English

Biznesi maqedonas gati për të zëvendësuar prodhimet serbe në Kosovë

Shkup, 18 gusht, NOA - Mbështetur në zbatimin më të fundit të masave tregtare të reciprocitetit kundër Serbisë dhe BiH-së, kompanitë maqedonase po bëhen gati për të zëvendësuar prodhimet e këtyre vendeve dhe për të përmbushur kërkesat e tregut në Kosovë.

Zyrtarja e Dhomës së Tregtisë së Maqedonisë Jadranka Arizankovaska deklaroi se, "në periudhën e ardhshme, presim një rritje të dukshme në përqindjen e eksportit të prodhimeve të Maqedonisë në tregun e Kosovës." Ndërmarrjet maqedonase po bëhen gati për mundësinë dhe zyrtarët e Dhomës thonë se ato janë konkurruese, por sugjerojnë se qeveria maqedonase do të këshillohet që të ndihmojë në përmirësimin e rrjedhës së mallrave dhe infrastrukturës.

"Kemi patur bashkëpunim intensiv me Dhomën e Tregtisë së Kosovës deri tani, që ka qenë i frytshëm, por për shkak të zhvillimeve më të fundit Prishtinë-Beograd, ky bashkëpunim po thellohet," tha Arizankovska.

Zyrtarët thonë se ka pak shanse se prodhimet serbë mund të ri-eksportohen në Kosovë nëpërmjet Maqedonisë, pasi autoritetet e Kosovës po zbatojnë rigorozisht politikën e re tregtare të reciprocitetit të tregtisë.

Lista e prodhimeve që Kosova importon është e ndryshme dhe përfshin materialë ndryshme si sheqer, grurë, niseshte, miell, fruta, vajra vegjetalë, drithra, pije jo-alkoolike, ushqim për kafshët, çimento dhe materialë ndërtimi.

Ndërmarrjet maqedonase të transportit presin gjithashtu një rritje në tregtinë me Kosovën, por thonë se nuk do të ketë ndryshim të madh brenda natës.

NOA/INA

KOMENTE