Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Restaurimi kushtetues
English

Restaurimi kushtetues

Nga Mentor Nazarko

Megjithëse në një periudhë të papërshtatshme klimaterike – koha kur politikanët shkojnë me pushime – në skenën publike po diskutohet ideja e ndryshimeve kushtetuese. Kjo temë, që e kapërcen rëndësinë e periudhës dhe do të ndikojë ndoshta gjithë kohën tonë politike në muajt që do të vijnë, ia vlen të debatohet. Por jo duke afirmuar secilën prej dy të vërtetave që mbrojnë dy partitë kryesore, njëra që i do ndryshimet dhe tjetra që i kundërshton ato për arsyet e tyre, por duke mbrojtur të vërtetën që i intereson publikut. Nga këndvështrimi publik, ndryshimet kushtetuese janë imperativ i kësaj periudhe. Meqenëse kur afirmon një pohim të tillë duhet të thuash edhe se çfarë ndryshimesh kërkon, duhet saktësuar gjithashtu se duhen ndryshime që do ta sjellin Kushtetutën në të njëjtat shina sjelljeje të institucioneve, mu si i kishte përcaktuar teksti i 1998-s. Na duhet Restaurim kushtetues, rikthim i rendit kushtetues. Me këtë bindje themelore duhet dhe të argumentoj pse nevojiten ndryshimet. Do duhet thënë që në krye të herës se ndryshimet duhen në 2011-n, për të njëjtën arsye për të cilën ato nuk duhet të ishin bërë në 2008-n. Si kundërshtar i atyre ndryshimeve, megjithëse i paangazhuar në të ashtuquajturin Komitet për Mbrojtjen e Kushtetutës, që sot ndihet mirë me tekstin që kundërshtoi atëherë, sot më shumë se kurrë jam i bindur se ato ndryshime nuk duheshin. Ndaj sot dua të mbroj idenë e Restaurimit të Kushtetutës në ato parametra që u përcaktuan nga populli dhe ligjvënësi në 1998-n. Argumentet pro ndryshimeve vijnë nga dy periudha. Periudha nga viti 1998 deri në 2008-n, kur u bënë ndryshimet, ishte një periudhë e fillesës së shtetit ligjor në Shqipëri, e lindjes së institucioneve që ruanin distancë nga njëri-tjetri, megjithëse kjo distancë mund të ketë qenë frymëzuar në planin njerëzor nga karriera personale. Për një shtet me histori të mjerë demokracie si yni, sprova e të parit tranzicion normal pushteti, atij të vitit 2005, që risolli Berishën në pushtet, është sprova më serioze ndaj një modeli kushtetues. Ky tranzicion i parë paqësor pushteti, për të cilin protagonistët politikë rreken të marrin meritat, në fakt, ishte meritë tërësisht e institucioneve prodhuar prej asaj Kushtetute. Presidenti i Republikës, gjykatat e epërme, prokurori i Përgjithshëm, shërbimet sekrete, ishin në mandate që nuk lidheshin me partinë në pushtet.

Megjithëse partia që i kishte zgjedhur po largohej me votë, ato nuk u përfshinë në mbrojtje të pushtetit të saj. Duke mos u përfshirë në betejat politike, ato nuk e bllokuan tranzicionin, i cili varej në fare pak vota. Rotacioni i pushtetit nuk solli rotacionin e shtetit, dhe kjo ishte arritja më e madhe e asaj Kushtetute. Formulimi absurd i nenit për zgjedhjen e Presidentit duhej ndryshuar, por jo nenet e tjera që u ndryshuan në 2008-n. Mandatet e pakufizuara të institucioneve të pavarura, por të ndërpritshme në çdo çast nga marrëveshja President – maxhorancë, ishin në thelb të stabilitetit që e karakterizoi atë periudhë. Ai model shteti rezistoi dhe u forcua me gjithë përplasjet e forta President – Kryeministër; Kryeministër – prokuror i Përgjithshëm, Ekzekutiv – gjykata etj., dëshmia më kuptimplotë e pavarësisë dhe autonomisë së institucioneve. Lidhja natyrale që u krijua midis krerëve të institucioneve të pavarura ishte shpëtimtarja e shtetit në rrethana të ndryshme të atij 10-vjeçari. Kompetencat e Presidentit në momente krize e të abroguara me ndryshimet e famshme, e bënin atë figurë të respektuar dhe që mund të luante rolin e arbitrit në kriza politike. Edhe KQZ-ja ishte shumë më drejt e konceptuar, dhe funksionoi thuajse normalisht në 2005-n, megjithëse fitorja e PD-së ishte e ngushtë dhe KQZ-ja mund të sillej si sot në 2011-n.

