Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Raporti i OSBE/ODIHR, Tirana me kryetar të punësuar nga KQZ
English

Raporti i OSBE/ODIHR, Tirana me kryetar të punësuar nga KQZ

Nga Vasilika Hysi*

Ditën e publikimit të raportit final të ODIHR, Kryeministri i vendit deklaroi se ai e shihte këtë raport si pozitiv, madje ndihej entuziast nga arritjet në këto zgjedhje dhe jepte vlerësime pozitive për veprimet e KQZ dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor. Në fakt, nga deklarata për shtyp e tij të krijohej ideja se zgjedhjet vendore të 8 majit në Shqipëri ishin jo vetëm më të mira së zgjedhjet e kaluara, por ato kishin përmbushur të gjitha standardet, me të vetmin shqetësim që Komisioni Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duhet të reformohet.

Lexova raportin e ODIHR në origjinal, të publikuar në faqen zyrtare të internetit të kësaj organizate të specializuar për monitorimin e zgjedhjeve dhe që në faqet e para të tij gjeta një tablo tjetër të fakteve të konstatuara në zgjedhjet e 8 majit dhe të analizuara nga vëzhguesit e këtij misioni. Një pjesë e mirë e këtyre fakteve dhe qëndrimeve ishin bërë publike në raportet paraprake ose në konferencat e shtypit të këtij misioni, por edhe të vëzhguesve vendorë të angazhuar në monitorimin e zgjedhjeve të 8 majit. Ky raport përshkruan faktet e konstatuara sikurse ishin thënë më parë, me një gjuhë të qartë e pa zbukurime, në mënyrë që partitë të merren me gjendjen reale dhe të zgjidhin problemet për të arritur zgjedhje me standarde dhe jo të diskutojnë raportin në këndvështrime të ndryshme.

Në raportin 36 faqesh janë analizuar nga pikëpamja ligjore shumë aspekte të proceseve zgjedhore dhe janë renditur aq shumë probleme dhe shkelje të standardeve sa që gjithkush do të skuqej dhe do t’i vinte turp sesi pas 20 vitesh, jo vetëm që nuk u arrit të bëjmë zgjedhje me standarde, por edhe u vodhën mandate, jo në zona të izoluara ku votuesit nuk kanë pasur mundësi të njohin ligjin, por në zemër të vendit, aty ku janë përqendruar institucionet vendase dhe ndërkombëtare të vëzhgimit, pjesa më e madhe e popullsisë së vendit, konkretisht në Tiranë.

Raporti trajton shumë aspekte, një pjesë e të cilave kanë qenë pjesë e shkrimeve dhe diskutimeve të profesionistëve në fushë ose të analistëve edhe para botimit të këtij raporti. Megjithatë, raporti ka nevojë të lexohet me kujdes dhe rekomandimet e tij do të rimerren dhe të bëhen pjesë e diskutimeve të gjëra mes profesionistëve, partive dhe ekspertëve në fushën e administrimit të zgjedhjeve jo se atë nuk dihen, por ato bëhet dhe ribëhen nga arbitri ndërkombëtar i specializuar në fushën e zgjedhjeve.

Për herë të parë raporti bën një analizë të nivelit të respektimit të standardeve të ndarë në dy pjesë: respektimi i standardeve në nivel kombëtar dhe veçmas për Bashkinë e Tiranës. Jo pa qëllim ODIHR ka ndjekur këtë strukturë, pasi në zgjedhjet e 8 majit mazhoranca synoi të merrte bashkinë e Tiranës me çdo mjet, pavarësisht pasojave që mund të kishte për demokracinë dhe detyrimet e Shqipërisë në rrugën e integrimit Europian. Kështu tabloja e zgjedhjeve në Tiranë dhe në pjesën tjetër të vendit janë të ndryshme për sa i përket asaj pjese të procesit që i dëmtoi atë: numërimit të votave dhe standardeve të vlerësimit të tyre.

Qytetarët shqiptarë, edhe pa e lexuar këtë raport, e kishin të qartë se mandati i Kryetarit të Bashkisë në Tiranë u grabit me procedura jo ligjore, dhe se procesi për numërimin e votave të hedhura gabim i ndjekur nga KQZ dhe vendimet e mëvonshme të Kolegjit Zgjedhor ishin tërësisht joligjore, joprofesionale, të sforcuara, kontradiktore. Por, ODHIR, mbetet institucioni ndërkombëtar më i specializuar dhe certifikuesi i zgjedhjeve dhe çdo gjetje e tij merr rëndësi për partitë dhe institucionet e vendit në kryerjen e reformave në fushën zgjedhore.

