Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Ndryshime në ligjin për “Doktoraturën”, nga kriteret për studime deri te heqja e titullit
English

Ndryshime në ligjin për “Doktoraturën”, nga kriteret për studime deri te heqja e titullit

Tiranë, 18 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Në mbledhjen e sotme të qeverisë, një vendim i rëndësishëm vjen për të gjithë studentët dhe ata që kanë përfunduar studimet universitare dhe që duan ti thellojnë më tej ato duke i hyrë rrugës së doktoraturës.

Nëpërmjet këtij vendimi i cili ndryshon ligjin për hapjen e programeve të studimeve të Doktoraturës në institucionet arsimore publike përcaktohen kushtet të cilat duhet të plotësojë një student për të marrë gradën “Doktor”.

Ndërkaq sipas këtyre ndryshimeve në ligj, veçohet fakti se studenti gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, duhet të ketë realizuar si autor i parë, së paku, tri referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat dy referime ose paraqitje duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare, në një vend të zhvilluar (simpozium, konferencë, kongres), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuara me kod ISBN-je.

Një tjetër kriter që duhet përmbushur për të marrë titullin “Doktor”, është se studenti duhet të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku dy prej artikujve duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në revista shkencore të njohura perëndimore.

Më tej studenti duhet të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuara nga udhëheqësi shkencor si dhe të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.”.

Në vendim theksohet edhe fakti se grada shkencore “Doktor” mund të hiqet pasi ajo është është e revokueshme në çdo kohë dhe për çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit.

Në këtë rast është, dekani ai që i kërkon Këshillit të Profesorëve të mblidhet menjëherë dhe ta shqyrtojë rastin e konstatuar.

V endimi i plotë:

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.864, DATË 5.12.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROGRAMEVE TË STUDIMEVE TË DOKTORATËS NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË DHE PËRCAKTIMIN E KUSHTEVE, QË DUHET TË PLOTËSOJË STUDENTI PËR MARRJEN E DIPLOMËS PËR GRADËN SHKENCORE “DOKTOR””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 26, 42 e 98, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të neneve 12, 124 e 128, të Kodit të Procedurave Administrative, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.864, datë 5.12.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

1. Në titull fjala “... publike ...” hiqet.

2. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Institucioni i arsimit të lartë, që aplikon për hapjen e programeve të studimeve të doktoratës, duhet të jetë universitet, akademi apo qendër ndëruniversitare dhe shkollë e lartë universitare që paralelisht aplikon për statusin e universitetit.”.

3. Në pikën 2 bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronjat “a” dhe “g” ndryshohen, si më poshtë vijon:

“a) Dokumentin në të cilin përcaktohen fusha shkencore dhe emërtimi i programit të studimit të doktoratës, i cili duhet t’i referohet një fushe studimi, disipline ose mund të jetë ndërdisiplinare dhe të shoqërohet nga relacioni shpjegues përkatës për interesin që paraqet fusha.

.... g) Marrëveshje të institucionit të arsimit të lartë, së paku me një universitet të një vendi të zhvilluar, që garanton programe të shkëmbimit të personelit akademik dhe të studentëve të doktoratës, si dhe realizim të projekteve kërkimore të përbashkëta. Për shkencat albanologjike bashkëpunimi mund të jetë edhe me një institucion të arsimit të lartë apo qendër kërkimore në Kosovë dhe në trojet shqiptare.”.

b) Pas shkronjës “h” shtohet shkronja “i”, me këtë përmbajtje:

“i) Të dhëna për personelin akademik të huaj që do të angazhohet si udhëheqës shkencor ose si bashkëpunëtor shkencor i doktorantëve.”.

c) Pika 3 shfuqizohet.

ç) Pikat 4 dhe 5 ndryshohen, si më poshtë vijon:

“4. Këshilli i Profesorëve përzgjedh udhëheqësit shkencorë, të aftë për të drejtuar punën kërkimore të studentëve, mbështetur në vlerësimin e veprimtarive kërkimore botuese të tyre, brenda e jashtë vendit.

Udhëheqësi shkencor i studentit është përgjegjës për drejtimin, këshillimin, vlerësimin e nevojave të studentit, si dhe për zhvillimin e monitorimin e përparimit të punës kërkimore të studentit. Ai ka titullin akademik “Profesor”, “Profesor i Asociuar” ose gradën shkencore “Doktor” (“PhD”), të fituar në universitetet perëndimore dhe ka veprimtari të pasur kërkimore dhe botuese në fushën përkatëse shkencore.

Numri i studentëve të udhëhequr njëkohësisht nga një udhëheqës përcaktohet në rregulloret e institucionit, sipas propozimit të këshillave të profesorëve të njësive kryesore përkatëse.