Zgjedhjet do të ishin shumë më pak problematike dhe seç rezultuan nëse përzgjedhja dhe funksionimi i komisioneve zgjedhore në të gjitha nivelet do të respektonte frymën kushtetuese. Megjithëse arsyet që lidhen me atë periudhë të jetës kushtetuese, krijuese të një modeli solid shtetëror, ishin të mjafta për të mos e ndryshuar Kushtetutën në 2008-n, arsyet e tjera që lidhen me nevojën e restaurimit të saj në 2011-n janë shumë më shumë bindëse. Sot, në 2011-n, kemi një Prokurori të dobët për shkak të mandatit të kufizuar 5-vjeçar. Prokuroria nuk u forcua siç u pretendua kur u miratuan ndryshimet. Megjithëse opozita dhe shoqëria civile presin shumë prej një zonje të re që është në krye të saj, ky pretendim është i paarsyeshëm.

Një njeri i vetëm, i cili zgjidhet për 5 vjet në krye të Prokurorisë, kur një vit i duhet për të njohur punën dhe një vit i fundit i duhet për të menduar për karrierën e re, është thellësisht i demotivuar para korrupsionit. Ai varet tërësisht nga shumica parlamentare që e bën korrupsionin. Kjo lloj prokurorie, e dalë nga ndryshimet kushtetuese, dështoi dhe po dështon dhe në raste flagrante të korrupsionit shtetëror, siç ishte ngjarja e Gërdecit, afera e rrugës Durrës-Kukës dhe procese të tjera të bujshme. Për të vijuar më tej me dështimet e gjykatave të vendosura nën shantazh nga shumica parlamentare, ku më i fundit ishte ai që lidhej me zgjedhjet. Arsyet e renditura më sipër lidhen me periudhat në fjalë, ku janë testuar qoftë vlera e Kushtetutës së 1998-s, qoftë karakteri destruktiv i ndryshimeve të 2008-s. Tani, edhe dy fjalë për të vërtetat që mbrojnë dy taborët politikë sot.

Është plotësisht e drejtë që kushtetutat nuk ndryshohen çdo tre vjet, por nevoja e restaurimit kushtetues është ulëritëse, jo vetëm për dy grupargumentet e mësipërme. Me ndryshimet e pritshme vitin që vjen të Presidentit, të gjykatave të epërme, të prokurorit të Përgjithshëm, vendi po rrëshqet në një kontroll personal të shtetit, në politikë, në ekonomi dhe në institucione, nga një njeri i vetëm, Kryeministri, përballë të cilit nuk gjendet askush. Nuk ka rezistencë institucionale, ose ajo është e dobët; nuk ka kundërshti brenda partisë së vet, dhe kundërvënia e opozitës është e dobët. Ky njeri që sot mbron Kushtetutën, ka treguar tërë mbretërimin e vet politik se ka një vetëdije të ulët kushtetuese, ose mungesë të saj.

Gjatë mandatit të tij si Kryeministër janë të panumërta rastet e shkeljeve të rënda të Kushtetutës për të cilat është shprehur vetë Gjykata Kushtetuese apo Presidenti. Janë edhe plot raste të tjera për të cilat nuk ka pasur ankimim, si qeverisja me zëvendësministra, mospublikimi i akteve qeveritare etj. Në emër të ndalimit të rrëshqitjes së shtetit në modelin që ky njeri ndërtoi në vitet 1992-1998, model i cili u shkërmoq së bashku me të në 1997-n, sot vendit i duhet më shumë se kurrë Restaurimi i rendit kushtetues. Dhe një arsye tjetër. Me shumë gjasa, ai që i rri përballë Kryeministrit, kreu i opozitës, u bë naivisht palë me të në 2008-n, jo thjesht pse “fitoi” ndryshimet në Kod për “ndryshimet kushtetuese”.

Edhe ai ka menduar kur pranoi shkëmbimin se do të fitonte zgjedhjet e 2009-s dhe kështu do të shkonte drejt konsolidimit të pushtetit kryeministror në mënyrë të ngjashme me rivalin e vet. Edhe kjo duket një arsye tjetër, një kapak-arsye, për të shkuar kah Restaurimi kushtetues. Kështu, në shekullin e 21-të, asnjë Kryeministër, asnjë person i vetëm nuk duhet të kontrollojë arbitrarisht shtetin e shqiptarëve. Ky shtet, kështu siç rrezikon të bëhet, nuk do të ngjante as si demokraci – pa zgjedhje të lira dhe të ndershme, të gjithëpranuara – dhe as si liberale, sa kohë që hapësira e lirisë midis individit dhe shtetit do të dominohej nga fuqia e një njeriu të vetëm si në monarkitë e Gjirit.

*Marrë nga gazeta Panorama

KOMENTE