English

Kuvendi mbron Prizrenin

Nga Albin Kurti

Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit, i përpiluar dhe propozuar nga Qeveria e Kosovës, u diskutua të martën në Kuvendin e Kosovës. Pika 2 e nenit të parë të tij, aty ku shpjegohet qëllimi i ligjit, thuhet se Prizreni do të promovohet si ‘qytet me vlera kulturore dhe historike të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar’. Pra, thuhet ‘ndërkombëtar’, por nuk thuhet ‘kombëtar’. Në këtë kontekst, të thuash ‘lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar’ do të thotë të mos thuash ‘kombëtar’. Kuptimi nuk konsiston te ajo që thuhet, por te ajo që nuk përmendet. Prizreni, si asnjë qytet tjetër, paraqet vlerë dhe interes kombëtar shqiptar. Historia dhe kultura jonë, realiteti dhe aktualiteti ynë, e dëshmojnë këtë gjë.

Neni 18 i këtij projektligji ka për titull shprehjen e pafajshme ‘Konsultimi’, mirëpo ja se çfarë thotë pika 4 e tij: ‘Komiteti (për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit) duhet të kërkojë pajtimin e Kishës Ortodokse Serbe për çdo aktivitet, i cili prek pronat e Kishës Ortodokse Serbe në Qendrën Historike të Prizrenit në pajtim me Aneksin 5, të Propozimit Gjithëpërfshirës të Zgjidhjes dhe Kushtetutën’. Andaj, kërkesa për pajtim e Komitetit nuk është kurrfarë konsultimi i Kishës Ortodokse, por nënshtrim ndaj saj dhe afirmim i të drejtës së vetos për Kishën Ortodokse.

Duke qenë se edhe ky projektligj Kishën Ortodokse e quan Kisha Ortodokse Serbe, kjo do të thotë që zonat e veçanta rreth kishave e manastireve ortodokse do të bëhen të paprekshme porsi ambasadat dhe për shumë prona e hapësira rrotull tyre do të pyetet Beogradi. Ky projektligj zgjeron dhe forcon pushtetin e autoriteteve kishtare ortodokse të Beogradit në brendi të qytetit të Prizrenit. Ndarja në lumin Ibër dhe decentralizimi mbi baza etnike po e bëjnë Kosovën një shtet jofunksional. Krejtësisht ngjashëm, edhe ky projektligj do ta bëjë Prizrenin një qytet jofunksional.

Janë tri hapësira territoriale me tri strategji të Serbisë kundër Kosovës. Së pari, në veri të Kosovës, përmes strukturave të saj ilegale dhe armiqësore, Serbia dëshiron që dhunshëm ta mbajë kufirin në lumin Ibër dhe të mos e lejojë shtetin e Kosovës në kufirin verior në Leposaviq. Së dyti, në Anamoravë, Serbia synon që ta përdorë decentralizimin mbi baza etnike për ta gjymtuar atë regjion, për të sajuar vazhdimësi territoriale midis enklavave me shumicë serbe dhe për t’i rrethuar e izoluar Preshevën, Medvegjën e Bujanocin duke ua ndërprerë vazhdimësinë me Kosovën. Ndërkaq, së treti, në Rrafshin e Dukagjinit, Serbia e përdor eksterritorialitetin mbi baza fetare për t’i ndarë e përçarë popullsinë sipas religjionit, për të uzurpuar mijëra hektarë tokë dhe për ta serbizuar trashëgiminë kulturore ortodokse atje.

Ky projektligj është në funksion të avancimit të eksterritorialitetit, në shërbim të rritjes së pushtetit të Beogradit nëpër zonat e veçanta. Këto zona, përveçse të veçanta, janë zona të mbrojtura, ashtu siç edhe quhen. Pra, janë zona veçmas Kosovës, zona që mbrohen prej Kosovës dhe zona me të cilat dirigjon Beogradi. Këtë na e tregon neni 1.2 i Aneksit 5, “Trashëgimia fetare dhe kulturore” të Planit të Ahtisaari-t, që thotë me sa vijon: “Kosova do ta njoh Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, duke përfshirë manastiret, kishat dhe objektet tjera që shfrytëzohen për qëllime fetare, si pjesë integrale e Kishës Ortodokse Serbe me seli në Beograd”. Tash, ky projektligj është mbindërtim në Planin e Ahtisaari-t.

Privilegjimi i trashëgimisë fetare karshi asaj kulturore, privilegjimi i trashëgimisë ortodokse karshi trashëgimive të religjioneve të tjera dhe keqpërdorimi i konceptit të zonave të mbrojtura që paragjykojnë sulme, janë investim në përçarjet fetare në Kosovë (pas ndarjeve etnike).

Dihet që synimi i vërtetë i Serbisë nuk janë të drejtat, liritë dhe kompetencat për qytetarët serbë. Sepse, në njërën anë, ajo nuk e do integrimin e serbëve, pasi asisoj nuk do të mund t’i përdorte më ata si vegël, dhe në anën tjetër, e do Kosovën sa më të dobët duke e copëzuar atë përbrenda. Serbia e do sendërtimin e entitetit autonom të serbëve në Kosovë, dhe për këtë arsye i konvenojnë ndarjet, përçarjet, tensionet dhe konfliktet etnike e fetare në Kosovë.

Serbia gjithmonë ka qenë teokraci militariste. Shtyllat kryesore të shtetit të Serbisë, tradicionalisht ishin ushtria dhe kisha. Pasi Akademia në Beograd planifikonte, kurse politika atje miratonte, ushtria e Serbisë pushtonte, kisha bekonte, pasonin kolonët, të cilët, sërish, kisha i bekonte. Kur them kisha, nuk e kam fjalën te kisha si ndërtesë a objekt, dhe as te kisha si koncept a institucion, por te autoritetet konkrete kishtare në Beograd dhe priftërinjtë e tyre gjithandej, që fenë e bënin politikë e politikën e bënin fe.

Në vitin 1912, Serbia e okupoi Kosovën duke u thirrur në kishat dhe manastiret ortodokse dhe ‘çlirimin’ e tyre. Serbia thoshte që po kthehej në Kosovë pas pesë shekujsh të pushtimit të Perandorisë Osmane. Edhe në pikën 6 të Aneksit 2, të Rezolutës 1244 thuhet që pas tërheqjes, një numër i dakorduar i personelit jugosllav dhe serb do të mund të kthehet në Kosovë për të mbajtur një prani në trashëgiminë serbe. Me këtë projektligj, jo vetëm që mirëmbahen argumentet e rrejshme të Serbisë në Kosovë, por edhe vulosen ato. Serbisë, sigurisht se nuk duhet t’i ndihmojmë, por pikërisht këtë gjë e bën ky projektligj.

Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit nuk ka kaluar të hënën që shkoi në Komisionin përkatës funksional të Kuvendit të Kosovës. Ky projektligj është i padrejtë dhe sjell shumë më tepër dëme të paparashikueshme sesa dobi eventuale. Ai nuk e mbron Qendrën Historike të Prizrenit, por e sulmon atë. Prandaj, ky projektligj nuk është dashur të kalojë. Dhe, ky projektligj nuk kaloi. Me 46 vota KUNDËR, 43 vota PËR dhe me 3 abstenime, ky projektligj u hodh poshtë nga Kuvendi i Kosovës dhe iu kthye mbrapsht Qeverisë. Ishte kjo një humbje domethënëse për Qeverinë. Dhe, gjithsesi, një fitore edhe më domethënëse për Kosovën dhe shqiptarët.

KOMENTE