5. Gjatë periudhës së studimeve të doktoratës, përpara paraqitjes në provimin e doktoratës, studenti duhet të ketë plotësuar kushtet e mëposhtme:

a) Të ketë realizuar si autor i parë, së paku, tri referime ose paraqitje (poster) shkencore, nga të cilat dy referime ose paraqitje duhet të jenë mbajtur në veprimtari shkencore ndërkombëtare, në një vend të zhvilluar (simpozium, konferencë, kongres), të pranuara në bazë të një vlerësimi paraprak shkencor dhe të botuara në “Proceedings”, të indeksuara me kod ISBN-je. Lista e shteteve, në të cilat veprimtaritë shkencore ndërkombëtare dhe referimet e mbajtura ose paraqitjet (poster) shkencore do të njihen, miratohet me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, me propozim të Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës dhe Konferencës së Rektorëve.

b) Të ketë botuar, si autor i parë, së paku tre artikuj shkencorë në revista shkencore. Së paku dy prej artikujve duhet të jenë botuar ose pranuar për botim në revista shkencore të njohura perëndimore;

c) Të ketë përgatitur dhe paraqitur në Këshillin e Profesorëve të fakultetit disertacionin, së bashku me një përmbledhje, të miratuara nga udhëheqësi shkencor. Struktura e disertacionit dhe e përmbledhjes së tij përcaktohen në rregulloren e studimeve të doktoratës;

d) Të ketë dhënë provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare.”.

d) Pas pikës 5/1shtohen pikat 5/2 dhe 5/3, me këtë përmbajtje:

“5/2. Juria përbëhet nga 5 (pesë) veta, ku të paktën tre prej të cilëve duhet të kenë titullin “Profesor”. Në rastet kur nuk mund të gjenden dy anëtarët e tjerë me këtë titull, pranohen anëtarë me titullin “Profesor i asociuar” dhe kanë përvojë të mjaftueshme akademike e shkencore brenda dhe jashtë vendit. Përbërja e jurisë i propozohet Këshillit të Profesorëve nga koordinatori i programit të doktoratës/përgjegjësi i departamentit. KP-ja shqyrton propozimin dhe miraton jurinë për zhvillimin e provimit të doktoratës. KP-ja përcakton dy ose tre oponentë, një prej të cilëve duhet të jetë nga jashtë institucionit. Oponentët janë edhe anëtarë të jurisë për vlerësimin e disertacionit. Ata duhet të kenë titujt akademikë të kërkuar dhe veprimtari kërkimore e botuese të pasur, brenda e jashtë vendit, në fushën përkatëse të studimeve, në të cilën ofrohet edhe programi i studimeve të doktoratës.

Një anëtar i jurisë së provimit të doktoratës mund të jetë nga universitete të njohura në botë, për cilësi dhe veprimtari të pasur kërkimore dhe botuese në fushën përkatëse, i cili ka, së paku, gradën shkencore “Doktor”, të fituar në fushën shkencore në të cilën vazhdon studimet doktoranti, dhe mbi 5 (pesë) vjet përvojë akademike e kërkimore. Ky kriter mund edhe të mos zbatohet për shkencat albanologjike.

Vlerësimi i doktorantit në provim bëhet i hapur.

5/3. Grada shkencore “Doktor” është e revokueshme në çdo kohë dhe për çdo rast, që konstatohet plagjiaturë ose manipulim të dhënash në punimet e kandidatit. Në këtë rast, dekani i kërkon Këshillit të Profesorëve të mblidhet menjëherë dhe ta shqyrtojë rastin e konstatuar. Vendimi i Këshillit të Profesorëve shqyrtohet nga Këshilli i Etikës i institucionit të arsimit të lartë, i cili i propozon rektorit të këtij institucioni revokimin e gradës shkencore “Doktor”, të fituar nga kandidati. Rektori, pasi e shqyrton, merr vendim, të cilin ia dërgon kryetarit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve Akademikë për të bërë çregjistrimin nga regjistri përkatës i këtij Komisioni. Të drejtën e revokimit të gradës shkencore “Doktor” e ka edhe rektori i institucionit përkatës të arsimit të lartë, edhe Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë, kur ka informacione të besueshme në lidhje me këtë çështje. Të drejtën e revokimit të gradës shkencore “Doktor” e ka institucioni, që e ka lëshuar diplomën për marrjen e kësaj grade, edhe në rastet kur konstatohet plagjaturë apo manipulim të dhënash në studime/punime kërkimore të kryera pas promovimit për marrjen e saj.”.

II. Ndryshimet e miratuara me këtë vendim zbatohen për të gjithë studentët që fillojnë studimet e doktoratës në vitin akademik 2011 – 2012, ndërsa studentët, që i kanë filluar ato para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, i përfundojnë ato sipas kritereve dhe procedurave që kanë qenë në fuqi para hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

III. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të doktoratës, të përshtatin brenda 2 (dy) muajsh këto programe studimi, sipas kërkesave të parashikuara në këtë vendim dhe në standardet shtetërore të cilësisë.

Institucionet e arsimit të lartë duhet të parashikojnë në statutet e tyre organizimin e studimeve të doktoratës, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

IV. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe institucionet e arsimit të lartë, të cilat ofrojnë programe të studimeve të doktoratës, për zbatimin e këtij vendimi.

a.y/NOA

KOMENTE