Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Kur do t'i ngrejë vetullat Presidenti!
English

Kur do t'i ngrejë vetullat Presidenti!

Nga Andrea Stefani

Kohë më parë Umberto Eko, botoi në gazetën “L’espresso” një artikull të shkurtër si reagim kundër ekseseve të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ndaj medias dhe moralit publik. Dhe sipas shkrimtarit të shquar, kontrolli mbi mediat do të ishte vendosur me kohë nëse nuk do të kishte pasur reagim nga Presidenti i Republikës Italiane. Në anën tjetër të Adriatikut, në Tiranë ka ndodhur gjëma. Kushtetuta e Republikës është deformuar nga berluskonët e Shqipërisë në atë farë feje sa tashmë lejon instalimin e autokratizmit me procedura legjitime. E megjithatë, Bamir Topi, Presidenti i Shqipërisë, jo vetëm që nuk i ka ngritur vetullat as në prill 2008, por nuk po i ngre as tani kur shihet qartazi se Sali Berisha, duke shfrytëzuar ndryshimet që i janë bërë dokumentit themeltar të shtetit, mezi pret sa ta largojë nga zyra kushtetutshmërisht për të vënë në atë post një nga robotët e tij. Mendohet se Presidenti Topi nuk bëzajti për ndryshimet e Kushtetutës ngaqë besonte se me një sjellje të tillë do kishte më shumë shanse të jetëgjatësohej në atë post. Por të vazhdosh me një taktikë të tillë kur shihen qartë qëllimet e Berishës, është të të shqyejnë luanët dhe t’i të thuash: Jam në ëndërr! Por mëkati nuk është kaq i vogël. Në një kuptim, Presidenti është një nga ato institucione që duhet të dalë në mbrojtje të sistemit përballë gjakimeve autokratike të politikës. Është një detyrim kushtetues i tij dhe ai duhet ta përmbushë duke guxuar. Ashtu sikundër veproi edhe Presidenti i Republikës Italiane. Presidenti ka për mision të bëhet një nga shpëtimtarët e sistemit qoftë duke rrezikuar postin. Por do ishte e turpshme dhe një tradhti e misionit rrezikimi i sistemit vetëm për të ruajtur postin. Dhe Presidenti duhet të kuptojë më në fund, se vetëm duke luftuar për sistemin ka më shumë shanse të mbrojë edhe postin.

* * *

Përse duhet fajësuar Berluskoni kur vetë shumica e italianëve nuk e kishin për gjë kontrollin e mediave nga ana e tij?- pyeste Eko. Në fund të fundit, Berluskoni po zhvillonte natyrën, karakterin e tij prandaj a mund të fajësohet ai se përse është ai që është kur vetë italianët e pranojnë dhe votojnë si të tillë? A nuk është vota një miratim? Dhe rikujtonte se Musolini nuk erdhi në pushtet vetëm në sajë të energjive të Musolinit, por sepse u mbështet nga njerëz (madje edhe liberalë) dhe shtresa të tëra, që besonin se ai do të vinte pak rend në Italinë e drobitur nga konfliktualiteti politik. Jemi pak a shumë në të njëjtat pozita. Ndonëse Berisha nuk merr aq shumë vota prandaj duhet t’i vjedhë një pjesë që të plotësojë kuorumin si shumicë. E megjithatë vazhdon të votohet nga një pjesë jo e vogël e shqiptarëve. Por ndërkaq, në anën e Berishës, është edhe dobësia e skajshme që shfaqin pikërisht ato institucione të cilat janë krijuar me Kushtetutë pikërisht që të balancojnë pushtetin e Kryeministrit dhe ta kontrollojnë atë. Një nga këto institucione është edhe ai i Presidentit të Republikës. Dallimi është se ndërsa disa institucione reagojnë dobët ndaj autokratizmit berishist, sepse janë tërësisht ose pjesërisht të kapura, institucioni i Presidentit hesht ose reagon dobët pikërisht ngaqë nuk është kapur dhe shpreson se të ndenjurit urtë do ta shpëtojë nga kapja. Një taktikë prej struci që shumë shpejt do sjellë zhgënjimin e merituar nëse nuk dilet me urgjencë prej saj. Dhe jo vetëm për Presidentin Topi.

