Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
“Berisha 2”, si qeveri pakicash
English

“Berisha 2”, si qeveri pakicash

Nga Çim Peka

Ka mbetur me pak se gjysma e mandatit të qeverisë “Berisha 2”, dhe për shkak të “revolucionit permanent” të opozitës, askush deri më sot nuk ka analizuar se çfarë përfaqësojnë ministrat e kësaj qeverie.

Kjo analizë është se çfarë përfaqësojnë ministrat e partisë më të madhe të mazhorancës në qeverinë “Berisha 2”. Pasi ministrat e aleatëve, përfaqësojnë atë që kanë përfaqësuar gjithmonë: Besimin dhe shijet e momentit të kryetarëve të këtyre partive, kur këto parti kanë më shumë se një ministri; dhe përfaqësojnë kryetarin, kur këto parti aleate kanë vetëm një ministri.

Më konkretisht. Partia Republikane në qeverinë “Berisha 2” përfaqëson kryetarin Mediu, pasi ka vetëm një post ministror dhe ministër është vetë zoti Mediu.

LSI, ka tre ministri, ku ministrat aktualë shikohen si personat politikë më të besuar dhe më me kontribute brenda partisë për kryetarin Meta. Të paktën momentalisht.

Këto janë ministritë që përfaqësojnë aleatët në qeverinë “Berisha 2”. Po çfarë përfaqësojnë ministrat e PD-së në këtë qeveri? Le t’i shohim me radhë.

Genc Pollo, ish-kryetar i PDR, parti e krijuar në vitin 2000, për të bërë të pamundur rrugën e Sali Berishës drejt pushtetit. Aleat me PD, kur kuptoi se rikthimi i demokratëve në pushtet me Sali Berishën kryetar ishte i pashmangshëm. Që në vitin e parë të aleancës me PD, partia e Pollos u shkërmoq në disa copëza të vogla. Në 2009 Pollo u rikthye në PD pasi e kishin braktisur Ferdinand Xhaferri e Nard Ndoka që më 2006. I kishte mbetur vetëm Tritan Shehu. E thënë më shkurt, Pollo i PDR kishte mbetur pa parti dhe nuk kishte rrugë tjetër veç rikthimit në PD. Po çfarë solli me vete Genc Pollo në PD? Vetëm Tritan Shehun. Nuk di ndonjë reformator që ka pritur rikthimin e Genc Pollos në PD dhe s’e ka bërë vetë këtë gjë më përpara. Pra, pak a shumë Genc Pollo përfaqëson momentalisht veten, Tritan Shehun dhe ndonjë individ të izoluar që mendon akoma se Pollo ka shanse për kryetar PD-je, pasi të ikë Sali Berisha. Më thjesht, Genc Pollo përfaqëson sot në qeveri pakicën e PDR. D.m.th. pakicën e një pakice.

Myqerem Tafaj, ministër Arsimi vetëm pak muaj në 1997, derisa në pushtet erdhën socialistët. Më pas emigron në Gjermani. Rikthehet në Shqipëri sa herë vjen PD-ja në pushtet. Në 2005, këshilltar i Kryeministrit Berisha për arsimin. Në 2007, së bashku me zëvendësin e tij sot, Halit Shamatën, kandidat virtual për President. Kandidat vetëm për një ditë. Në 2009 si deputet i Kamzës emërohet ministër Arsimi. Sipas paraardhësve të tij, ka zëvendësuar të gjithë stafin e ministrisë me ish-banorë të Gollobordës, që aktualisht janë qytetarë të Kamzës.

Nën drejtimin politik të ministrisë prej tij dhe këshilltarit aktual të Kryeministrit, nxënësit shqiptarë nuk mund të kalojnë nga një klasë në tjetrën, e jo më nga një shkollë në tjetrën. Kjo, për shkak të teksteve që çdo shkollë, madje çdo klasë i ka me autorë të ndryshëm. Pa pretenduar të bëj ekspertin në fushën e arsimit, të gjithë zërat pretendojnë për një dështim total në menaxhimin e arsimit shqiptar. Po çfarë përfaqëson zoti Tafaj? Sipas këtyre që thamë më lart, përfaqëson një pjesë të militantëve të rinj të Gollobordës. Pra, sërish një ministër që përfaqëson pakicën e një pakice.