Sikurse është bërë “zakon i keq” në zgjedhjet në Shqipëri, ndonëse votuesit shqiptarë shprehin vullnetin e tyre, ky vullnet nuk lexohet ashtu siç është shprehur dhe ligji shkelet si pa të keq. Raporti (faqe 24) vë në dukje një fakt të konstatuar publikisht në zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Tiranës ku rregullat e lojës u ndryshuan pas përfundimit të numërimit të votave që nxorën fitues Z. Rama në raport me kandidatin Basha. Ndonëse numëruesit ishin trajnuar të konsideronin votat e hedhura në kutitë jopërkatëse të pavlefshme, KQZ me një vendim të miratuar në parim, numëroi votat në disa prej kutive. Ajo që është e rëndë dhe që theksohet në Raportin e ODIHR është fakti se vendimet e KQZ, me anë të cilës u rrëmbye mandati i kryetarit të bashkisë së Tiranës, ishin jo zyrtare dhe jo të firmosura, ç’ka krijuan pengesa për ankimin për çdo subjekt zgjedhor (fq. 25).

Sigurisht, procesi i numërimit të votave të hedhura gabim në disa kuti, jo vetëm nuk kishte bazë ligjore, por sikurse shprehet ODIHR, vendimi i numërimit të këtyre votave përdori një bazë ligjore të ndryshme nga ai i cituar në projektvendimin e datës 18 maj. Një KQZ e tillë vetëm institucion i pavarur nuk mund të quhet.

Ky raport i jep një shuplakë qëndrimeve të përfaqësuesve të mazhorancës, të shtabit elektoral të z. Basha, të vetë kryeministrit Berisha, të cilët iniciuan, inkurajuan dhe mbështetën gjatë gjithë kohës sjelljen e përfaqësuesve të mazhorancës në KQZ. Vendimet partiake dhe në shkelje të ligjit të mazhorancës në KQZ dëmtuan rëndë këto proces zgjedhor.

Në pjesën analizuese të raportit, evidentohet shumë cenime të rënda të standardeve, mes të cilës nuk mund të lë pa përmendur presionin mbi administratën publike që sikurse shprehet Raporti ishte në formën e përpjekjeve të organizuara dhe të presionit mbi votuesit me humbje të vendit të punës, nëse nuk merrnin pjesë në mitingjet e PD dhe duke i bërë presion për të mos marrin pjesë në mitingjet elektorale të PS (shih faqen 13 të raportit).

Raporti i ODIHR vë në dukje veprimin joligjor të KQZ, e cila nuk nxori rezultatin e Tiranës dhe t’i jepte mundësi palëve (në rastin konkret, humbësit Basha) të ankimonte vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Raporti nënvizon qartë se KQZ në përgjithësi ka dështuar në dhënien e vendimeve të saj që në të shumtën e rasteve ishin në shkelje të dispozitave të ligjit dhe i cenuan palëve të drejtën e ankimit efektiv në Kolegjin Zgjedhor, sidomos në rastin e ankimimeve për rezultatin në bashkinë e Tiranës.

Kolegjit Zgjedhor nuk mundi t’i rezistojë presionit politik dhe në mënyrë të paprecedent vulosi shkeljen e ligjit dhe të kontribuoi në cenimin e standardeve. Është shqetësues fakti që Kolegji ka përdorur standarde të ndryshme lidhur me trajtimin e ankesave të bëra nga subjektet zgjedhore lidhur me rezultatet e votimit në njësitë zgjedhore jashtë Tiranës dhe për Kryetarin e Bashkisë së Tiranës. Mungesa e qëndrime koherente dhe kontradiktore karakterizojnë vendimet e Kolegjit Zgjedhor për Bashkinë e Tiranës (faqe 30 e raportit), ndërkohë që për disa zona të tjera zgjedhore po ky kolegj ka deklaruar pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre kur ka konstatuar se numri i fletëve të votimit nuk përputheshin me numrin e votuesve (në Tiranë rezultati u certifikua, ndërkohë që ishin 870 fletë votimi më shumë se votues)

Këto dhe shumë shkelje të tjera të konstatuara në Bashkinë e Tiranës deformuan vullnetin e zgjedhësve dhe sot qytetarët e Tiranës drejtohen nga një kryebashkiak, i cili e mori atë karrige falë shkeljeve të shumta dhe të rënda që u kryen dhe që përmenden me detaje në raportin e ODIHR.

Besoj se mazhoranca dhe të gjitha strukturat e ngarkuara me ligj për administrimin e zgjedhjeve dhe rivendosjen e të drejtave të shkelura duhet të ndihen të turpëruara në sy të shqiptarëve dhe të institucioneve ndërkombëtare që kanë investuar para, energji dhe kohë për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.

Drejtësia ka shansin të veprojë, të paktën tani që arbitri ndërkombëtar i zgjedhjeve ka thënë fjalën e tij.

*Deputete e Partisë Socialiste. Artikulli është botuar në gazetën “Shekulli”

KOMENTE
  • Alban Memushi12:58 - 17 Gusht 2011
    Po mire ODHIR in po prisnim te mesonim se kryebashkiaku i Tiranes eshte psefto bashkiak. Ore per budallenj e mirni popullin shqiptare , ajo u pa fare thjesht u kuptua fare thjesht se zgjedhjet ne Tirane u vodhen. Populli nga ps kerkon te mesoj si do reagoj , se c'fare u ae e pa vete nuk do tja thot ODHIR .