Topi deklaroi se Partitë politike nuk e pyetën kur bënë ndryshimet e Kushtetutës. Por a e përjashton arroganca e partive atë vetë nga përgjegjësia. Deri kur mëkatet e të tjerëve do të mbeten justifikimi ynë? Pikërisht sepse nuk u përfill me një arrogancë shkatërruese për sistemin, pikërisht për këtë, Topi duhet të kishte ngritur zërin me forcën më të madhe. Duhet të kish dalë në mbrojtje të sistemit dhe ndarjes së pushteteve që po rrënoheshin. Të paktën të kishte kopjuar Berishën që di aq mirë të luajë teatër me kauzat e drejta, regji që tregoi se di ta luajë edhe Ilir Meta. Po të perifrazojmë Mark Antonin mund të themi se nëse në kohën e ndryshimeve të Kushtetutës Topi do të qe Berishë dhe Berisha -Top, atëherë Berisha do t’i kish vënë çdo plage të Kushtetutës së masakruar nga një gjuhë duke bërë të dridhen jo vetëm muret e Shqipërisë, por edhe të tërë Europës nga ai krim i përbindshëm me anë të të cilit siç me shumë gjasa do ta formulonte “komunistët po rivendosnin themelet kushtetuese të një diktature të re”! Pikërisht një gjë të tillë nuk e bëri Presidenti Bamir Topi. Por të paktën, Topi le të gjëmojë tani. Dhe për këtë nuk duhet të presë që partitë t’i fusin ndryshimet e Kushtetutës në axhendën e tyre. Nëse partitë nuk e pyetën Presidentin kur i vunë kazmën konstitucionalizmit liberal, Presidenti i Republikës nuk duhet t’i pyesë partitë nëse duhet apo jo të dalë në mbrojtje të sistemit duke kërkuar që të korrigjohen amendimet fatale që i janë bërë Kushtetutës. Është njësoj si të pyesë Berishën nëse duhet apo jo të kryejë misionin që i ka ngarkuar Kushtetuta!

Presidenti Topi e ka të gjithë arsyen për të iniciuar një aksion për korrigjimin e Kushtetutës. Sepse me amendimet që i janë bërë Kushtetuta është deformuar thelbësisht. Tashmë Kushtetuta kundërshton Kushtetutën. Në nenin 7 të saj sanksionohet parimi i qeverisjes së vendit me pushtete të ndara dhe të balancuara. Por ndërkaq, në shumë nene të tjera të saj të amenduara në prill 2008, bëjnë që në praktikë, pushtetet të përqendrohen në duart e Kryeministrit të vendit. Parimi i ndarjes së pushteteve që sanksionohet në nenin 7 rrëzohet nga zbatimi i një numri nenesh të tjera të Kushtetutës. Një nga këto nene është edhe ai i për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Meqenëse përfaqëson unitetin e popullit, Kushtetuta e hartuar me konsulencë europiane dhe e miratuar me referendum nga populli, kërkonte që Presidenti të zgjidhej medoemos me konsensus, duke marrë vota dhe mbështetje edhe nga e majta edhe nga e djathta. Por me bastardimin që u bë në prill 2008, tashmë Presidenti mund të zgjidhet vetëm me votat e qeverisë pra, të njërës nga palët politike. E si mund të jetë një President i tillë përfaqësues i unitetit të popullit? Si mund të përfaqësojë bashkimin në pluralitet një President që refuzohet kategorikisht nga njëri krah i politikës? Por nuk është vetëm kaq pak. E keqja shtrihet më thellë po të analizosh ndikimet që do të ketë në pavarësinë e gjyqësorit prezenca e një Presidenti kukull të Kryeministrit në postin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Me pasoja tepër të rënda për pavarësinë e institucioneve do të jenë edhe zbatimi i amendimeve të Kushtetutës edhe për sa i përket institucionit të kryeprokurorit të Republikës. Thënë troç e shkurt: Në Shqipëri nuk do të ketë më ndarje reale pushtetesh. Dhe përpara se të japë mesazhe shterpë se nuk mund të shkojmë në Europë pa bashkëpunim a dialog mes partive, Presidenti Topi duhet të japë alarmin se nuk do të shkojmë kurrë në Europë nëse nuk rivendosim në Kushtetutë, në themelet e shtetit, parimin e ndarjes reale të pushteteve pa zbatimin skrupuloz të të cilit, është absurde të besosh se mund të ketë liri në Shqipëri.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE