English

Doni shikim brilant? Shpiket lentja me ar dhe diamante

Nju Delhi, 12 gusht 2011, NOA – Kush ëndërron tashmë mund të ketë një shikim të artë dhe nën shndritjen e diamanteve. Një mjek okulist indian ka krijuar më të shtrenjtat lente me kontakt, duke përdorur për to arin dhe diamantin.

Okulistin indian e ka frymëzuar bamirësia ndaj të sëmurëve të varfër andaj paratë që do të marrë nga shitja e lenteve ekzemplar do t’i përdorë për kurimin e tyre.

Lentet frut i gjenisë së doktorit indian Chandrashekhar Chawan kushtojnë nga 11-15 mijë dollarë.

Ato janë brilante dhe bizhuteri tërësisht për t’i mbathur në sy.

Modeli bazë i përdorur për lenten përbëhet nga një cipë e hollë ari i bardhë (platin) apo i verdhë dhe nga 18 diamantë të vegjël, porse lloji i gurëve dhe sasia mund të variojnë sipas shijes së klientëve.

“Deri më tani kemi marrë nëntë porosi nga India, SHBA-të, Britania e Madhe dhe Dubai” tha për agjencinë italiane ANSA okulisti indian, duke saktësuar se secila nga porositë ka një model të veçantë.

Sipas krijuesit, në vend të diamanteve për zbukurimin e lenteve mund të përdoren e gurë smeraldi, rubini, zafir, gjithçka në varësi të kërkesës dhe vlerës së lentes.

Mes klientëve që kanë porositur lentet me diamant janë një aktor amerikan, një yll televizioni dhe një këngëtare e muzikës rok.

Doktori indian Chawan ka studiuar për mjekësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vitin 2007 ka ngritur klinikën e syve “Shekhar Eye Research” në Mumbai të Indisë.

Lentet prej ari dhe diamanti të krijuara prej tij nuk shkaktojnë probleme për syrin pasi zbukurimet e çmuara janë 6 dhe 9 milimetra larg korneas.

“Në realitet nuk janë plotësisht lente të vërteta me kontakt, por proteza sysh që nuk mbështeten mbi korean”, thotë ai.

Nisur nga fakti i kostos së tyre nuk janë lente që përdoren pak kohë dhe më pas të hidhen, por ato rrojnë deri në 20 vjet.

Chandrashekhar Chawan thotë se për prodhimin e një palë lenteve i duhet një muaj kohë, gjatë të cilës ai merr përmasat e syrit duke përshtatur më pas korrektësisht modelin dhe vendosjen e tyre.

Ambicja e indianit Chawan shkon edhe më tej pasi ai po kërkon të krijojë një modë të re për personazhet e spektaklit dhe kinemasë indiane në Bollywood.

mit/NOA

KOMENTE