English

Policia hyn në minierën e Bulqizës, minatorët kundërshtojnë të dalin

Bulqizë, 20 gusht 2011, NOA Update – Më në fund forcat e policisë arritën të hyjnë në minierë mëngjesin e sotëm në përpjekje për të mbërritur në vendin e ngujimit të minatorëve, në nivelin e 14-të.

Forcat e policisë kanë hyrë deri në nivelin e 5-të të minierës së Bulqizës, porse vazhdimi i tyre vështirësohet për shkak të bllokimit të ashensorëve.

Uniformat blu që nga dje kanë rrethuar tërë zonën e Bulqizës kanë mundur të zhbllokojnë njërin prej ashensorëve.

Ndërkohë 14 minatorët e ngujuar në grevën e urisë këmbëngulin se do të vijojnë grevën 1400 metra nën tokë.

Forcat e Policisë së Shtetit të mbështetur edhe nga RENEA kanë bërë thirrje për ndërprerje paqësore të grevës së urisë, një apel i artikuluar sot nga kreu i Konfederatës.

Pas marrjes së komisariatin e Bulqizës bashkë me disa krerë të tjerë të grevës dhe sindikatës, kreu i Konfederatës së Sindikatave Kolë Nikollaj i ka bërë thirrje minatorëve së duhet të zbatojnë vendimin e Gjykatës së Dibrës, pra të dalin jashtë mjediseve të minierës për shkak të rrezikut potencial të shembjes së saj dhe të vijojnë grevën e urisë diku gjetkë.

Por, minatorët i janë kundërpërgjigjur se nuk do të ndryshojnë vendin e ngujimit, duke theksuar se deri në nënshkrimin e marrëveshjes me ACR-në ata do të qëndrojnë aty.

Ky vendim u mor vetëm pak minuta më parë nga komisioni i grevës.

Ndërkohë në mjediset nga jashtë minierës së Bulqizës janë tubuar në përkrahje të minatorëve grevistë qindra banorë të Bulqizës, të cilët mbikëqyren nga policia.

Tashmë nuk dihet ende fati i grevës së minatorëve të Bulqizës që për afro një muaj grevë dhe plot dy muaj protestë ndaj kompanisë koncensionare ACR arritën të mbajnë gjallë një protestë ekstreme, ndër më të gjatat të zhvilluara në këto vite në vend.

mit/NOA

KOMENTE