Arben Imami, ish-themelues i PD-së, më vonë kundërshtar i fortë i saj dhe themelues i Aleancës Demokratike. Rikthehen në PD rreth viteve 2003-2004 me Preç Zogaj, Gramoz Pashko, Kulluri e Henri Çili. I ndjeri Pashko nuk jeton më, Zogaj u rikthye përsëri te socialistët. Çili është shndërruar në një biznesmen të suksesshëm. Imami ka me vete dhe përfaqëson veten dhe Kullurin nga PAD-ja e dikurshme, pasi Neritan Cekën dhe Arben Demetin ka arritur t’i thithë vetë Berisha.

Përfaqëson si kolegët e mësipërm pakicën e pakicës, pakicën e PAD-së së dikurshme. Gjithsesi, pavarësisht se znj.Topalli nuk e shikon dot në PD, pas 21 janarit kur “qëndrestarët e PD-së ministra” u strukën, Arben Imami qëndroi më fort se të gjithë në krah të Sali Berishës.

Ridvan Bode e Sokol Olldashi përfaqësojnë “qëndrestarët”, (term që e përdorte Sali Berisha në vitin 1999, kur nën drejtimin e Pollos u tentua shkërmoqja e PD-së). Paçka se qëndrestarët e vërtetë të atyre viteve nuk besoj të kenë fatin të ndiejnë dorën e ngrohtë të “ministrave qëndrestarë”.

Genc Ruli? Jam i bindur se as vetë zoti Ruli nuk e di se çfarë grupimi politik brenda të djathtës përfaqëson, megjithëse është themelues i PD-së. Si rrjedhojë askush nuk mund ta dijë së çfarë përfaqëson Genc Ruli.

Ministri i Punës dihet qartë se çfarë përfaqëson - tentativën e Sali Berishës për të përçarë minoritarët e Vangjel Dules. Deri tani është i vetmi ministër që është vënë në atë funksion për atë që përfaqëson: Pakicën e një pakice. Ndryshe nga ministrat e mësipërm që janë përzgjedhur si përfaqësues të shumicës dhe që në fakt përfaqësojnë pakicat e pakicave, ministri i Punës, përfaqëson atë për të cilën është zgjedhur.

Si përfundim, mund të themi qartësisht se qeveria e Sali Berishës përbëhet nga ministra që përfaqësojnë vetëm pakicat e pakicave.

A fitohen zgjedhjet me këtë qeveri më 2013? Matematika e mbledhjes së pakicave më thotë jo. Është e vërtetë që shqiptarët votuan Sali Berishën më 2009 sërish për Kryeministër, por kurrsesi nuk kishin parasysh se sërish do të përfaqësoheshin edhe për katër vjet nga përfaqësuesit e pakicave. Është e vërtetë që Sali Berisha ka një kundërshtar apolitik si Edi Rama dhe mund ta mundë atë edhe me një qeveri pakicash. Por, Sali Berisha si individi më i votuar aktualisht në Shqipëri, pra si një përfaqësues i shumicës, ka detyrim politik të ndërtojë një qeveri me përfaqësues të shumicave. Në rast se nuk ka të tillë në grupin e tij parlamentar ky është problemi i tij, me të cilin do të përballet pas dy vjetësh.

Qeveria humbi në të gjitha qytetet e mëdha në zgjedhjet lokale, edhe pse ishte në aleancë me LSI. Madje humbi më thellë se në 2007, vit elektoral kur LSI ishte në aleancë me PS-në. Fitoi vetëm në Tiranë. Fitoi se ministri që kandidoi përballë shefit të opozitës nuk përfaqësonte vetëm shijet dhe simpatinë e Sali Berishës. Votat që mori Lulzim Basha treguan se përfaqësonte shumë më tepër se aq. Rasti i zotit Basha është treguesi se me çfarë përfaqësuesish mund të fitohen zgjedhjet e 2013 nga e djathta.

Një qeveri mund të mos ndërtohet me përfaqësues të shumicave. Por kjo ndodh kur shefi i qeverisë vendos të ndërtojë një qeveri ekspertësh dhe jo një qeveri politike. Dhe qeveria aktuale na është servirur si qeveri politikë më 2009. Si qeveri politike, në kuptimin e asaj se ministrat kanë përfaqësim politik.

KOMENTE