e 18-të të grevës së urisë nën tokë sa vjen e rëndohet duke mbetur pa asnjë dritë jeshile.

Është gati ulëritëse arsyeja e moskryerjes ende të takimit, për shkak të mosrënies dakord për vendin.

E vetmja mundësi e zgjidhjes duket se është takimi në Bulqizë, kusht ky i vënë nga minatorët e ngujuar në grevë, që kanë refuzuar dy takimet e propozuara në Tiranë e Peshkopi.

Por, për takimin në Bulqizë nuk japin pëlqimin drejtuesit e ACR-së, me pretendimin se situata atje është tejet e rënduar për shkak të tejzgjatjes së grevës së minatorëve.

Grevës i shtohet tashmë edhe tensioni jashtë minierës ku minatorët e tjerë në hyrje dhe qytetarët e Bulqizës kërcënojnë të zaptojnë rrugën kryesore, në Qafë Buall.

Ndërkohë që shëndeti i 13 minatorëve grevistë përkeqësohet, ata këmbëngulin të vijojnë grevën, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre për rritjen e pagave me 20 përqind, investime për përmirësimin e kushteve të sigurisë dhe të punës në minierë, largimin e drejtorit aktual të minierës.

Mësohet se kompania austriake që ka marrë me koncesion minierën e kromit ka pranuar disa prej kërkesave, mes të cilave rritjen e pagës dhe shtimin e investimeve.

mit/NOA

KOMENTE